Tirana mes 10 qyteteve më të shtrenjta në Europë

Nga 128 qytete europiane, Tirana kryeson në dhjetë vendet e para për koston e lartë të banesave. Përllogaritja mes të ardhurave për frymë dhe çmimit të pasurive të paluajtshme nga Numbeo, e vendos Tiranën në vendin e 9-të më të shtrenjtë, duke lënë pas qytetet më me emër në Europë, si Vjena, Milano, Roma, Athina etj.

Treguesi prej 16.2 pikë e rendit atë pas Parisit të Francës dhe Kazanit të Rusisë.

Qyteti më i shtrenjtë në Europë, për sa i përket kostos së blerjes së një apartamenti është Lisbona, me një tregues mbi 21 pikë.

Çmimi i apartamenteve në Tiranë është rritur me shpëjtësi vitet e fundit, veçanërisht pas pandemisë. Sipas agjentëve imobiliarë në zona të të caktuara në kryeqytet çmimi është rritur mes 20-40 % vitin e kaluar.

Kjo rritje çmimi, vjen përkrah bumit të ndërtimeve të realizuara këto vite. Një artikull investigativ i vitit 2024 nga gazetarja Ola Xama, nxirrte në pah, (bazuar edhe në kontratat e energjisë në kryeqytet, rrjedhimisht apartamentet e banuara) se mbi 52 mijë apartamente në kryeqytet janë bosh në pritje të një klienti të ri. Ritmet e shpejta të ndërtimeve kanë vijuar edhe vitin e kaluar, çka pritet ta ketë rritur më tej fondin e banesave ende të pashitura.

Sipërmarrës në fushën e ndërtimit, thonë se krahas rritjes së çmimit të lëndëve të para, faktor shtesë për çmimin e lartë janë edhe taksat dhe çmimet referencë të vendosura nga qeveria. Ndërkohë, ka shumë agjentë imobiliarë që pranojnë se çmimet janë shpesh abusive, pasi vetëm në një kalim të pronës, çmimi i saj rritet 20-40%, edhe nëse ky transaksion bëhet shpejt pas blerjes së parë.

 

nombeo

 

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top