Gjithçka është e mundur"

Vjen libri “Gjithçka është e mundur”. Rrugëtimi plot sfida dhe mundësi i sipërmarrësit Arben Shpata

Në punën e tij të përditshme, klientët e shohin si një sipërmarrës të konsoliduar. Shumë prej tyre madje mendojnë se ai trashëgon biznesin e familjes. Por, Arben Shpata kujdeset gjithnjë t’u tregojë se vjen nga një familje e madhe shqiptare, me një histori të gjatë të emigracionit klandestin.

Arbeni drejton dhe zhvillon prej 15 vitesh në Romë kompaninë e tij “Edilizia Moderna”. Një kompani të certifikuar për standardet e shërbimit dhe e vlerësuar si një nga 10 kompanitë më të mira nga Bashkia Romë për cilësinë e shërbimit, përgjegjësinë sociale dhe performancën.

Por, Arbeni ka bërë një rrugëtim të gjatë, me sfida që nisin që fëmijë, në një familje me shumë fëmijë në një periudhë të varfër të Shqipërisë.

I gjithë rrugëtimi i tij mes sfidave dhe suksesit e ka nxitur të shkruajë një libër, për t’i dhënë një mesazh të qartë çdo lexuesi dhe në veçanti të rinjve: “Gjithçka është e mundur”.

Në këtë libër ai tregon për jetën e tij të varfër si fëmijë, por dashurinë e madhe në shoqëri e familje. Sfidat gjatë rinisë janë pjesë e rrugëtimit të tij, duke lundruar mes rrëfimeve gjatë angazhimit e tij në forcat speciale të policisë në periudhën më të rrezikshme të shoqërisë shqiptarë, atë të trazirave të vitit 1997. Largimi drejt Italisë është po aq sfidues. Kalimi klandestin me gomone, ishte një lundrim mes jetës dhe vdekjes.

Librin “Gjithçka është e Mundur”, Arbeni ua dedikon djemve të tij dhe njëkohësisht të gjithë të rinjve shqiptarë që kanë ëndrra për jetën. Ai ndan sfidat e integrimit të vështirë në Itali, ku jetoi për 8 vite pa pasur mundësinë të pajisej me dokumenta qëndrimi. Kjo gjendje reflektohej në vështirësi sociale, financiare dhe ngarkesë psikologjike, por nuk u dorëzua asnjëherë, as në momentet e tij më të vështira. Siç e thotë dhe ai vetë në librin e tij, “Gjithçka është e mundur nëse beson dhe punon fort për të arritur qëllimet e tua.”

“Kam filluar të bëj biznes kur i kisha kaluar 30 vjeç, ndaj nga përvoja ime ju them,  nuk është kurrë vonë për të nisur diçka. Për mua është kënaqësi të shikoj sot që jam 50 vjeç dhe kam realizuar shumë ëndrra të miat. Ky është thesari, kjo është pasuria ime. Duke e treguar veten si punëtor dhe i ndershëm në marrëdhënie me klientët dhe bashkëpunëtorët, kam gjetur mbështetje tek të gjithë ata. Ka plot njerëz që ta japin dorën kur të shikojnë që ti je i interesuar në punën që bën”, thote ai. Sot, tregon me krenari se ka njohur njerëz të mirë, kultura të ndryshme. “Momentet që kaloj me klientët, të cilët janë bërë miqtë e mi, janë momentet më të bukura, më japin një kënaqësi të jashtëzakonshme, është një përmbushje. Shoh që edhe ata ndihen mirë në shoqërinë time. Me këtë dua të them se, sa më shumë njerëz të njohësh, aq më mirë është. Nuk duhet të qëndroni të mbyllur në guackë, të mendoni vetëm për vete, t’i jepni vetes dimensione jo reale, sikur vetëm ju jeni të rëndësishëm, sikur nuk ia vlen të shoqëroheni me të tjerë”, thekson ai.

Sapo ka mundur ka rekuperuar, si kohën e lirë të nevojshme edhe udhëtimet, kthimin në atdhe. Pas 8 vitesh mungesë, pasi i’u dha mundësia, ka lëvizur. “Jam patriot dhe më merr malli për Shqipërinë, ndaj kthehem shpesh në atdhe. E kam si një moment reflektimi dhe karikimi. Nga Shqipëria marr energji të mira dhe më shumë motiv për të ecur përpara. Kthehem në Romë me plot energji për të bërë më shumë, për të shkuar më tej”, thote ai.

Sot, Arben Shpata ka një kompani të konsoliduar dhe të certifikuar. Prej 15 vitesh, ai punëson në sipërmarrjen e tij të rikonstruksionit, punëtorë nga vende të ndryshme të botës, emingrantë, të cilët përmes kontratave të punës janë integruar dhe kanë krijuar familje.

Arbeni dallon për një jetë aktive sociale, kujdesin për klientin, punonjësin dhe miqtë e tij. Ai ka mentoruar dhjetëra të rinj, me ambicie në fushat e tyre profesionale dhe në veçanti në sipërmarrje.

Libri “ Gjithçka është e mundur” do të jenë të treg në muajin mars në gjuhët shqip dhe italisht.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top