Një seri trevjeçare e viteve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë po rrezikon të shkaktojë dëme të pakthyeshme për planetin, paralajmëron Organizata e Kombeve të Bashkuara, teksa vendet e botës përgatiten për Samitin e Klimës COP30 në Brazil.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), viti 2025 pritet të jetë i dyti ose i treti më i nxehtë që nga fillimi i matjeve 176 vjet më parë. Kjo do të thotë se 2023, 2024 dhe 2025 do të jenë tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, një dëshmi e qartë se bota tashmë ndodhet thellë në krizën klimatike.
Gjithashtu, periudha që nga viti 2015 do të përfshijë 11 vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë.
Organiza Botërore Meteorologjike vlerëson se kufizimi i ngrohjes globale në 1.5°C mbi nivelet para-industriale, siç parashikohet në Marrëveshjen e Parisit, është tashmë “thuajse i pamundur”. Ky vlerësim përputhet me deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe të Programit Mjedisor të OKB-së (UNEP), të cilët kanë paralajmëruar se objektivi është praktikisht i paarritshëm.“Seria e paprecedentë e temperaturave ekstreme, e kombinuar me rritjen rekord të gazeve serrë vitin e kaluar, tregon qartë se do të jetë pothuajse e pamundur të kufizohet ngrohja globale në 1.5°C në vitet e ardhshme pa e kaluar përkohësisht këtë prag,” tha Celeste Saulo, sekretare e përgjithshme e WMO-së.
Megjithatë, ajo shtoi se shkenca është po aq e qartë se është ende e mundur dhe jetike të rikthehen temperaturat nën këtë nivel deri në fund të shekullit, nëse arrihet heqja e dioksidit të karbonit nga atmosfera, përmes pyllëzimeve të reja dhe teknologjive që e kapin dhe e ruajnë CO₂-në nëntokë.“Çdo vit mbi 1.5°C do të godasë ekonomitë, do të thellojë pabarazitë dhe do të shkaktojë dëme të pakthyeshme,” paralajmëroi Guterres. “Duhet të veprojmë tani, me shpejtësi dhe në shkallë të gjerë, për ta bërë ‘tejkalimin’ sa më të vogël, sa më të shkurtër dhe sa më të sigurt dhe për të rikthyer temperaturat nën 1.5°C përpara fundit të shekullit.”
Shkencëtarët paralajmërojnë se tejkalimi i këtij pragu mund të shkaktojë “pika kritike klimatike” që mund të sjellin pasoja katastrofike për ekosistemet dhe njerëzimin.
Edhe pse prodhimi i energjisë së rinovueshme dhe përdorimi i automjeteve elektrike po rriten me ritme të shpejta, veprimet globale për uljen e emetimeve nga lëndët djegëse fosile mbeten shumë larg objektivave të nevojshme.
Në raportin e publikuar në tetor, WMO njoftoi se niveli i CO₂ në atmosferë u rrit me shifra rekord në vitin 2024, duke arritur një nivel të ri historik. Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se aftësia natyrore e tokës dhe oqeaneve për të përthithur CO₂ po dobësohet për shkak të ngrohjes globale ,një proces që mund të krijojë një “rreth vicioz” dhe të përshpejtojë rritjen e temperaturave.
Fenomeni natyror El Niño, që ndikoi në rritjen e temperaturave gjatë viteve 2023 dhe 2024, tashmë ka kaluar në kushte La Niña në vitin 2025, duke sjellë një lehtësim të vogël të përkohshëm. Megjithatë, raporti i UNEP paralajmëron se largimi i pritshëm i SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit pritet të shtojë ngrohjen globale me rreth 0.1°C në dekadat e ardhshme.
Sipas WMO-së, viti hidrologjik që përfundoi në tetor 2024 shënoi humbjen më të madhe të akullnajave që nga viti 1950 rreth 450 miliardë tonë akull u shkrinë, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të detit.
Ngrohja globale po shkakton motin ekstrem më të shpeshtë dhe më të ashpër, ndaj sistemet e paralajmërimit të hershëm po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme për të shpëtuar jetë. Numri i vendeve që kanë sisteme të tilla shumë-rreziku është dyfishuar që nga viti 2015, duke arritur në 119 shtete në vitin 2024, por 40% e vendeve të botës ende nuk i disponojnë ato, paralajmëron agjencia.
