shëndetsi

Sipas një studimi, jetëgjatësia globale rikthehet në nivelet para pandemisë

Jetëgjatësia mesatare në botë është kthyer përsëri në nivelet e para pandemisë së Covid-19, duke arritur në 76.3 vjet për gratë dhe 71.5 vjet për burrat në vitin 2023, sipas një studimi të gjatë mbi trendet e vdekshmërisë botërore, Global Burden of Disease, udhëhequr nga Christopher Murray në Universitetin e Washingtonit, Seattle.

Që nga viti 1950, jetëgjatësia është rritur me më shumë se 20 vjet për të dy gjinitë.

Edhe pse normat e vdekshmërisë kanë rënë në përgjithësi, vdekjet tek adoleshentët dhe të rinjtë në Amerikën e Veriut dhe të Jugut janë rritur, kryesisht për shkak të vetëvrasjeve dhe përdorimit të drogës ose alkoolit.

Të dhënat e reja për jetëgjatësinë janë publikuar në revistën shkencore The Lancet dhe u bënë publike të dielën.

Analiza bazohet në 310 mijë burime të dhënash nga e gjithë bota, rreth 30% prej të cilave janë përdorur për herë të parë në këtë studim. Janë bërë vlerësime për 204 shtete dhe territore.

Në rang global, jetëgjatësia e grave është rritur nga 51.2 vjet në vitin 1950 në 76.3 vjet në 2023, ndërsa ajo e burrave nga 47.9 në 71.5 vjet.

Sipas një parashikimi të publikuar në maj, bazuar në të dhënat e këtij studimi, burrat që do të lindin pas vitit 2050 do të jetojnë mesatarisht 4.9 vjet më gjatë, ndërsa gratë rreth 4.2 vjet më shumë.

Megjithatë, ndryshimet mbeten të mëdha nga një rajon në tjetrin: në vendet me të ardhura të larta, jetëgjatësia mesatare është rreth 83 vjet, ndërsa në Afrikën nën-Sahariane është vetëm rreth 62 vjet.

Sa i përket shkaqeve të vdekjeve, Covid-19, që ishte shkaku kryesor i vdekjeve në vitin 2021, në vitin 2023 ra në vendin e 20-të.
Sëmundja e zemrës nga mungesa e qarkullimit të gjakut (ishemia kardiake) ishte shkaku kryesor i vdekjeve, e ndjekur nga goditjet në tru (stroke) dhe sëmundjet kronike të mushkërive (COPD).

Shkaqe të tjera të zakonshme të vdekjeve përfshijnë infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, çrregullimet e të porsalindurve, sëmundjen e Alzheimerit, kancerin e mushkërive, diabetin dhe sëmundjet kronike të veshkave.

DS

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top