Neuroshkencëtari i njohur i Universitetit Stanford, Andrew Huberman, thotë se një zakon i vetëm në mëngjes mund të ndikojë fort në shëndetin fizik, energjinë dhe gjendjen mendore gjatë gjithë ditës.
Në një intervistë, ai shpjegon se gjithçka lidhet me mënyrën se si funksionon hormoni kortizol, i njohur si “hormoni i stresit”, por që në fakt është thelbësor për zgjimin dhe aktivizimin e trupit.
Kortizoli nuk është armik, nëse përdoret në kohën e duhur
Huberman shpjegon se trupi ynë ka nevojë për një rritje natyrale të kortizolit në mëngjes për t’u zgjuar, për t’u ndier energjik dhe për të qenë i fokusuar.
“Zgjimi nuk ndodh vetëm sepse kemi pushuar, por sepse në trup aktivizohet kortizoli. Nëse ky proces nuk ndodh në mëngjes, ai shtyhet për më vonë gjatë ditës ose natës, duke prishur ritmin e gjumit, humorin dhe energjinë.”
Me fjalë të thjeshta, kortizoli duhet të jetë i lartë në mëngjes dhe i ulët në mbrëmje.
Si ta ndihmojmë trupin ta bëjë këtë natyrshëm?
Zakoni kryesor që rekomandon Huberman është shumë i thjeshtë, dil në dritë sapo të zgjohesh.
Brenda orës së parë pasi zgjohesh, duhet të ekspozohesh ndaj dritës së ditës, ndaj diellit, por edhe drita natyrale e një dite me re funksionon.
Ai thekson se nuk ka rëndësi nëse është me diell apo jo, drita e ditës është sinjali që i tregon trurit se dita ka filluar.
Nëse kjo nuk është e mundur (p.sh. për shkak të motit ose punës), mund të përdoret një llambë e fortë artificiale (rreth 10,000 lux), ose të ndizni dritat e shtëpisë sa më fort në mëngjes.
“Më e keqja është të kesh mëngjese të errëta dhe mbrëmje shumë të ndritshme,” thotë ai.
Gjithashtu aktivitete, nëse nuk ke kohë për palestër, mjafton pak lëvizje, disa përkulje, kërcime ose lëvizje me krahë. Lëvizja i dërgon trupit sinjal se duhet të aktivizohet.
Kjo ndihmon energjinë, përqendrimin dhe gjendjen mendore edhe pse nuk ka nevojë për ushtrime të rënda që në mëngjes.
Në mbrëmje bëj të kundërtën, trupi duhet të qetësohet:
-
Dritat t’i mbash më të zbehta
-
Të shmangësh ekranet shumë të ndritshme para gjumit
-
Të mos pish kafe vonë
-
Të mos bësh ushtrime shumë intensive natën
Kjo ndihmon që kortizoli të bjerë dhe trupi të përgatitet për gjumë.
Çfarë thonë studiuesit?
Edhe studiues të tjerë bien dakord se drita natyrale është thelbësore për shëndetin.
Profesorja Mariana Figueiro nga Universiteti Mount Sinai thotë se:
“Drita e ditës është po aq e rëndësishme sa ushqimi dhe aktiviteti fizik.”
Ajo shpjegon se drita natyrale është në intensitetin, ngjyrën dhe kohën e duhur për të rregulluar orën biologjike të trupit. Po ashtu, errësira gjatë natës është po aq e rëndësishme për sistemin imunitar, trurin dhe kujtesën.
Ky zakon ndihmon trupin të zgjohet, të ketë energji, humor më të mirë, përqendrim më të lartë dhe gjumë më të mirë në mbrëmje.
Një zakon i vogël, por me ndikim të madh.
