Viva Fresh Kosova, e cila pak kohë më parë njoftoi blerjen e rrjetit të supermarketeve Spar Albania nga grupi Balfin do të mbështetet nga bankat ndërkombëtare për të financuar pjesërisht këtë blerje.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe fondi Enterprise Expansion Fund II (ENEF II), në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Europian (ËBIF), njoftuan se do të japin një hua deri në 25 milionë euro për të mbuluar pjesërisht koston e blerjes së Spar Albania – me BERZH që kontribuon me 22 milionë euro dhe ENEF II me 3 milionë euro. Kjo është huaja më e madhe që BERZH ka dhënë ndonjëherë për një kompani vendase në Kosovë.
Pas blerjes, Viva Fresh planifikon të zgjerojë aktivitetin në Shqipëri përmes hapjes së dyqaneve të reja dhe rinovimit të pikave ekzistuese të Spar, thuhet në njoftim.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Takimit Vjetor 2025 të BERZH-së dhe Forumit të Biznesit nga: Zsuzsanna Hargitai (Drejtoreshë e Përgjithshme për Financimin dhe Zhvillimin e NVM-ve në BERZH), Matteo Colangeli (Drejtues Rajonal i BERZH për Ballkanin Perëndimor), Andreea Moraru (anëtare e bordit të ENEF II), dhe Xhevdet Rexhepi (CEO dhe pronar i Viva Fresh).
Xhevdet Rexhepi, CEO i Viva Fresh, u shpreh gjatë nënshkrimit se Shqipëria ofron potencial të madh për zhvillimin e shitjes moderne dhe synojmë të zgjerojmë rrjetin Spar duke ofruar një përvojë moderne dhe të aksesueshme për komunitetet lokale.”
Viva Fresh është një klient i hershëm i BERZH, me projekte që datojnë që prej vitit 2015, dhe ka udhëhequr zgjerimin e shitjes moderne në Kosovë, ku është lidër tregu.
Deri më tani, BERZH njoftoi se ka investuar mbi 2.2 miliardë euro në Shqipëri nëpërmjet 162 projekteve dhe 783 milion euro në Kosovë përmes 123 projekteve.
Shitja
Në fund të muajit mars kompania nga Kosova, Viva Fresh Store, njoftoi të enjten se ka arritur një marrëveshje për blerjen e Spar Albania nga grupi shqiptar Balfin. Vlera finale e transaksionit nuk është bërë ende e ditur.
Spar Albania raportoi një xhiro prej 10.7 miliard lekësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Fitimi para tatimit arriti në 406 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 62%.
Spar është rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market, duke përfshirë gjithë sistemin franchise. Duke përfshirë gjithë rrjetin franchise, të ardhurat e konsiliduara të Spar Albania arritën në 18.8 miliardë lekë, ndërsa Big Market kishte të ardhuara prej 26.6 miliardë lekë në 2023-shin.
Sipas informacionit zyrtar të Spar Albania, në fund të 2024 rrjeti i saj përbëhej nga 90 markete dhe dy hipermarkete.
Spar Albania është pjesë e grupit Balfin, të kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane, kjo është shitja e dytë e rëndësishme në tregun e retail. Në vitin 2007, Mane e shiti rrjetin e tij të shitjeve me pakicë Euromax te kompania serbe Delta maxi Group, për 29 milionë euro. Kompania ndryshoi kontroll më vonë pasi grupi serb u ble nga kompania belge Delhaize Group dhe më pas nga një joint venture greko-francez, nën markën e grupit Carrefour. Megjithatë, ish-rrjeti Euromax ndoqi një trajektore rënëse, derisa në vitin 2015 Carrefour u tërhoq përfundimisht nga tregu, duke ia shitur rrjetin e dyqaneve me pakicë grupit Balfin të Samir Manes.
Më tej, Balfin lidhi një marrëveshje me grupin me qendër në Hollandë, Spar, duke marrë ekskluzivitetin e franchise dhe produkteve të Spar për Shqipërinë. Gjatë një dekade nën kontrollin e Balfin, Spar Albania ka ndjekur një trajektore rritëse, duke u bërë kompania më e madhe e shitjeve me pakicë në vend.