plakja e popullsisë

BERZH: Inteligjenca Artificiale s’mjafton për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore në Europë

Përhapja e inteligjencës artificiale nuk mjafton për të zbutur goditjen ekonomike që sjell plakja e popullsisë, paralajmëron një raport i ri i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Europa po plaket me ritme të shpejta dhe vullneti politik për t’u përballur me këtë realitet po tkurret, për shkak të asaj që studiuesit e quajnë “plakja e politikës”. Sipas BERZH-it, liderët më të moshuar dhe një trupë zgjedhore po aq e moshuar po e ngushtojnë hapësirën për reformat që kërkojnë kurajë dhe vendimmarrje afatgjatë.

Rënia e fuqisë punëtore dhe rreziku ekonomik

Në ekonomitë ku investon BERZH-i, tkurrja e popullsisë në moshë pune pritet të ulë rritjen vjetore të PBB-së për frymë me rreth 0.4 pikë përqindje në periudhën 2024–2050.

Kjo tendencë drejtohet nga normat në rënie të lindshmërisë dhe jetëgjatësia më e lartë, duke rritur presionin mbi financat publike dhe sistemet sociale.

“Mesazhi më i rëndësishëm është se duhet vepruar tani, përpara se trendet demografike të kufizojnë opsionet,” deklaron Beata Javorcik, kryeekonomiste e BERZH-it.

Teknologjia dhe IA: ndihmë, por jo zgjidhje magjike

Raporti vëren se masat për rritjen e lindshmërisë shpesh kanë efekt të kufizuar dhe jetëshkurtër. Edhe paketat më bujare kanë sjellë vetëm rritje të përkohshme të lindjeve, të cilat zhduken sapo përfundojnë benefitet mbështetëse.

Sa i përket adoptimit të teknologjive të reja, veçanërisht inteligjencës artificiale, BERZH thekson se ato rrisin produktivitetin, por nuk mund të kompensojnë plotësisht mungesën e fuqisë punëtore.

IA pritet të rrisë produktivitetin në disa profesione, ndërsa në të tjera mund të zëvendësojë punëtorët. Problemi për vendet e rajonit është se një pjesë më e vogël e fuqisë punëtore punon në sektorë ku përfitimet nga IA janë më të larta, krahasuar me Evropën e avancuar.

Ndër masat më të forta për t’u përballur me plakjen, sipas BERZH-it, është rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës sidomos për grupmoshat e mëdha. Zgjatja e jetës së punës e mban ekonominë funksionale dhe ul barrën mbi buxhetet publike.

Vendet e rajonit kanë filluar të rrisin moshën zyrtare të pensionit (nga 55 deri në 67 vjeç), por mosha efektive e daljes në pension shpesh mbetet më e ulët. Kjo nënkupton se rritja e pragut zyrtar nuk mjafton nëse politikat lejojnë pensionimin e hershëm.

Megjithatë, kjo temë mbetet shumë e ndjeshme politikisht. Ligjvënësit, shpesh vetë të moshuar , ngurrojnë të ndërmarrin reforma që prekin elektoratin e tyre më besnik, moshat mbi 50 vjeç.

Plakja e politikës çon edhe në politika më restriktive të migracionit, vëren BERZH-i. Edhe pse emigrantët mund të rrisin shpenzimet e sistemit social në afat të shkurtër, ndikimi i tyre në tregun e punës është thelbësor për vendet me popullsi në rënie ,sidomos kur bëhet fjalë për të rinj dhe punëtorë të kualifikuar.

Në vendet ku operon BERZH-i, emigracioni është mbi mesataren globale, ndërsa migracioni mbetet i ulët. Vetëm 6.4% e popullsisë në vitin 2020 ishte e lindur jashtë, kundrejt 20% në ekonomitë e zhvilluara.

Të rinjtë janë zakonisht më të hapur ndaj migracionit, por mungesa e përfaqësimit politik i bën zërat e tyre më të dobët.
Raporti përfundon se për të balancuar këtë realitet nevojiten jo vetëm reforma të guximshme, por edhe mobilizimi i brezit të ri si forcë vendimmarrëse.

euronews.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top