Evropa Perëndimore po përballet me mot ekstrem, me reshje të dendura bore dhe akull., ndërsa stuhia e parë e emëruar e vitit, Goretti, ka goditur bregdetin Atlantik dhe po përparon në drejtim të brendësisë së kontinentit, duke shkaktuar kaos në transport dhe në jetën e përditshme.
Qindra fluturime janë anuluar, shërbimet hekurudhore janë ndërprerë dhe shumë rrugë janë bllokuar. Reshje të dendura bore kanë mbuluar rajonin e Parisit që në orët e para të mëngjesit, ndërsa jugu i Britanisë pritet të preket më fort në ditët në vijim.
Paralajmërime për mot ekstrem janë shpallur në pjesë të mëdha të Francës dhe Britanisë. Agjencia franceze e motit Meteo France njoftoi se reshjet e borës do të shtrihen në të gjithë gjysmën veriore të vendit, ndërsa Zyra Meteorologjike britanike tha se paralajmërimet për akull do të mbeten në Skoci, por do të hiqen më vonë gjatë ditës në shumicën e Anglisë dhe Uellsit.
Në Paris, shërbimi i autobusëve është pezulluar, pikërisht në ditën e parë të uljeve të Vitit të Ri, ndërsa reshjet më të dendura se zakonisht kanë sjellë probleme serioze në lëvizje gjatë gjithë javës.
Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, kompania ajrore KLM anuloi rreth 600 fluturime sot, dita e gjashtë radhazi e ndërprerjeve në një nga aeroportet më të ngarkuara të Evropës. KLM paralajmëroi se po përballet me mungesë të lëngut për shkrirjen e akullit të avionëve për shkak të vonesave në furnizime. Partneri i saj, Air France, tha se nuk kishte raportime për mungesa të tilla në Francë.
Autoritetet franceze të aviacionit u kërkuan linjave ajrore të reduktonin 40% të fluturimeve në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle dhe 25% në Orly.
Edhe në Bruksel u anuluan disa fluturime, ndërsa shkrirja e akullit në pista dhe në avionë po shkakton vonesa të mëtejshme.
Autoritetet në Holandë u bënë thirrje qytetarëve të punonin nga shtëpia nëse ishte e mundur, ndërsa në Francë u ndalua qarkullimi i kamionëve dhe autobusëve shkollorë në rreth një të tretën e departamenteve administrative, kryesisht në veri të vendit.
Kompania Carrefour paralajmëroi se ndalimi i kamionëve mund të sjellë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, veçanërisht për produktet e freskëta.
