Freddie Mercury-t
Art

Vargje të papublikuara të “Bohemian Rhapsody” do të përfshihen në librin me tekstet e Freddie Mercury-t

Zëri i tij është një nga më të dallueshmit në historinë e muzikës pop dhe tani tekstet që Freddie Mercury këndoi do të marrin trajtimin që i takon një ylli rock-u. Një libër i ri me tekste të këngëve të tij do të përfshijë edhe këngë të pabotuara dhe versione alternative të hiteve të Queen.

Libri, me titull A Life in Lyrics, do të përmbajë vargje të lëna përgjysmë të “Bohemian Rhapsody” dhe draftet e “Don’t Stop Me Now”. Të gjitha janë marrë nga fletoret dhe shënimet personale të Mercury-t, të cilat janë publikuar nga Mary Austin – ish-e fejuara dhe mikja e tij më e ngushtë.

Freddie Mercury vdiq në vitin 1991, duke i lënë Austin-it shtëpinë dhe pasuritë e tij, përfshirë edhe gjithë arkivin krijues që shtrihet nga ditët e para të Queen deri në fund të karrierës së tij solo.

Austin tregon: “Në fillim të vitit 2023, ndërsa po rendisja materialet në Garden Lodge, shtëpia e mrekullueshme që Freddie më la mua, fillova të shfletoja letrat që unë dhe familja ime kishim mbledhur, të cilat kishin qëndruar aty, të paprekura dhe të pashikuara, për më shumë se 30 vjet.”

Ajo zbuloi versione pune të teksteve të Mercury-t në fletë të thjeshta dhe në fletore pa ndonjë pamje të veçantë, që “fshehnin brenda tyre mrekulli të vërteta”.

Sipas Austin, shënimet me dorë të Freddie-t ofrojnë “një dritare në mendjen e tij krijuese dhe brilante” edhe për atë vetë, i “ringjallën shumë kujtime nga dekada më parë si biseda, ngjarje dhe emocione”.

Ajo shtoi: “Shpresoj që duke ndarë tani dorëshkrimet e tij, të shoqëruara me komente të reja dhe fragmente nga jeta jonë bashkë, të mund të tregoj më qartë forcën e jashtëzakonshme krijuese të mikut tim të dashur, për kënaqësinë e të gjithëve që ai vazhdon të frymëzojë edhe pas kaq vitesh.”

Mercury dhe Austin u njohën në vitin 1969 dhe ai i propozoi për martesë në Krishtlindje të vitit 1973. Ata e ndërprenë fejesën pas tre vitesh, por mbetën miq të ngushtë për gjithë jetën. Mercury pati marrëdhënie si me gra, ashtu edhe me burra, dhe e përshkruante veten si biseksual.

Në vitin 1987, ai u diagnostikua me AIDS dhe vdiq nga pneumoni bronkiale në moshën 45-vjeçare. Austin trashëgoi rreth gjysmën e pasurisë së tij, që vlerësohej në 9 milionë paund.

A Life in Lyrics, që do të ilustrohet me foto nga arkivi personal i Mercury-t, pritet të botohet nga HarperCollins më 1 shtator të vitit të ardhshëm, pak ditë para se këngëtari të kishte mbushur 80 vjeç.

Muajin e kaluar, një tjetër libër për Mercury-n pretendoi se zbulon një kapitull të panjohur të jetës së tij. Love, Freddie, nga autorja Lesley-Ann Jones, thotë se këngëtari kishte një vajzë të fshehtë, për të cilën nuk dinin as miqtë e tij më të afërt. Libri ka ndarë në mendime fansat dhe njerëzit që e kanë njohur Mercury-n.

Sipas librit, vajza e njohur vetëm si “B” dhe tashmë 48 vjeç, lindi pas një lidhjeje të shkurtër të Mercury-t me gruan e një miku të ngushtë në vitin 1976.

“Freddie Mercury ka qenë dhe është babai im,” thuhet në një letër me dorë nga “B”, e përfshirë në libër. “Ne kishim një marrëdhënie shumë të afërt dhe plot dashuri që nga momenti kur linda dhe gjatë 15 viteve të fundit të jetës së tij. Ai më adhuronte dhe më përkushtohej.”

Për “B” dihet shumë pak, përveç moshës dhe faktit se është një mjeke profesioniste që jeton në Europë. Ajo pretendon se Mercury i ka besuar 17 ditarë që përshkruajnë vitet e fundit të jetës së tij të cilët, sipas autores Jones, “janë gjëja më e afërt me një autobiografi të Freddie Mercury-t dhe bota do të ketë ndonjëherë”.

Megjithatë, Mary Austin tha se nuk ka dijeni për një fëmijë të fshehtë. “E vërteta është që unë nuk jam në dijeni të një sekreti të tillë,” u shpreh ajo. “Nuk kam ditur kurrë për ndonjë fëmijë apo ndonjë ditar. Nëse Freddie do të kishte pasur një fëmijë pa e ditur unë, kjo do të ishte diçka që do të më habiste jashtë mase.”

theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top