Forumi Ekonomik Botëror në Davos nisi me protesta të rinjsh. Ata duan të thonë fjalën e tyre në forum.
Protesta është e vogël, por e zhurmshme. Disa qindra të rinj të mbledhur në sheshin qendror në Davos të Zvicrës, ku zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror e konsiderojnë këtë takim harxhim parash dhe kohe.
“Ne protestojmë kundër takimit të lobit të të pasurve dhe të fuqishmëve në Davos. Është e qartë që ata janë përgjegjës për krizat e kohës sonë,” thotë Mirjam Hostetmann nga socialistët e rinj zviceranë, të cilët bashkëorganizojnë demonstratën nën moton: “Strike WEF.”
“Eat the rich” (Hani të pasurit) apo “Tax the rich” (Taksoni të pasurit) thërrasin demonstruesit, disa prej të cilëve bllokojnë edhe rrugën ku kalojnë limuzinat me pjesëmarrësit në Forumin Ekonomik Botëror.
Inés Yábar mendon paksa ndryshe për Forumin Ekonomik Botëror. E reja peruane është e ftuar këtë vit në forum. Në Lima ajo punon me të tjerët për të mbrojtur mjedisin në Peru, merret me probleme sociale dhe është aktive si Global Shaper. Ky rrjet global të rinjsh të angazhuar mes moshës 20 dhe 30 vjeç këshillohet prej Forumit Ekonomik Botëror, por është i organizuar në mënyrë të pavarur.