ushtrime fizike

Ushtrimet fizike lehtësojnë efektet anësore të trajtimit të kancerit, tregon një studim i gjerë

Ushtrimet si ecja, ushtrimet me rezistencë apo joga mund të ndihmojnë në zbutjen e efekteve anësore të trajtimit të kancerit, sipas shqyrtimit më të madh shkencor të këtij lloji, të botuar në British Journal of Sports Medicine.

Studiuesit nga Spitali Shengjing i Universitetit Mjekësor të Kinës analizuan të dhënat nga mbi 80 artikuj shkencorë, të publikuara mes viteve 2012 dhe 2024. Ata gjetën se ushtrimet ndihmojnë në uljen e dëmtimeve në zemër dhe nerva, reduktojnë mjegullën mendore (vështirësi në përqendrim dhe kujtesë), frymëmarrjen e vështirësuar, si dhe përmirësojnë përbërjen trupore dhe tregues të rëndësishëm shëndetësorë si insulina dhe proteina inflamatore.

Llojet e ushtrimeve të studiuara përfshinin: aktivitete aerobike, ushtrime me peshë, joga, tai chi dhe stërvitje me intensitet të lartë. Përveç përfitimeve fizike, u vu re edhe përmirësim në cilësinë e gjumit, mirëqenien psikologjike, funksionimin normal të trupit dhe ndërveprimin shoqëror.

Studiuesit theksojnë se ushtrimet duhet të bëhen pjesë e trajtimit të rregullt për pacientët me kancer. Po ashtu, ata zbuluan se aktiviteti fizik para operacionit mund të zvogëlojë rrezikun e ndërlikimeve pas operacionit, dhimbjes, kohës së qëndrimit në spital dhe madje edhe rrezikun për jetën.

Celene Doherty, infermiere specialiste në Cancer Research UK, e cila nuk ishte pjesë e studimit, tha se këto rezultate janë dëshmi të mëtejshme që ushtrimet ndihmojnë pacientët me kancer. Megjithatë, ajo shton se është normale që pacientët të ndihen të lodhur apo të mbingarkuar, ndaj këshillon që secili të ecë me ritmin e vet dhe të zgjedhë aktivitetet që i përshtaten më shumë.

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top