Ky është vizioni i përbashkët i NASA dhe Nokia, të cilat kanë bashkuar forcat për të ngritur një rrjet celular në Hënë, duke hedhur bazat për një prani afatgjatë njerëzore në planetë të tjerë.
Një raketë e SpaceX pritet të lëshohet këtë vit (data e saktë ende nuk është konfirmuar), duke transportuar një rrjet të thjeshtë 4G drejt Hënës. Moduli do të vendosë sistemin në polin jugor të Hënës, ndërsa kontrolli i tij do të realizohet në distancë nga Toka.
Sipas Walt Engelund, administrator i asociuar për programet në Drejtorinë e Misioneve të Teknologjisë Hapësinore në NASA, sfida e parë është ndërtimi i pajisjeve celulare të certifikuara për hapësirë, që përmbushin kërkesat për madhësi, peshë dhe konsum energjie, si dhe që mund të instalohen pa praninë fizike të një tekniku. Një tjetër sfidë e madhe është funksionimi në kushtet ekstreme të Hënës, me temperatura të skajshme dhe rrezatim të lartë.
Njësia 4G po zhvillohet nga Bell Labs, duke përdorur komponentë komercialë standardë. Ajo do të vendoset në një modul uljeje të prodhuar nga kompania amerikane Intuitive Machines. Pasi të instalohet, rrjeti do të lidhë modulin me dy mjete lëvizëse, të cilat kanë një mision të veçantë: kërkimin e akullit në Hënë.
Njëri prej tyre, roveri i kompanisë Lunar Outpost, do të eksplorojë zonën e njohur si Shackleton Connecting Ridge. Tjetri, mjeti “Micro-Nova hopper”, do të zbresë brenda një krateri për të skanuar nga afër praninë e akullit hënor.
Transmetimi i imazheve të akullit, pothuajse në kohë reale, përmes rrjetit celular drejt modulit dhe më pas në Tokë, do të përbënte një arritje historike. Akulli në Hënë mund të përdoret për prodhimin e oksigjenit të frymëmarrjes dhe madje për krijimin e karburantit, i cili në të ardhmen mund të shërbejë për nisjen e misioneve drejt Marsit nga vetë Hëna.
Për programin Artemis program të NASA-s, që synon rikthimin e astronautëve në Hënë brenda kësaj dekade, lidhja celulare është thelbësore. Aktualisht, astronautët komunikojnë mes tyre përmes radios, por NASA kërkon një sistem komunikimi që të mbështesë video me rezolucion të lartë dhe transmetim të të dhënave shkencore, sidomos me avancimin e misioneve Artemis.
“Komunikimi në Hënë është po aq jetik për Artemis sa energjia, uji i pijshëm apo ajri për të marrë frymë,” thekson Engelund.
Në të ardhmen, ky projekt mund të çojë në krijimin e një rrjeti komunikimi hënor të ngjashëm me internetin tokësor. Pajisjet personale mund të lidhen me këto rrjete, duke u mundësuar kolonëve të ardhshëm të hapësirës të përdorin telefona inteligjentë dhe aplikacione, njësoj si në Tokë.
NASA përzgjodhi Bell Labs në kuadër të nismës “Tipping Point”, që synon partneritete me kompani private për zhvillimin e teknologjive të nevojshme për misionet e ardhshme, duke i pozicionuar ato në qendër të ekonomisë së ardhshme hapësinore. Bell Labs përfitoi një grant prej 14.1 milionë dollarësh në vitin 2020, ndërsa në janar Nokia u përzgjodh nga Agjencia Amerikane për Projekte Kërkimore të Avancuara të Mbrojtjes (DARPA) për të punuar mbi një infrastrukturë komunikimi që do të shërbejë si “kornizë për ekonominë hënore”.
Sipas Thierry Klein, president i Bell Labs Solutions Research, një ekonomi e ardhshme në Hënë do të varet në mënyrë kritike nga teknologjitë e komunikimit, për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, shkëmbimin e informacionit dhe menaxhimin e operacioneve.
Përfitimet e mundshme nuk kufizohen vetëm në hapësirë. Nëse një rrjet mund të përballojë udhëtimin në orbitë, vendosjen autonome dhe kushtet ekstreme të hapësirës, ai do të jetë i aftë të funksionojë edhe në zonat më të ashpra në Tokë, si rajonet polare, shkretëtirat apo platformat detare.
Sidomos për instalime të largëta industriale, sigurinë publike, reagimin emergjent, rikuperimin pas fatkeqësive apo sektorin e mbrojtjes, pajisjet kompakte dhe lehtësisht të transportueshme të rrjetit përbëjnë një avantazh të madh.
