Siç mund ta dini tashmë, Bashkimi Europian ka forcuar ngadalë kontrollet e hyrjes për vizitorët e huaj në muajt e fundit.
Ky trend pritet të përshpejtohet nga viti 2025 e tutje, kur një politikë e re kufitare do të hyjë në fuqi, duke prekur të gjithë udhëtarët jashtë BE-së.
Kufizimi i madhësisë së artikujve të lëngshëm
Risija e parë ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori dhe ka të bëjë me kufirin e artikujve të lëngshëm, që mund të mbani në fluturim në BE: pasi premtuan se do ta heqin rregullin 100 ml, ata në fakt po e rikthejnë atë.
Heqja graduale paraqiti testimin e skanerëve më të sofistikuar C3 dhe ekzaminimin më të shpejtë e më efikas por, planet për të vazhduar kanë dështuar, pasi rregullorja më e fundit e lëshuar nga Komisioni Europian rivendos zyrtarisht kërkesën për kufirin për artikujt e lëngshëm.
Gjurmët e gishtave për të gjithë udhëtarët
Ndryshimi tjetër i madh, që vjen në aeroportet europiane më 10 nëntor është më domethënës: marrja e shenjave të gishtërinjve dhe regjistrimi i të gjithë turistëve jo-europianë, që mbërrijnë në kufijtë europianë do të jetë i detyrueshëm.
Kjo është pjesë e sistemit të ri të hyrje-daljeve të Bashkimit Europian (ESS), i cili synon të modernizojë kontrollin kufitar dhe kontrollin e pasagjerëve të rinj.
Të dhënat tuaja do të ruhen për tre vjet, kështu që ka të ngjarë, që nuk do t’ju duhet të jepni më gjurmë gishtash gjatë asaj periudhe.
Tarifa e hyrjes për të udhëtuar në Europë
E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishme, do t’ju duhet të ndaloni rezervimin e atyre fluturimeve për në Europë, të paktën derisa të keni marrë lejen për të fluturuar atje.
Megjithëse nuk është një vizë formale, pa të, nuk do të lejoheni më të hipni në fluturimet për në Europë nga mesi i vitit 2025.
Quhet ETIAS (ose Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit) dhe vlen për të gjithë shtetasit e huaj, që aktualisht mund të vizitojnë BE-në pa viza.
Pasi platforma ETIAS të funksionojë, do të mund të aplikoni online dhe shumica e aplikimeve do të përpunohen brenda disa sekondave ose minutave.
Do t’ju duhet të plotësoni një formular, t’u përgjigjeni disa pyetjeve dhe të paguani një tarifë prej 7 euro.
Pasi të miratohen ETIA-t tuaja, do të merrni një autorizim 3-vjeçar për të udhëtuar, të dorëzuar direkt në emailin tuaj.
Nëse pasaporta skadon më herët se ETIAS-i juaj aktual, atëherë do t’ju duhet të riaplikoni, pasi të keni lëshuar një dokument të ri udhëtimi. Megjithëse një ETIAS është i vlefshëm për 3 vjet, kjo nuk do të thotë, që ju duhet të qëndroni në Europë për 3 vjet.
Kjo ju lejon të udhëtoni një numër të pakufizuar në Zonën Shengen, për sa kohë që i përmbaheni rregullit 90-ditor gjatë çdo udhëtimi.