Tirana

Turistët nuk e zëvendësojnë ikjen e popullatës, ngadalësohet konsumi

Konsumi final i popullatës në 6-mujorin e parë të vitit 2025 u rrit me ritme më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë 2025 konsumi final i popullatës u rrit me 3.8%, nga 5.1% që ishte në të njëjtën periudhë të 2024. Në tremujorin e parë 2025, konsumi u rrit me 2.5%, ndërsa një vit më parë 4.6%.

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se konsumi po mban një ritëm pozitiv, me rritje prej rreth 3% në dy tremujorët e parë, duke reflektuar një balancë mes ndikimit të faktorëve të jashtëm si kursi i këmbimit dhe çmimet e importit dhe faktorëve të brendshëm si rritja e pagave dhe aktiviteti turistik.

Tabloja e konsumit në këto vite reflekton efektin e krizave të njëpasnjëshme, si pandemia, lufta në Ukrainë me inflacionin e lartë, por edhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për t’u përshtatur dhe për të ruajtur rritjen ekonomike në një nivel të qëndrueshëm vitet e fundit.

Pas një rritjeje të fortë në fillim të periudhës 2019, me kulme mbi 6% në T2, konsumi pësoi një tkurrje të ndjeshme gjatë vitit 2020, sidomos në T2 kur pandemia e COVID-19 solli rënie me mbi 14%. Kjo periudhë reflekton kufizimet e lëvizjes, pasigurinë ekonomike dhe tkurrjen e të ardhurave të familjeve.

Në vijim, gjatë 2021 dhe 2022, konsumi final u rimëkëmb me ritme të forta, duke regjistruar norma rritjeje që në disa tremujorë kapën mbi 7%. Rimëkëmbja erdhi me rritjen e remitancave, si dhe me një ritje të fortë të turizmit dhe shpenzimeve të brendshme pas kufizimeve të pandemisë.
Në vitin 2023, ritmet e rritjes filluan të zbehen ndjeshëm. Pavarësisht një performance pozitive, norma e rritjes zbriti nën 1% në disa tremujorë si pasojë e rënies së fuqisë blerëse nga inflacioni i lartë dhe shtrenjtimit i produkteve bazë.

Gjatë vitit 2024 u vu re një stabilizim me rritje 4%. Rritja e konsumit u mbajt nga rritja e pagave dhe remitancat.

Vitin e fundit, konsumi i popullatës është ndikuar më së shumti nga rritja e pagave si në sektorin privat dhe më shumë në atë publik. Biznesi dhe qeveria kanë paguar me ritme të larta nën presionin e mungesës së kapitalit human, teksa produktiviteti nuk po ndjek të njëjtin ritëm.

Burimet e rritjes së konsumit gjithsesi janë në rrezik nga rritja e çmimeve dhe luhatjet e fluksit të turistëve, të cilët kanë qenë promotorët të rritjes pas pandemisë.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top