Turistët dhe rënia e prodhimit vendas, importet e ushqimeve rriten me 33% më 2021-2025

Të dhënat mbi importet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit gjatë pesë viteve të fundit tregojnë një rritje të qëndrueshme, pavarësisht nga tendenca e rënies së popullsisë rezidente në Shqipëri.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, importet e ushqimeve dhe pijeve rreth 57.8 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 rreth 77 miliardë lekë, ose 33% më shumë.

Të dhënat të detajuara nga INSTAT tregojnë se në 6-mujorin e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritjen më të fortë në vlerë e kanë shënuar importet e cigares, 13%, kafesë me 33%, ushqimeve të përpunuara me 9%. Të gjitha grupet e ushqimeve janë rritur përveç kafshëve të gjalla dhe produkteve të bulmetit në krahasim me 6-mujorin e parë 2024.

Importet tregojnë se kërkesa për produkte ushqimore dhe pije ka vazhduar të rritet, ndonëse numri i banorëve në vend ka pësuar rënie për shkak të emigracionit të lartë dhe normës së ulët të lindjeve.

Faktori që duket se po e mban të lartë konsumimin është turizmi. Edhe importet e ushqimeve po ndjekin të njëjtin trend. Vitin e kaluar importet në ushqimeve u rritën mbi 20 për qind duke ndjekur rritjen e fortë të ardhjeve, ndërsa në 6-mujorin 2025 janë rritur me 3 për qind me rritje të ngjashme të numrit të turistëve.

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj, të cilët jo vetëm që konsumojnë produkte vendase, por edhe shtojnë nevojën për mallra të importuara, sidomos në sektorin e shërbimeve, hotelerisë dhe gastronomisë.

Rritja e importeve të ushqimeve është pasqyrë direkte e rritjes së konsumit sezonal që lidhet me flukset turistike. Në këtë mënyrë, turizmi po bëhet një element kompensues i rënies së kërkesës së brendshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në bilancin tregtar dhe në strukturën e konsumit kombëtar.

Rritja e importeve të ushqimeve pasqyron edhe një tjetër zhvillim shqetësues, tkurrjen e prodhimit bujqësor vendas. Prodhimi në sektorin bujqësor hyri në vitin e pestë të rënies në tremujorin e parë 2025. Aktualisht bujqësia shqiptare po përballet me sfida serioze si mungesa e subvencioneve dhe ikja e fuqisë punëtore nga zonat rurale.

Në vend që prodhimi vendas të zëvendësojë nevojat e tregut të brendshëm, gjithnjë e më shumë operatorë ekonomikë po i drejtohen importit për të mbushur boshllëqet në furnizim, duke bërë që një pjesë e madhe e fitimeve nga turizmi të ikin sërish jashtë.

Rritja e importeve të ushqimeve nuk është thjesht një bilanc tregtar, por edhe një tregues i dobësimit të kapaciteteve prodhuese të bujqësisë shqiptare, që gjithnjë e më pak po arrin të përmbushë kërkesat e tregut të brendshëm.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top