Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) zhvilloi Edicionin e II-të të konkursit kombëtar “Transport, Inovacion dhe Siguri” (TIS 2025), një iniciativë që po shndërrohet në një nga platformat më të rëndësishme në vend për promovimin e ideve të reja, teknologjisë dhe kulturës së sigurisë rrugore.
Këtë vit, konkursi erdhi me një format të ri dhe më dinamik, të konceptuar si një “Laborator Inovacioni”, ku të rinj nga shkolla profesionale dhe universitete të ndryshme prezantuan projekte teknologjike dhe zgjidhje praktike për sfidat aktuale të transportit. Qasja e re synon të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe bashkëpunimin ndërmjet gjeneratës së re të profesionistëve.
Në përfundim të prezantimeve, juria vlerësoi idetë më të spikatura, duke shpallur fituesit e këtij edicioni:
-
Vendi i Parë – “Kaska ALBTech”
Laert Ferracaku – Shkolla Profesionale “Hasan D. Gina”, Lushnje
Projekt inovativ i fokusuar në rritjen e sigurisë së motoçiklistëve përmes teknologjisë së avancuar.

-
Vendi i Dytë – “LookUp”
Xhurian Shaba – Universiteti Politeknik i Tiranës
Zgjidhje inteligjente që synon të ulë shpërqendrimin gjatë drejtimit dhe të rrisë vëmendjen e përdoruesve të rrugës.

-
Vendi i Tretë – “Vijat Fosforeshente”
Adriana Danellari – Universiteti Politeknik i Tiranës
Projekt praktik për përmirësimin e dukshmërisë në infrastrukturën rrugore, veçanërisht gjatë orëve të natës.

Edicioni i këtij viti u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e gjerë dhe projekte me standard të lartë profesional, duke reflektuar potencialin e madh të të rinjve shqiptarë në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore. Atmosfera bashkëpunuese dhe fryma konkurruese pozitive treguan edhe një herë se investimi në inovacion është çelësi për një të ardhme më të sigurt dhe më efikase në rrugët shqiptare.
DPSHTRR vlerëson kontributin e të gjithë pjesëmarrësve dhe thekson se konkursi TIS do të vijojë të mbështesë talentet e reja dhe zhvillimin e ideve që i shërbejnë komunitetit dhe teknologjisë në transportin rrugor.
