Sot një ditë pas festimeve të Pavarësisë, Shqipëria përkujton 81-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë. Ashtu si çdo vit, figurat më të larta të shtetit pritet të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për liri. Urime dhe përshëndetje të shumta marrim nga vendet të ndryshme të botës. Urimet më të veçanta janë edhe ato të diasporës shqiptare, ku përmes video mesazheve të shumta urojnë dhe dëshirojnë më të mirat për Shqipërinë, për atdheun.
Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste më 29 nëntor 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e ushtrisë gjermane.
Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë territorin shqiptar.
Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta partizane, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan drejtpërdrejt nga Ushtria e Kuqe.
29 Nëntori mbetet një ditë e rrallë, një ditë plot ngjyra.
Gëzuar ditën e Çlirimit!
