Ermal Meta, artisti me origjinë shqiptare që jeton dhe performon prej vitesh në Itali, rikthehet në Festivalin e Sanremos 2026 me këngën “Stella Stellina”. Kjo krijim i ndjerë është një melodi që ngjason me një ninullë moderne dhe është frymëzuar nga fëmijët e prekur nga lufta, sidomos nga një vajzë palestineze nga Gaza.
“Bijë e askujt, melodi e një kënge, ajo e njerëzve që të kanë dashur shumë,” – shkruan Meta për vajzën që frymëzon këngën. Protagonistja e “Stella Stellina” është një vajzë pa emër – por ndoshta me të gjithë emrat: Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind. “Kujt i intereson, ndoshta asgjë, ndoshta gjithçka. Bija të askujt, bija të të gjithëve,” – shton ai në rrjetet sociale, duke e kthyer historinë e saj në një simbol universal të pafajësisë së fëmijëve që humbasin gjithçka.
Një detaj prekës i performancës së tij ishte emri ‘Amal’ i qëndisur në jakën e këmishës, një simbol i fëmijëve të pafajshëm të prekur nga konflikti në Gaza. Në tekstin e këngës, Meta përshkruan dhimbjen dhe frikën e një prindi: “Çfarë ndodh brenda një burri që gërmon nëpër rrënoja? Çfarë i tregon më pas vajzës së tij? I sjell një kukull dhuratë. Dhe s’mund të bëjë tjetër veçse të lutet që ai fat të mos e prekë kurrë atë.”
Përtej skenës muzikore, “Stella Stellina” është edhe një libër i shkruar nga Meta, i shoqëruar me ilustrimet e Michele Bernardi. “E shkrova këtë histori të vogël me një frymë dhe nuk mund ta quaja ndryshe veçse ‘Stella Stellina’. Ilustrimet i kanë dhënë jetë imazheve të fuqishme. Doja të bëja diçka më shumë dhe kështu lindi një projekt i vogël për të cilin kam shumë për zemër,” – rrëfen artisti.
Të gjitha të drejtat e autorit të librit do t’i dhurohen organizatës Save the Children, e cila prej më shumë se një shekulli punon për të mbrojtur fëmijët në rrezik. “Është pak, e di, një pikë, por nga pikat bëhet deti. Blijeni, dhurojeni. Do të bëni një vepër të mirë,” apelon Meta.
“Stella Stellina” është një këngë, një libër dhe një thirrje për dashuri dhe kujdes për fëmijët që jetojnë në kushte të rrezikshme. Një mesazh që përfton universalisht: çdo fëmijë – me emër apo pa emër – meriton të jetë i mbrojtur dhe i dashur.
