Koço Glozheni

Vjen në jetë fëmija i parë përmes riprodhimit të asistuar në maternitetin “Koço Glozheni”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njoftoi me gëzim se për herë të parë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” u realizua lindja e bebes së parë përmes teknikës së riprodhimit të asistuar.

Kjo arritje e rëndësishme u mundësua nga profesionalizmi i ekipit mjekësor të Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) të maternitetit, një hap i madh për strukturat spitalore publike në Shqipëri.

Ky sukses është rezultat i investimeve të qeverisë, që kanë mundësuar ngritjen e një qendre moderne për riprodhimin e asistuar, duke e kthyer atë në një model kombëtar të shtatzënisë.

Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e kësaj teknike inovative, e cila bëri të mundur lindjen e bebes, falë një investimi të plotë të shtetit. Ajo theksoi gjithashtu mundësinë që ofrohet tani për çiftet që kanë vështirësi në konceptimin natyral të fëmijës, pasi paketa e fertilitetit është plotësisht e mbuluar nga buxheti i shtetit dhe ofrohet falas për ata që e kërkojnë.

Ministrja falënderoi stafin e mjekëve dhe infermierëve të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, që e mundësuan realizimin e suksesshëm të kësaj procedure të rëndësishme për herë të parë në një strukturë spitalore publike. Ajo gjithashtu vizitoi ambientet e Qendrës së Teknikave të Riprodhimit, e cila është e pajisur me teknologjinë më moderne dhe ka një staf të kualifikuar për këtë procedurë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top