treg

Tregtia online nën vëzhgim/ISHMT: Të rishikohet ligji për mbrojtje

Me zgjerimin e tregtisë elektronike dhe popullaritetin në rritje të blerjeve online në Shqipëri, siguria e konsumatorëve dhe përputhshmëria ligjore e produkteve që qarkullojnë në internet po bëhen sfida gjithnjë e më të rëndësishme.

Produktet që ofrohen nga platformat online apo rrjetet sociale shpesh nuk përmbushin standardet ligjore të sigurisë dhe cilësisë, duke vënë në pikëpyetje mbrojtjen e konsumatorit dhe efektivitetin e strukturave shtetërore që kanë për detyrë të garantojnë këtë mbrojtje.

Në këtë kuadër, është bërë e domosdoshme rishikimi i ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, me synim që t’i jepet Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) kompetenca për të kontrolluar dhe zgjidhur ankesat që vijnë nga blerjet online.

Aktualisht, ISHMT nuk ka as infrastrukturën dhe as mjetet e duhura për të kryer inspektime në platformat online apo në rrjete sociale që ofrojnë produkte për shitje. Një nga sfidat kryesore është mungesa e të dhënave identifikuese të tregtarëve – si NIPT apo adresë fizike – gjë që e bën pothuajse të pamundur ndjekjen e rasteve problematike.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në periudhën janar-gusht 2024 janë trajtuar 20 ankesa nga ISHMT, ku 12 prej tyre kanë qenë për blerje online. Shumica e këtyre rasteve nuk kanë mundur të zgjidhen pikërisht për shkak të mungesës së informacionit dhe aksesit në platformat ku është bërë blerja.

Nëse ndryshimet ligjore do t’i japin ISHMT kompetenca të plota për monitorimin dhe ndërhyrjen në tregtinë elektronike, institucioni do të duhet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e veta – duke përfshirë staf shtesë, trajnime të specializuara dhe sigurimin e software-ve që lejojnë gjurmimin dhe analizimin e aktiviteteve online.

Kjo iniciativë është një hap drejt përmirësimit të mbrojtjes së konsumatorëve në epokën dixhitale dhe përafrimit me praktikat e Bashkimit Europian, ku kontrolli i tregtisë online është një element thelbësor i mbikëqyrjes së tregut.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top