Punësimi me pagë në vendin tonë është i lidhur ngushtë me nivelin arsimor të të punësuarve.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vetëm 29.5% e personave me arsim 8-9-vjeçar janë të punësuar me pagë, ndërsa përqindja rritet në 50% për ata me arsim të mesëm dhe arrin në 84.2% për individët me arsim të lartë.
Të dhënat e punësimit me pagë sipas nivelit arsimor tregojnë se individët me arsim më të ulët janë të përfshirë kryesisht në punë informale, vetëpunësim ose bujqësi familjare, ku nuk sigurohet kontratë pune apo të ardhura të qëndrueshme.
Punësimi total në vendin tonë është shumë më i lartë se numri i personave që marrin paga dhe paguajnë sigurime.
Kjo ndodh sepse në statistikat zyrtare konsiderojnë si të punësuar edhe fshatarët që punojnë disa orë në tokën e tyre, edhe pse nuk shesin prodhimin dhe nuk nxjerrin të ardhura.
Shumica e të punësuarve në bujqësi, gati 80%, nuk marrin paga dhe pjesa më e madhe e tyre ka arsim 9-vjeçar.
Gjithashtu, një pjesë e madhe e punonjësve në sektorin e ndërtimit janë me arsim bazë dhe kanë më shumë gjasa të punojnë në të zezë, pa sigurime dhe të përjashtuar nga të drejtat që garanton Kodi i Punës.
Edhe te punonjësit me arsim të mesëm ka një hendek të madh midis punësimit me pagë dhe punësimit total. Vetëm gjysma e punonjësve në këtë nivel arsimor janë të punësuar me pagë dhe paguajnë sigurime.
Ndërmjet arsimit profesional dhe nevojave të tregut të punës ekziston ende një hendek i madh, që kufizon mundësitë për punësim të qëndrueshëm për të rinjtë.
Ekspertët theksojnë se, për të rritur përfshirjen e të punësuarve me pagë, qeveria duhet të forcojë arsimin profesional, të nxisë formalizmin e punës dhe të krijojë mekanizma trajnimi të vazhdueshëm për punonjësit me arsim bazë.
Punësimi me pagë sipas nivelit arsimor tregon se shkolla luan rol të madh në sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme.
Ndërsa personat me arsim të lartë gëzojnë mundësi më të gjera në tregun e punës, ata me arsim të ulët mbeten më të rrezikuar nga punësimi informal ose mungesa e punësimit dhe në të ardhmen mund të jenë një barrë e madhe për skemën publike të pensioneve.