Skema e rrezikshme e suplementeve që mashtron qytetarët në Shqipëri e Kosovë

Klevin Muka & Luljeta Beselica

Pretë e suplementeve magjike

“Më shikonin në rrugë dhe thoshin, ‘Ua, qenka ngjallur Aurela!’” – kështu e nis rrëfimin e saj këngëtarja e mirënjohur shqiptare Aurela Gaçe, imazhi i së cilës është përdorur në mënyrë abuzive online për të shitur suplemente shëndetësore, apo siç njihen, shtesa ushqimore.

Gaçe ka deklaruar se, përkundër se rastin e ka denoncuar në polici, lajmet e rreme për vdekjen e saj po vazhdojnë të qarkullojnë ende në rrjete sociale.

“Më morën në telefon fillimisht dhe më thanë që pamë një lajm online se ti ke vdekur! Por, para se të vdisje ke lënë amanet për përdorimin e një produkti. Imagjino si mund të ndihesh në ato momente. Edhe sot më shohin njerëzit dhe thonë ‘Ua, qenka gjallë!’ Menjëherë pas kësaj, shkova në Policinë e Shtetit dhe bëra denoncim. Por, edhe sot që flasim, linqet mashtruese vazhdojnë të qarkullojnë,” – rrëfen këngëtarja për BIRN, duke treguar për nivelin shqetësues të kësaj propagande në rrjetet sociale.

AURELA

Foto 1: Foto e montuar e këngëtares në rrjetet sociale, duke promovuar nje produkt

E njëjta fatkeqësi i ka ndodhur edhe dermatologes Monika Fida, e cila u përfshi në mënyrë të pavullnetshme në mashtrime të tilla.

“Nuk isha në dijeni për atë që po ndodhte me emrin tim. Ma çuan një link dhe jam tronditur. Pavarësisht përpjekjeve për të bërë denoncim, procesi ishte i ndërlikuar dhe kërkonte shumë kohë, të cilën nuk e kam për shkak të ngarkesës së punës,” – ka thënë Fida.

 

Pas kësaj deklarate të saj për BIRN, Fida vendosi ta çojë çështjen edhe në Prokurori, ku bëri një kallëzim, por ende nuk ka marrë ndonjë reagim prej institucioneve.

mjeke

Foto 2: Imazhi dhe emri i mjekes Monika Fida i perdorur pa dijenine e saj ne promovimin e produkteve ne rrjetet sociale

Ndërsa një qytetar nga Peja e Kosovës ka dy muaj që ka përdorur një krem për hemorroide, por ka deklaruar se, pos që nuk është shëruar, atij i është përkeqësuar gjendja.

N.K. është një qytetar nga Peja i cili ka probleme me hemorroide të brendshme dhe të jashtme.

“Nuk kam pasur ndonjë përmirësim me këtë produktin që reklamohet, ndoshta vetëm përkeqësim,” – ka thënë N.K.

Ai kishte komentuar edhe në postimin ku kishte blerë atë produkt, duke treguar që produkti nuk ka pasur efekt pozitiv.

Kosova dhe Shqipëria po përballen me një numër të madh dezinformatash në fushën e shëndetësisë.

Në faqe të ndryshme në Facebook e rrjete të tjera sociale, reklamohen suplemente të shumta për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, madje edhe ato kronike.

Si funksionon skema e mashtrimit?

Më 04.12.2024, faqja negar.live(arkiva)  ka publikuar një lajm duke përdorur imazhin e mjekut infeksionist nga Shqipëria, Pëllumb Pipero për të reklamuar një produkt të quajtur ‘Germostop’, i cili pretendohet se shëron parazitët në zorrë.

Birn ka kontaktuar me Pipero, i cili ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me këtë lajm.

“Nuk kam të bëj fare me këtë lajm, është gënjeshtër e tëra, unë kam raportuar edhe në polici për të tilla skema. Me bëjnë patolog, më bëjnë kardiolog më bëjnë kirurg, më bëjnë infeksionist, e çfarë s’më bëjnë. Unë nuk kam lidhje fare fare”, – ka thënë Pipero.

Pellumb

Foto 3: Imazhi i Pëllumb Piperos i montuar ne mbivendosje produkti,  i përdorur pa dijenine e tij.

Ky web faqe ka imazhin e portalit Newsbomb.al, të cilët i ka kontaktuar BIRN për të parë nëse të njëjtit kanë publikuar një gjë të tillë.

Ata për BIRN kanë thënë se asnjëherë nuk kanë postuar një gjë të ngjashme dhe se dikush tjetër po përdor faqen e tyre.

“Dua t’iu sqaroj që screenshot-i që ju dispononi është fake, dikush tjetër i ka vendosur logon tonë sipër me montazh për ta bërë më të besueshme. Madje, një lajm të tillë nuk e kemi pasur asnjëherë në webin tonë dhe nuk është as mënyra jonë e shkrimit,” – ka thënë kryeredaktorja e Newsbomb Albania, Franceska Kordalli.

Lajm

Foto 5: Kryefaqja e Newsbomb eshte kopjuar ne nje adrese tjeter, per t’i dhene me shume besueshmeri “lajmit”

Për të porositur një produkt të tillë nga këto faqe të duhet thjesht të lësh emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit, pastaj menjëherë dikush nga menaxherët e faqes telefonon dhe kërkon adresën se ku do të dorëzohet produkti.

BIRN ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga përfaqësues të kompanisë “Germostop”, që shesin këtë produkt për përdorimin e imazheve të personazheve publike, pa lejen e tyre.

Ata i kanë thënë BIRN-it se “është bërë ndonjë gabim në linqet që dalin të sponsorizuara në Facebook”.

“Ne nuk kemi lidhje me asnjë nga personazhet e sipërpërmendura. Si e gjetëm numrin tuaj? Nga regjistrimi që keni bërë te linku. Por, për sa i përket doktorëve që reklamojnë produktin tonë në link, nuk kemi lidhje. Ne kemi kontraktuar kompani marketingu, të cilat shesin produktin tonë, ato kompani abuzojnë, pasi paguhen nga ne, nëpërmjet numrit të klikimeve”, – thuhet në përgjigjen e tyre.

Krypometër që është në kuadër të KALLXO.com, ka verifikuar në të kaluarën lajme për këtë produkt.

Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga mjekë kompetent për të kuptuar nëse produkti Germostop heq parazitët.

Rexhep Morina, specialist i Dermatologjisë, ka thënë se shkaktari i papillomave është HPV (human papilloma virus) dhe njihen më shumë se 70 nëntipe të këtij virusi.

Përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në vartësi të nëntipit të këtij virusi.

“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të lythave të njohur si ‘verrucae vulgaris’, ‘genitalis (condyloma)’, si dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohen me metoda dhe preparate të ndryshme si: krioterapia (azot i lëngët), termokauter, laser dhe preparate si: TCA, podophilotoxin, imiquimod, etj.,” – ka thënë Morina për Krypometër.

Gjithashtu, Krypometër ka kërkuar edhe tek lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë, pasi Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.

Pas kërkimeve në faqen e e Agjencisë për produkte dhe pajisje medicinale në Kosovë, rezulton se produkti Germostop nuk është në listën e barnave me autorizim marketingu.

Krypometër ka kërkuar edhe tek Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Shqipëri, konkretisht te te Regjistri i Barnave dhe aty nuk ka gjetur ndonjë ilaç me emrin ‘Germostop’.

Gjatë vitit 2024, verifikuesit e fakteve në Kallxo.com kanë arritur të identifikojnë rreth 100 lajme të cilat pretendojnë se produktet e caktuara parandalojnë ose shërojnë kancerin.

Krypometër në Kallxo.com, përveç pretendimeve për shërim të kancerit, ka gjetur edhe lajme ku pretendohet për produkte që shërojnë edhe diabetin.

Vetëm gjatë vitit 2024, Dogana e Kosovës ka thënë se importi i suplementeve në Kosovë ka arritur shifrën e 141 milionë eurove, pra është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak, 2023, që ishte 68 milionë euro.

BIRN ka kontaktuar edhe Doganën e Shqipërisë, të cilët kanë thënë se nuk kanë të dhëna për sa i përket suplementeve, sepse sipas tyre sistemi doganor operon mbi bazën e sistemit të kombinuar të mallrave.

“Nga kërkimi ynë ka rezultuar se nuk ka një kod të dedikuar për mallin ‘Suplemente farmaceutike’. Nga kërkimi rezultoi se nuk ka import me emërtesën ‘suplemente farmaceutike’ apo të ngjashme. Në deklarimin në doganë dhe në nomenklaturë (sistem), për produkte farmaceutike nuk ka specifikime për llojet e medikamentit sipas karakteristikave apo principit aktiv,” – thuhet në përgjigjen e Doganës së Shqipërisë.

Ndërsa nga organizata e fact-checking në Shqipëri, Faktoje.al, kanë thënë se vetëm gjatë 2024-s Faktoje ka publikuar rreth 130 shkrime fakt-verifikues.

“Ato lidhen me verifikime të deklaratave apo premtimeve që lidhen me shëndetin nga zyrtarë shqiptarë, me publikime në rrjetet sociale për çështje të shëndetit, nga keqinformimi online në lidhje me Covid-19, vaksinat, lëndët kimike, skemat mashtruese për përdorimin e suplementeve që premtojnë mrekulli, këshilla të pabazuara për përdorimin e vajgurit për shërimin e kancerit, teoritë konspirative për shëndetin, për linë e majmunit, 5G, etj.,” – ka thënë Aimona Vogli, menaxhere editoriale në Faktoje.al.

Suplementet, apo siç njihen ndryshe shtesa ushqimore, po promovohen në këto rrjete sociale si ilaçe për shërim.

Në këtë skemë mashtrimi, qytetarët janë viktimat kryesore.

Ata bien pre e propagandave në rrjetet sociale, duke blerë produkte të pakontrolluara që u premtojnë zgjidhje të shpejta për probleme shëndetësore komplekse.

Këto produkte mbërrijnë përmes postës private, e që të tilla ka plot si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, pa kurrëfarë verifikimi të përmbajtjes apo efektivitetit të tyre.

Pra qytetarët as që takohen me shitësin apo tregtarin e këtyre produkteve.

Në Kosovë, këto suplemente kontrollohen nga Inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, vetëm në aspektin e sigurisë, pasi që ky institucion nuk ka inspektor sanitar.

“Shtojcat ushqimore i nënshtrohen kontrollit pothuajse të njëjtë sikurse produktet ushqimore. Çdo ngarkesë që vjen në import, po flasim për importe të rregullta, kontrollohet nga inspektori kompetent, sepse, varësisht nga origjina apo përbërja që ka një suplement, i nënshtrohet kontrollit kompetent të inspektorit. Pra, këto produkte kontrollohen vetëm në aspektin e sigurisë. E pastaj, pse, si i përdorin qytetarët, mënyra e përdorimit, apo si i tregtojnë, ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë. Nëse këto produkte i nënshtrohen kontrollit të AUV-it, dmth janë të sigurta për konsum, por në aspektet e tjera ne nuk kemi fuqi ndikimi që dikë ta ndalojmë të blejë një produkt. Që nga viti i kaluar, është bërë transferimi i inspektorëve sanitarë në Ministrinë e Shëndetësisë. Në momentin që një produkt reklamohet se ka veti shëruese për sëmundje të caktuara, ai hyn në kategorinë e barnave, të cilat kontrollohen nga MSH-ja”, – kanë thënë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV ka shtuar se, po të kishte buxhet në sektorin e komunikimit dhe informimit, do të kishte mundësi të bënte ndonjë kampanjë për të informuar publikun rreth kësaj çështjeje.

“Suplementet duhet të shihen ashtu siç edhe janë, pra si shtojca ushqimore dhe asgjë më shumë, dhe duhet t’u besohet vetëm atyre produkteve që shiten në treg zyrtar dhe që shiten me kupon fiskal, sepse në momentin që këto të dhëna nuk i ka një qytetar, edhe ne pastaj e kemi të pamundur gjurmueshmërinë e atyre produkteve”, – thonë nga AUV-i.

Mjekët në Kosovë e Shqipëri bëjnë apel te qytetarët që të mos bien pre e këtyre dezinformatave, ndërsa shteti nuk është duke ndërmarrë diçka konkrete.

Me dhjetëra produkte, përmbajtja e të cilave shpesh nuk dihet, reklamohen për shërim të diabetit.

Sëmundja e diabetit është në mesin e sëmundjeve komplekse trajtimi i së cilës duhet të kryhet vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe këshillave të tij. Barërat që duhet të përdoren për këtë sëmundje, duhet të merren vetëm me recetën e mjekut.

Ndërsa, edhe dieta ushqimore duhet të jetë e këshilluar nga mjekët. Kjo këshillë bie në vazhdimësi ndesh me propagandat e rreme, të cilat në internet promovojnë shërimin e sëmundjes, pa këshillat e mjekëve.

Bardhyl Gashi, mjek endokrinolog në QKUK, ka në trajtim pacientë, të cilët nga interneti kanë rënë pre e reklamave, të cilat promovojnë rrejshëm ‘çajëra që shërojnë diabetin’.

“Ne gjithmonë i këshillojmë pacientët dhe i rekomandojmë ata që kurrë të mos blejnë barna pa përshkrimin tonë, pa përshkrimin e mjekëve. Është e vërtetë që në internet po shesin çdo suplement, ilaç, kështu që unë ju kisha thënë që kurrë mos t’i blejnë ato pa këshillën e mjekut. Gjithçka ndodh në treg. Një pacient që ka qenë me një terapi perorale edhe rastësisht lexon në internet nëpërmjet shoqërisë edhe i merr disa barna, disa çajna prej jashtit edhe pacienti ka qenë mirë. Pas një muaji, thotë ‘më është çrregulluar sheqeri’, e pyeta çka bëre, thotë që ‘më dhanë do barna, do çajna online, m’i ka blerë një shok i imi e si i piva ato, u hallakata’. Ne ia ndërpremë atij ato çajna, vazhduam me terapinë këtu që e kishte marrë dhe pacientit iu rregullua sheqeri”, – ka thënë endokrinologu Bardhyl Gashi.

Suplemente të shumta që në përmbajtje kanë vitamina dhe minerale, reklamohen në internet edhe si shëruese të sëmundjes së kancerit, që onkologu Ilir Kurtishi ka apeluar te qytetarët që të mos kombinojnë asgjë me barna që janë duke i marrë, pasi, sipas tij, efekti mund të jetë i dëmshëm.

“Këto receta në internet nuk duhet të merren, sepse nëse nuk ka ndonjë dëm, atëherë s’ka asnjë efekt, ose mund të ketë efekt – ne i themi ‘efekt psikologjik’, që nuk ka ndonjë impakt. Por, nëse këto receta, suplemente, merren gjatë trajtimit onkologjik, mund të kenë efekte të dëmshme në kuptimin e zvogëlimit të efektit të barnave që përdoren gjatë trajtimit të sëmundjes”, – ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK.

Edhe sëmundjet e nyjeve pretendohet se shërohen me vetëm një krem, sipas këtyre faqeve të internetit.

Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu, ka këshilluar pacientët që kanë probleme të kësaj natyre të konsultohen me mjekun dhe jo të marrin kremra kokë më vete.

“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje – sidomos koha është shumë e rëndësishme, duhet të konsultojë doktorin. Jo vetëm që është e dëmshme, por edhe shitja e këtyre barnave është jashtëligjshme. Me marrë recetë, me marrë bar pa përshkrim – andaj të gjitha këto janë jo legjitime, jo etike. Si epilog, çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat”, – ka thënë Kryeziu.

E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë shkurt se deri më tani Inspektorati Farmaceutik ka hetuar disa raste lidhur me marketingun e barnave online apo marketingun fizik.

“Për këto raste, Inspektorati Farmaceutik ka ndaluar këto aktivitete dhe, si rrjedhojë, rastet i janë përcjellë AKPPM-së për marrjen e masave të tjera ligjore ndaj përfaqësive”, – thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.


Ky artikull është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Fuqizimi i lajmeve cilësore dhe gazetarise se pavarur në Ballkanin perëndimor dhe Turqi II”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top