Tregjet e mallrave pësojnë një rënie rekord, të udhëhequra nga humbjet e thella në ar, argjend, naftë dhe metale industriale. Zgjedhja e Kevin Warsh si kreu i ardhshëm i Rezervës Federale shkaktoi shitje në asetet me rrezik, duke bërë që metalet e çmuara të bien për herë të dytë radhazi.
Ari ra 5%, në nivelin më të ulët që nga dy javët e fundit, ndërsa argjendi humbi mbi 7%, pas rekordeve të arritura nga të dy metalet javën e kaluar. Nafta ra gati 5%, duke u larguar nga nivelet më të larta disa mujore, ndërsa bakri në Londrën Metal Exchange humbi 3%.
“Vendimi i tregjeve për të shitur metalet e çmuara së bashku me aksionet amerikane sugjeron se investitorët e shohin Warsh si më ‘hawkish’ (favorizues të politikës monetare të rreptë),” tha Vivek Dhar, strateg i mallrave në Commonwealth Bank of Australia (CBA).
Një Fed ‘hawkish’ sinjalizon se normat e interesit do të qëndrojnë më lart për më gjatë, duke mbështetur dollarin dhe duke rritur koston e mundshme të mbajtjes së arit dhe argjendit, duke zvogëluar atraktivitetin e tyre.
“Një dollar amerikan më i fortë po ushtron gjithashtu presion mbi metalet e çmuara dhe mallrat e tjera, përfshirë naftën dhe metale bazë,” shtoi Dhar, i cili megjithatë mban parashikimin e tij për çmimin e arit prej 6,000 dollarë në tremujorin e katërt.
Të premten, Presidenti amerikan Donald Trump zgjodhi Warsh, një ish-guvernator të Rezervës Federale, për të zëvendësuar Jerome Powell si kreun e Federa Reserve në muajin Maj, duke shkaktuar luhatje në tregjet e aksioneve dhe mallrave, ndërsa rriti dollarin. Aksionet aziatike ndoqën trendin negativ të Wall Street, ndërsa shitjet kaotike të metaleve të çmuara krijuan një nisje të tensionuar të javës.
Shitjet në metalet e çmuara u përshpejtuan pasi CME Group rriti kontratat e saj të metaleve. Ndërkohë shpenzimi më i lartë i kapitalit mund të kufizojë pjesëmarrjen spekulative, të ulë likuiditetin dhe të detyrojë tregtarët të shesin kuotat e tyre.
Rënia nisi të premten, me humbjen më të madhe ditore të arit që nga viti 1983, mbi 9%, ndërsa argjendi ra 27%, duke shënuar rënien më të madhe ditore të regjistruar ndonjëherë.
“Shkalla e rënies së arit që po shohim sot është diçka që nuk e kam përjetuar që nga ditët e errëta të krizës globale financiare të vitit 2008,” tha analisti i IG Markets, Tony Sycamore.
Çmimet në tregjet e energjisë u vunë nën presion të hënën nga shenjat e uljes së tensionit SHBA-Iran, pas komenteve të Trump gjatë fundjavës, se Irani po “bisedon seriozisht” me Uashingtonin, duke ulur frikën e një konflikti me anëtaren e OPEC-ut.
Tregjet e bakrit dhe hekurit përballen me pengesa nga shqetësimet mbi inventarët e lartë dhe kërkesën e dobët para pushimeve të Vitit të Ri Lunar në Kinë, blerësi më i madh në botë i metaleve industriale.
“Pyetja kryesore është nëse kjo shënon fillimin e një rënieje strukturore të çmimeve të mallrave apo vetëm një korrigjim,” tha Dhar nga CBA.
“Ne e shohim si një korrigjim dhe një mundësi blerjeje, jo si një ndryshim themelor.”
