Turizmi kulturor shënoi rënie në muajt e parë të vitit. Statistikat zyrtare, të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se institucionet kulturore u vizituan nga 47.2 mijë persona me një rënie 2 % në raport me janar-shkurt 2024.
Për muajin shkurt 2025, 25,530 vizitorë kanë vizituar 28 institucione të kulturës. Ka një rënie të vizitorëve, por kjo vjen nga fakti që disa nga institucione i janë nënshtruar procesit të rikonstruksionit”, thuhet në publikimin e Ministrisë.
Aktualisht institucioni më i rëndësishëm me dyer të mbyllura që kishte edhe një numër të konsiderueshëm vizitorësh është Muzeu Historik i Tiranës, i cili do të qëndrojë i mbyllur për të paktën katër vjet. Vitin e shkuar u njoftua në mars se ky Muze do të rihapet në vitin 2028 për shkak se do t’u nënshtrohet ndërhyrjeve të rëndësishme.
Mbyllja erdhi në një vit kur turizmi ishte në kulmin e vet.
Por përkrah rënies, cilat kanë qenë institucionet më të vizituara kulturore?
Nga muzetë, qëndron në krye ai i Gjergj Kastriotit në Krujë (10 mijë vizitorë). I dyti është Muzeu i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” (4.9 mijë vizitorë). Në vend të tretë renditet Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat me 3749 vizitorë.
Përsa u përket kalave dhe monumenteve të tjera, në krye qëndron ajo e Gjirokastrës (mbi 5 mijë vizitorë) dhe Amfiteatri i Durrësit (mbi 1 mijë vizitorë). Mes Parqeve Arkeologjike, kryeson ai në Shkodër (mbi 8.5 mijë vizitorë) dhe Butrinti mbi (3 mijë vizitorë).
Pritshmëritë janë që turizmi kulturor të ndjekë ritmin e turizmit të përgjithshëm edhe këtë vit. Turoperatorët janë optimistë për një ecuri të ngjashme me 2024-ën edhe pse shifrat e fundit të publikuara nga INSTAT lidhur me lëvizjet e shtetasve reflektojnë një rënie në muajin mars me 2.7 për qind.