Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajti një fjalim për Gjendjen e Unionit, duke shpallur se ka sjellë një “epokë të artë për Amerikën”, ndërsa sulmoi vazhdimisht demokratët në sallë dhe ua atribuoi atyre problemet e vendit.
Fjalimi erdhi në një moment delikat për presidentin, pasi sondazhet e fundit tregojnë rënie të mbështetjes publike dhe humbje të besimit të amerikanëve në menaxhimin e ekonomisë, një zhvillim që mund të ndikojë në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Megjithatë, Trump nuk dha asnjë sinjal për ndryshim kursi në politikat e tij të brendshme apo të jashtme.
Me një kohëzgjatje mbi 1 orë e 45 minuta, fjalimi ishte i mbushur me vetëvlerësime për arritjet e mandatit të tij të dytë, ndërsa propozimet e reja konkrete ishin të pakta. Reagimet nga kampi demokrat varionin nga heshtja dhe ironia, deri te thirrjet e hapura kundërshtuese.
1. Festimi i ekonomisë dhe mbrojtja e tarifave
Trump e përshkroi ekonominë amerikane si një histori suksesi, duke theksuar se tregjet financiare ndodhen në nivele rekord dhe se vendi ka përjetuar një “kthesë historike”.
Ai minimizoi shqetësimet e qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës dhe pagat, duke deklaruar se çmimet janë në rënie. Problemet ekzistuese, sipas tij, janë trashëgimi e administratës së mëparshme dhe e demokratëve në Kongres.
Presidenti promovoi projektligjin e tij të madh fiskal, të cilin e cilësoi si “të bukur dhe të madh”, duke përmendur lehtësimet tatimore për bakshishet, orët shtesë dhe zbritjet për të moshuarit. Ai foli gjithashtu për llogaritë e kursimit për fëmijët, të quajtura “Trump accounts”.
Në mbrojtje të politikës tregtare, Trump mbështeti tarifat doganore si instrument për të arritur “marrëveshje të mëdha për vendin”. Ai e quajti “zhgënjyes” vendimin e Gjykatës së Lartë që i shpalli të pavlefshme disa prej tyre, duke paralajmëruar se do të përdorë autoritete të tjera ligjore për t’i mbajtur në fuqi, edhe pse tarifat e përgjithshme të shpallura së fundmi kërkojnë miratim nga Kongresi pas një afati 150-ditor.
2. Retorikë e ashpër për emigracionin
Trump theksoi goditjen ndaj emigracionit të paligjshëm, duke deklaruar se ka vendosur “kufirin më të fortë në historinë amerikane” dhe ka ulur ndjeshëm hyrjet e paligjshme.
Në një pjesë të gjatë të fjalimit, ai përmendi raste krimesh të kryera nga persona që ndodheshin në SHBA në mënyrë të paligjshme, ndërsa në sallë ishin të pranishëm familjarë të viktimave.
Nga ana tjetër, disa ligjvënës demokratë reaguan me protesta. Deputetët Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib akuzuan presidentin me thirrje të drejtpërdrejta nga salla, ndërsa përfaqësuesja Norma Torres mbajti një pankartë me fotografi të dy qytetarëve amerikanë të vrarë nga agjentë federalë në Minneapolis.
Trump fajësoi demokratët edhe për bllokimin e financimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), duke kërkuar “rikthim të menjëhershëm dhe të plotë të fondeve”.
3. Përplasje të drejtpërdrejta me demokratët
Fjalimi nuk përmbante asnjë ton pajtues. Trump sulmoi drejtpërdrejt demokratët, duke i akuzuar për inflacionin, rritjen e kostove dhe politikat e kufijve të hapur.
Ai kritikoi ish-presidentin Joe Biden për menaxhimin e ekonomisë dhe ironizoi përdorimin e termit “përballueshmëri” nga demokratët. Në të njëjtën kohë, premtoi se republikanët do të mbrojnë programet sociale si Sigurimet Shoqërore, Medicare dhe Medicaid, ndonëse projektligji i tij parashikon shkurtime të ndjeshme në Medicaid.
Në një moment, Trump i quajti demokratët “të çmendur”, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u ngritën për ta duartrokitur.
Presidenti përmendi edhe ish-kryetaren e Dhomës, Nancy Pelosi, duke e akuzuar për përfitime personale nga posti publik. Ai bëri thirrje që Senati të miratojë aktin SAVE America për reformimin e ligjeve zgjedhore, ndërsa pretendoi se demokratët “fitojnë vetëm duke mashtruar”.
Një tjetër moment tensioni ndodhi kur përfaqësuesi Al Green u përjashtua nga salla pasi shfaqi një pankartë proteste. Ishte hera e dytë radhazi që ai largohej nga salla gjatë një fjalimi të Trump.
Në fund, presidenti bëri edhe një referencë për mandatin e tij, duke shtuar me ironi se “duhej të ishte në mandatin e tretë”, koment që u prit me të qeshura nga disa republikanë.
Fjalimi konfirmoi stilin konfrontues të Trump dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis në një klimë politike tashmë të polarizuar, ndërsa vendi po hyn në një fazë të rëndësishme zgjedhore.
