cmim

Tre shkencëtarë fitojnë Çmimin Nobel në Kimi për zhvillimin e materialeve që pastrojnë mjedisin

Çmimi Nobel në Kimi për vitin 2025 iu dha tre shkencëtarëve që zhvilluan materiale revolucionare me pore mikroskopike, të afta të thithin ujë nga ajri i shkretëtirës, të kapin dioksidin e karbonit nga impiantet industriale dhe të pastrojnë ujin nga substancat toksike.

Fituesit janë Susumu Kitagawa nga Universiteti i Kiotos, Richard Robson nga Universiteti i Melburnit, dhe Omar Yaghi nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley. Ata do të ndajnë shpërblimin prej 11 milionë korona suedeze (rreth 871 mijë paund), që u akordua nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

Tre studiuesit u vlerësuan për zhvillimin e strukturave metal-organike, të njohura ndryshe si MOFs (Metal-Organic Frameworks) — materiale me potencial të jashtëzakonshëm, të cilat janë cilësuar si materiali i shekullit XXI”.
Këto struktura formohen duke kombinuar jone metalike me molekula organike, duke krijuar rrjete me pore përmes të cilave mund të kalojnë lëngje dhe gaze. Deri më sot janë krijuar dhjetëra mijëra variante të MOF-ve që përdoren në fusha si ruajtja e hidrogjenit, heqja e ndotësve të përhershëm nga uji apo rikuperimi i metaleve të rralla nga mbetjet.

Janë materiale që ngjajnë me një hotel mikroskopik, ku molekulat hyjnë e dalin lirshëm në dhoma të padukshme,shpjegoi profesori Heiner Linke, kryetar i Komitetit të Nobelit për Kimi.
Një sasi shumë e vogël e këtij materiali mund të ruajë një sasi të madhe gazi pak a shumë si çanta magjike e Hermione-s në ‘Harry Potter.

Hapat e parë të kërkimit datojnë që në vitin 1989, kur kimisti britanik Richard Robson, pas studimeve në Oksford dhe Stanford, nisi punën në Australi. I frymëzuar nga struktura e diamantit, ai krijoi molekula në formë piramide që, kur lidhen bashkë, formojnë kristale me hapësira bosh. Megjithatë, materialet e para ishin të paqëndrueshme dhe shpesh shpërbëheshin.

Pikërisht në këtë pikë hyn në lojë Kitagawa dhe Yaghi, të cilët i dhanë stabilitet dhe përdorim praktik këtyre strukturave.
Kitagawa zbuloi se përdorimi i metaleve si kobalti, nikeli dhe zinku i bënte ato më të qëndrueshme dhe të përshtatshme për ruajtjen e gazeve si metani, azoti dhe oksigjeni. Ai më vonë demonstroi se MOF-et mund të përshtaten sipas nevojës, madje edhe të krijohen nga materiale fleksibël.

I kontaktuar nga komiteti i Nobelit, Kitagawa u shpreh se ishte thellësisht i nderuar dhe i lumtur për çmimin. Ai shtoi se ëndrra e tij është që këto materiale të përdoren për të nxjerrë elemente si karboni dhe oksigjeni nga ajri, për t’i shndërruar më pas në materiale të dobishme përmes energjisë së gjelbër.

Ndërsa Omar Yaghi, i lindur në Aman të Jordanisë, tregoi se pasioni i tij për kiminë nisi që në moshën 10-vjeçare, kur lexoi fshehurazi një libër nga biblioteka e shkollës. Ai u rrit me motrat dhe vëllezërit në një dhomë të vetme, pa ujë të rrjedhshëm apo energji elektrike.
Pas insistimit të të atit, ai shkoi për studime në SHBA, ku zhvilloi një qasje krejt të re në ndërtimin e molekulave si ndërtimi me copa Lego, duke krijuar struktura të sakta dhe të mëdha kristalore.
Në vitet 1990, ai prezantoi MOF-et e para të ngjashme me rrjeta të mbajtura bashkë nga bakri ose kobalti, ndërsa më vonë krijoi një MOF të jashtëzakonshëm me bazë zinku. Vetëm pak gramë të këtij materiali kishin një sipërfaqe sa një fushë futbolli, duke e bërë të aftë të thithte sasi të mëdha gazi.

Ekspertët e kanë quajtur këtë arritje një moment historik për shkencën.
Shumë kimistë e prisnin prej kohësh që MOF-et të fitonin çmimin Nobel  dhe më në fund ndodhi,- tha Dr. Becky Greenaway, kimiste në Imperial College London.
Sot ato përdoren jo vetëm për ruajtjen e gazeve dhe filtrimin e ujit, por edhe për dërgimin e barnave në trup, ndërsa kanë hapur rrugën për zhvillime të reja si lëngjet poroze, që premtojnë shumë për kapjen e karbonit dhe katalizën kimike.

theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top