Spanja priti përfaqësues nga vende europiane dhe arabe në një takim të “Grupit të Madridit” për të diskutuar mënyrat se si mund të ushtrohet presion ndaj Izraelit që të ndalë luftën në Rripin e Gazës. Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, deklaroi të dielën se Spanja ka bërë thirrje për një embargo armësh kundër qeverisë izraelite për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Ai gjithashtu sugjeroi se mund të vendosen sanksione të synuara ndaj individëve “që pengojnë zgjidhjen me dy shtete”.
“Duhet të biem të gjithë dakord për një embargo të përbashkët armësh,” u tha Albares gazetarëve në fillim të takimit ministror të Grupit të Madridit në kryeqytetin spanjoll. Ai tha se ky takim synonte të ndalte luftën “çnjerëzore” dhe “të pakuptimtë” të Izraelit në enklavën palestineze. “Gjëja e fundit që i nevojitet Lindjes së Mesme tani janë armët,” shtoi ai.
Çfarë tjetër tha diplomati i lartë spanjoll?
Albares tha gjithashtu se Spanja do të propozojë pezullimin e menjëhershëm të marrëveshjes tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Izraelit, të cilën Brukseli aktualisht është duke e rishikuar. Spanja, një nga kritikët më të ashpër të Izraelit brenda BE-së, zemëroi Benjamin Netanyahun vitin e kaluar kur njohu zyrtarisht Palestinën si shtet. Irlanda, Sllovenia dhe Norvegjia gjithashtu e njohën Palestinën në vitin 2024.
“Asgjë nga ato që po diskutohen këtu nuk është e drejtuar kundër Shtetit të Izraelit,” këmbënguli Albares, por shtoi se “populli palestinez ka të njëjtën të drejtë për paqe dhe siguri si populli izraelit.”
Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit po rritet
Takimi në Madrid vjen në një kohë kur disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit i janë bashkuar thirrjeve ndërkombëtare që ai të ndalë ofensivën ushtarake kundër Hamasit, grupit islamik palestinez që sundon de facto Gazën, dhe që kreu një sulm në jug të Izraelit në tetor 2023, i cili shkaktoi fillimin e luftës së tanishme.
Ai sulm terrorist vrau 1,218 persona, kryesisht civilë, ndërsa militantët palestinezë morën peng 251 vetë. Ushtria izraelite thotë se 57 pengje janë ende në Gaza, përfshirë 34 për të cilët besohet se kanë vdekur.
Si kundërpërgjigje, ofensiva izraelite ka vrarë afro 54,000 persona në Rripin e Gazës, shumica civilë, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Më shumë se 122,000 persona janë plagosur dhe shumica e ndërtesave dhe infrastrukturës në enklavë janë shkatërruar.
Pas dështimit të armëpushimit në fillim të marsit, Izraeli vendosi një bllokadë të ashpër ndaj enklavës së rrethuar, duke bllokuar furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, duke përkeqësuar krizën humanitare dhe duke shkaktuar frikë për një urie masive që po afrohet.
Javën e kaluar, Izraeli tha se do të lejojë “një sasi bazë” furnizimesh ushqimore të hyjnë në Gaza, por organizatat humanitare dhe OKB kanë deklaruar se kjo ndihmë është shumë e pamjaftueshme për të përballuar krizën.
“Heshtja në këto momente është bashkëpunim në këtë masakër… ndaj jemi mbledhur sot,” tha Albares.
Ministra dhe përfaqësues të lartë nga vende dhe organizata europiane — përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Italinë — si dhe nga bota arabe, morën pjesë në takim. Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Brazili dhe Turqia.
Franca dhe Arabia Saudite do të drejtojnë një konferencë të OKB-së muajin e ardhshëm mbi këtë konflikt.