Sipas një artikulli të fundit nga revista ndërkombëtare Travel and Tour World, Tirana po pozicionohet me shpejtësi si një nga destinacionet më interesante turistike të Ballkanit. Kryeqyteti shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me përzierjen e veçantë të historisë, kulturës, inovacionit dhe natyrës, duke u kthyer në një qendër që pasqyron zhvillimin e Shqipërisë moderne.
Revista thekson se Tirana ofron një shumëllojshmëri përvojash për çdo lloj udhëtari, nga peizazhet dhe monumentet historike te jeta moderne urbane e mbushur me energji. Me mbi 50 vende të trashëgimisë kulturore, qyteti i fton vizitorët të zbulojnë periudha të ndryshme historike, nga epoka osmane deri në periudhën komuniste.
Një nga atraksionet që përmendet në mënyrë të veçantë është Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, i cili pas rinovimeve të fundit është kthyer në një hapësirë të gjallë për aktivitete kulturore e sociale. Po aq tërheqëse janë edhe Kulla e Sahatit, Muzeu “Shtëpia e Gjetheve” dhe Bunk’Art 1 dhe 2, që u ofrojnë turistëve një udhëtim të thellë në historinë komuniste të vendit.
Një pjesë e rëndësishme e artikullit i kushtohet transformimit modern të Tiranës, me shembullin më domethënës – Piramidën e Tiranës. Dikur simbol i regjimit komunist, ajo është shndërruar në një qendër inovacioni, arti dhe teknologjie. “Piramida nuk është më thjesht një monument historik, por një hapësirë e gjallë krijimtarie”, shkruan Travel and Tour World, duke e përshkruar si një pikë takimi për vendas dhe turistë nga mbarë bota.
Përveç pasurisë historike e kulturore, revista vë në dukje edhe ofertat natyrore dhe kulinare të Tiranës. Peizazhet përreth qytetit ofrojnë mundësi për ecje, çiklizëm dhe aventura në natyrë, ndërsa Pazari i Ri mbetet një destinacion i veçantë për dashamirësit e ushqimit dhe jetës lokale.
Artikulli thekson gjithashtu rritjen e qëndrueshme të numrit të vizitorëve, falë eventeve ndërkombëtare që mbahen gjatë vitit, si Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Tiranës dhe Festivali i Xhazit, që e kthejnë kryeqytetin në një qendër kulturore rajonale.
Sipas Travel and Tour World, infrastruktura moderne dhe aeroporti “Nënë Tereza” po e bëjnë qytetin gjithnjë e më të aksesueshëm për turistët nga Evropa. Investimet e qeverisë shqiptare në hotele, transport dhe hapësira publike kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë së përvojës turistike dhe të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, revista ndërkombëtare vlerëson se e ardhmja e Tiranës është premtuese:
“Tirana kombinon historinë me modernitetin, kulturën me inovacionin dhe mikpritjen me energjinë e një qyteti që po rritet me ritme të shpejta. Ky qytet ka të gjitha potencialet për t’u bërë një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Ballkanit.”