Turizem

Turizmi në korrik në rënie: Të huajt rriten me 2.8%

Pas muajve të tërë me rritje dyshifrore, turizmi në muajin korrik u rrit me vetëm 2.7% duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi dhe duke konfirmuar situatën që turoperatorët dhe strukturat akomoduese raportonin në pjesën e parë të këtij muaji.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve tregojnë se në korrik hynë 1.81 milionë të huaj duke çuar totalin e hyrjeve të këtij grupi në 7 muajt e parë të vitit në 6.36 milionë me një rritje 23.2% në raport me 7 mujorin e një viti më parë.

“Gjatë muajit Korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 2,7 %, krahasuar me korrik 2023. 2.350.448 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Hyrjet e shtetasve në korrik 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 805.829, duke pësuar një rritje me 2,8 %, krahasuar me korrik 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.818.378. Ky numër është rritur me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” thuhet në publikimin e INSTAT.

Në fund të qershorit dhe në pjesën e parë të korrikut strukturat akomoduese në bregdet dhanë shenja të qarta pesimizmi për rezervimet të cilat ishin më të ulëta se pritshmëritë teksa efekti zinxhir që dha rritja e çmimeve në disa rajone shkaktoi anulime masive kryesisht të italianëve. Po kështu strukturat kanë konfirmuar një prezencë më të ulët të shtetasve të Kosovës në zonën e Golemit, por edhe në Jug të vendit dhe disi më e pranishme në Shëngjin dhe Velipojë dy tregje me çmime më ekonomike dhe te frekuentuara tradicionalisht prej tyre.

Ecuri më e mirë e turizmit sipas turoperatorëve nisi të regjistrohej në pjesën e dytë te korrikut teksa korrigjimi i çmimeve në një pjesë të strukturave dhe bregdetit ndikoi pozitivisht gushtin i cili ka pasur një prezencë relativisht më të mirë turistike sesa korriku sipas turoperatorëve. Sipas tyre këtë ngadalësim të sezonit veror pritet ta kompensojë vjeshta e cila gjithashtu duket se do të ketë ecuri më të mirë se viti i shkuar si efekt i rezervimeve paraprake.

“Në korrik 2024, 95 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 71 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Qëndrore/Lindore me 10 %

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Korrik 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me korrik 2023. Rritje të ndjeshme në muajin korrik kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 50,9 %” vlerëson INSTAT.

Daljet e shtetasve

“Në muajin Korrik 2024, 704.699 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7 %, krahasuar me Korrik 2023. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2024 janë 1.645.749. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 14,3 %” nënvizon publikimi.

monitor.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top