Një çift i ri kanadez ka arritur të ndërtojë një pasuri neto prej mbi 1 milion dollarësh, pa pasur asnjëherë paga të larta. Sekreti i tyre? Investime të zgjuara, kursim i kujdesshëm dhe shumë punë.
Historia e Sebastian dhe Julia Marquez është pjesë e serisë “Millennial Money” të CNBC Make It, që tregon mënyrën se si të rinjtë në mbarë botën fitojnë, kursejnë dhe investojnë paratë e tyre.
Sebastian ishte vetëm 16 vjeç kur bleu shtëpinë e tij të parë në qytetin Hanover, Ontario. Shtëpi e vogël dhe e rrënuar, ai bleu me ndihmën e nënës. Ndërsa bashkëmoshatarët e tij ëndërronin makinën e parë, ai vendosi të investojë kursimet e veta, rreth 8,000 dollarë, në një pasuri të paluajtshme.
“Fillimisht doja të blija një makinë,” kujton ai. “Por, mamaja më tha se më mirë t’i hidhja paratë në një shtëpi për ta rinovuar dhe shitur.”
Në vitin 2013, me ndihmën e nënës që shtoi fondet për paradhënien dhe për riparimet, ai bleu shtëpinë për 48,800 dollarë. Duke ndjekur video në YouTube, mësoi të vendoste dysheme, të instalonte tualetin dhe të rinovonte pjesën më të madhe vetë. Pas vetëm gjashtë muajsh, shtëpia u shit për 82,200 dollarë, duke i sjellë fitimin e parë të ndjeshëm.
Pas këtij suksesi, Sebastian “u infektua” nga pasioni për blerje dhe rishitje shtëpish. Nga viti 2013 deri në 2022, ai bleu dhe shiti nëntë prona, duke përfituar gjithsej rreth 343,700 dollarë. Gjatë kësaj periudhe, ai punonte me orar të plotë në Walmart dhe ndiqte studimet në kolegj.
“Walmart-i më ka parë të rritem në çdo fazë,” thotë ai me humor. “Shpesh i them gruas time që Walmart-i gjithmonë vinte i pari.”
Sebastian punoi për gati 13 vite në kompani, duke filluar me një pagë minimale prej 7.62 dollarë në orë, derisa arriti në pozitën e menaxherit me një pagë vjetore prej 43,000 dollarësh. Në vitin 2022, ai u transferua në Londër, Ontario, për të menaxhuar një dyqan më të madh dhe më vonë zgjodhi një punë më të qëndrueshme si këshilltar biznesi në një bankë lokale.
Sot, çifti zotëron dy prona: shtëpinë ku jetojnë dhe një pronë me dy njësi që e japin me qera. Të ardhurat e tyre vjetore për 2025 parashikohen rreth 136,500 dollarë, nga puna e Sebastian si këshilltar biznesi (57,500 $), paga e Julias si infermiere (64,500 $) dhe qeraja e pronës (14,500 $).
Asnjëri prej tyre nuk ka fituar ndonjëherë mbi 100,000 dollarë në vit, por pasuria e tyre prej 1 milion dollarësh është ndërtuar falë kursimit të kujdesshëm, investimeve në pasuri të paluajtshme dhe kriptomonedha.
Sebastian thotë se pasioni i tij për financat filloi herët:Kam planifikuar çdo qindarkë që fitonim. Nuk është fjala për sa fiton, por për çfarë bën me ato para.”
