te jesh vetvetja

Të jesh vetvetja në punë, jo gjithmonë është ide e mirë

Shprehja “ji vetvetja në punë” është bërë e zakonshme në shumë ambiente profesionale moderne, por sipas psikologut të njohur Tomas Chamorro-Premuzic, kjo mund të jetë një këshillë e gabuar.

Kur autenticiteti kthehet në pengesë

Sipas tij njerëzit janë më të lumtur kur ndihen të lirë të tregojnë më shumë dimensione të vetes, por kjo nuk do të thotë se duhet të jenë plotësisht “vetvetja” në çdo moment.

Sipas tij, autenticiteti në punë shpesh është i kufizuar vetëm në ato qëndrime dhe sjellje që përputhen me kulturën e kompanisë. Ata që ndajnë mendime ose sjellje ndryshe nga norma mund të rrezikojnë reputacionin apo marrëdhëniet me kolegët.“Në teori, autenticiteti lavdërohet, por në praktikë, ajo që shpërblehet është përshtatja,” shkruan ai.

Këshilla për të “qenë vetvetja” mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për profesionistët e rinj, të cilët ende nuk njohin mirë rregullat e sjelljes në vendin e punës. “Në një intervistë pune, nëse sillni ‘tërë veten tuaj’, gjasat janë që të mos merrni atë punë,” paralajmëron eksperti.

Pse nuk funksionon gjithmonë të jesh vetvetja

Në çdo zyrë, sjellje si humori i keq, mungesa e respektit apo dembelizmi, edhe pse “autentike”, mund të dëmtojnë karrierën. Po ashtu, një kulturë pune që e vlerëson autenticitetin mbi sjelljen etike rrezikon të krijojë hapësirë për abuzime nga drejtuesit.“Kur autenticiteti vihet përpara llogaridhënies, njerëzit me pushtet ndihen të justifikuar të sillen si të duan,” shton Chamorro-Premuzic.

Ai thekson se liderët më të mirë nuk janë ata që janë “thjesht vetvetja”, por ata që tregojnë vetëdije dhe respekt ndaj të tjerëve.

Në vend që të nxisim njerëzit të jenë gjithmonë vetvetja, psikologu propozon një qasje më të balancuar: të inkurajojmë sjellje të respektueshme dhe profesionale.“Nëse kalojmë më pak kohë duke u thënë njerëzve të jenë autentikë dhe më shumë duke i nxitur të jenë të sjellshëm, bota do të ishte një vend më i mirë,” përfundon ai.

cnbc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top