Mira Murati

Startup-i i ri i Mira Muratit rekruton 20 studiues nga OpenAI

Ish-shefja e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati, ka themeluar një startup të ri të inteligjencës artificiale të quajtur Thinking Machines Lab, me një ekip prej rreth 30 studiuesish dhe inxhinierësh nga kompani rivale si OpenAI, Meta dhe Mistral.

Ky startup i ri synon të krijojë sisteme të inteligjencës artificiale që pasqyrojnë vlerat njerëzore dhe që mund të përdoren në një gamë më të gjerë aplikacionesh sesa konkurrentët, sipas një njoftimi në blogun e kompanisë. Murati, e cila ka qenë një nga drejtueset kryesore të OpenAI për vite me radhë, ka arritur të tërheqë disa nga studiuesit më të mirë nga ish-punëdhënësi i saj.

Rreth dy të tretat e ekipit të saj janë ish-punonjës të OpenAI, përfshirë Barret Zoph, një studiues i njohur që u largua nga OpenAI në të njëjtën ditë me Muratin, në fund të shtatorit. Ai do të mbajë postin e shefit të teknologjisë në Thinking Machines Lab.

Një tjetër figurë e rëndësishme në startup është John Schulman, një nga bashkëthemeluesit e OpenAI, i cili tani është krye-shkencëtari i kompanisë së re. Schulman ishte larguar nga OpenAI në gusht për t’iu bashkuar rivalit Anthropic, duke thënë se dëshironte të përqendrohej në “përafrimin e AI me vlerat njerëzore” – një proces që synon ta bëjë inteligjencën artificiale më të sigurt dhe më të besueshme. Ky është gjithashtu një nga objektivat kryesore të startup-it të Muratit.

Sipas burimeve të Reuters, priten edhe më shumë largime nga OpenAI drejt Thinking Machines Lab, megjithëse informacionet mbeten konfidenciale.

Kompania është gjithashtu në bisedime për të siguruar financime nga investitorë të kapitalit sipërmarrës, sipas raportimeve të mëparshme të Reuters.

Murati – e cila tani do të drejtojë Thinking Machines Lab si CEO – është një nga disa ish-drejtues të OpenAI që kanë themeluar startup-e të reja në fushën e inteligjencës artificiale. Dy kompani të tjera, Anthropic dhe Safe Superintelligence, gjithashtu kanë tërhequr ish-studiues të OpenAI dhe kanë siguruar miliarda dollarë financime.

Thinking Machines Lab thotë se qasja e saj dallon nga konkurrentët sepse zhvillimi i teknologjisë bëhet në bashkëpunim të ngushtë mes ekipeve të kërkimit dhe atyre të produkteve. Gjithashtu, startup-i ka premtuar se do të kontribuojë në transparencën e AI, duke ndarë me publikun kodin, bazat e të dhënave dhe specifikimet e modeleve të tij.

“Ndërsa sistemet aktuale të AI janë të shkëlqyera në programim dhe matematikë, ne po ndërtojmë AI që mund të përshtatet me të gjitha aspektet e ekspertizës njerëzore dhe të përdoret në një gamë më të gjerë aplikacionesh,” tha kompania.

Murati iu bashkua OpenAI në qershor të vitit 2018, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e ChatGPT dhe duke u bërë një nga figurat kryesore të kompanisë, shpesh duke dalë në publik përkrah CEO-së Sam Altman.

Dorëheqja e saj e papritur ishte një nga disa largime të rëndësishme që ndodhën në OpenAI në mes të ndryshimeve në strukturën e qeverisjes së kompanisë.

Para se të punonte në OpenAI, Murati ka qenë e angazhuar në startup-in e realitetit të shtuar Leap Motion dhe ka punuar gjithashtu në Tesla.

Reuters

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top