Një aktivitet i pazakontë dhe simpatik kulturor, i titulluar “Xhubleta në UNESCO” është mbajtur të dielën në organizim të platformës “Swiss-Albania Event”, të drejtuar nga Aina Hoti.
Kjo mbrëmje i është kushtuar xhubletës, kësaj veshjeje antike burimore shqiptare që tanimë gëzon mbrojtjen e UNESCO-s si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Të pranishëm ishin personalitete të larta si: Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e tij Mustafa Nano, përfaqesuesi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, z. Rexhep Bajraktari, drejtori i integrimit në qytetin e Lozanës, z. Bashkim Iseni, pastaj ish diplomatë, drejtues organizatash dhe miq të artit nga komuniteti dhe miqtë zviceranë të Shqipërisë.
Platforma “Swiss-Albania Event” synon afrimimin e traditave shqiptare në Zvicër. Albumi “Xhubleta në UNESCO” i krijuar nga fotografi Ardo, kap çastet e paharrueshme të njërës prej ngjarjeve të rëndësishme kulturore në Lozanë, me rastin e festave të Nëntorit. Album ky, që bëhet një dëshmi e fuqishme për të rikrijuar dhe transmetuar emocionet, vlerat e një manifestimi kulturor të tillë, duke sjell krenari dhe lavdi për kulturën dhe kombin tonë.
albinfo.ch