Peru

Zbulohet në Peru trupi 5,000-vjeçar i një gruaje me status të lartë në qytetërimin e lashtë Caral

Arkeologët në bregdetin e Perusë kanë zbuluar mbetjet 5,000-vjeçare të një gruaje që mund të ketë qenë pjesë e elitës së qytetërimit të lashtë Caral — një gjetje që, sipas tyre, dëshmon rëndësinë që kishin gratë në këtë qytet para pesë mijë vitesh.

Caral, që ndodhet rreth 180 kilometra larg nga Lima përgjatë bregut të Paqësorit, konsiderohet si qyteti më i vjetër në të dy Amerikat dhe ka qenë i banuar në të njëjtën periudhë me qytetërimet e lashta egjiptiane, kineze dhe sumere — ndonëse, ndryshe nga këto, studiuesit theksojnë se Caral është zhvilluar në mënyrë tërësisht të izoluar.

Aspero, zona e sitit arkeologjik të Caral ku u gjet varri, dikur ishte përdorur si një vendgrumbullimi mbetjesh.

“Ky është një varrim i rëndësishëm sepse ka elementë që tregojnë se bëhet fjalë për një grua me status të lartë,” tha arkeologu David Palomino për agjencinë Reuters të enjten, duke përmendur mënyrën e mbështjelljes së trupit si dhe ruajtjen e lëkurës, flokëve dhe thonjve të saj.

Trupi i gruas, e cila mendohet se ka vdekur në moshën 20 deri në 35 vjeç, ishte mbështjellë me një mantel prej pendësh blu dhe kafe, që sipas Palominos mund të jenë të një zogu amazonik si ara. Rreth varrit u gjetën shporta me oferta, enë, kunguj dekorativë dhe një sqep tukan-i.

Sipas Palominos, kjo gjetje tregon se “jo vetëm burrat kishin rol të rëndësishëm në këtë qytetërim, por edhe gratë luanin një rol plotësues në mënyrë të barabartë.”

Edhe pse studiuesit nuk kanë mundur të përcaktojnë datën e saktë të varrimit, qytetërimi Caral ka qenë aktiv rreth vitit 3,000 para erës sonë.

Reuters

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top