Raporti i nxënësve për një mësues është një ndër treguesit më të rëndësishëm që mat cilësinë e procesit arsimor. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më shumë mundësi ka mësuesi të fokusohet tek nevojat individuale të çdo nxënësi, të ndjekë ecurinë e tyre dhe të ofrojë ndihmë më të personalizuar.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT për vitin e fundit të raportimit, atë 2023–2024, në nivel kombëtar, shkollat private kanë pothuajse të njëjtin raport nxënës për mësues si shkollat publike. Megjithatë, nëse shihen të dhënat sipas qarqeve, shfaqen dallime të dukshme, që tregojnë një realitet shumë më të ndërlikuar.
Në Tiranë dhe Durrës, ku përqendrimi i shkollave private është më i madh dhe konkurrenca më e fortë, këto institucione arsimore arrijnë të ofrojnë klasa më të vogla. Në nivelin fillor, një mësues në një shkollë private në Tiranë ka mesatarisht 13,8 nxënës, ndërsa në një shkollë publike 20,8.
Në Durrës raporti është përkatësisht 15,3 në privat dhe 19,9 në publik. Këto diferenca nënkuptojnë se prindërit që zgjedhin arsimin privat në kryeqytet po paguajnë, ndër të tjera, edhe për më shumë vëmendje ndaj fëmijëve të tyre dhe një mjedis mësimor më të personalizuar.
Por në qarqe të tjera të vendit, situata është e përmbysur. Në Gjirokastër, për shembull, në arsimin fillor, një mësues në shkollat private mbulon mesatarisht 25,6 nxënës, ndërsa në shkollat publike vetëm 10,1. Po ashtu, në Berat, raporti në privat është 23,7 kundrejt 11,5 në publik. Edhe pse në Korçë dhe Lezhë diferencat janë më të moderuara, tendenca e përgjithshme mbetet e njëjtë: në zonat më të vogla, shkollat private kanë më shumë nxënës për mësues sesa publiket.
Këto kontraste ngrenë pyetje mbi mënyrën si shpërndahen burimet njerëzore dhe si menaxhohen institucionet arsimore në nivel lokal. Ndërsa në qytetet e mëdha shkollat private synojnë të ruajnë standarde të larta përmes klasave të vogla, në qarqe më periferike, ato shpesh operojnë me më pak staf, çka ndikon në cilësinë e mësimdhënies. Raporti nxënës–mësues nuk është vetëm një shifër statistikore; ai reflekton mundësitë reale për arsim cilësor, barazi në arsim dhe efikasitetin e politikave arsimore që synojnë të garantojnë kushte të barabarta për çdo fëmijë, pavarësisht vendndodhjes apo tipit të shkollës që frekuentojnë.

 
			 
                             
	 
	 
	