Ndryshimet klimatike i kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më të rrezikuara, sidomos nga rënia e zjarreve në pyje.
Viti 2024 shënoi dëmet më të mëdha të dekadës së fundit nga zjarret në pyje në Shqipëri dhe në Kosovë, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që siguron të dhëna mbi zjarret dhe sipërfaqet e djegura nga monitorimi satelitor.
Sipas të dhënave të EFFIS, në Shqipëri u shënuan gjatë këtij viti 168 zjarre, të cilat dogjën 46 mijë e 534 hektarë, ndërsa në Kosovë u shënuan 94 zjarre që dogjën 12 mijë e 79 hektare pyje dhe shkurre.
Shqipëria kishte pa shënuar këto shifra që nga viti 2012 kur në zona të ndryshme të vendit ishin djegur 53 mijë e 459 hektarë nga 149 zjarre, ndërsa Kosova që nga viti 2007 kur ishin shënuar 22 zjarre që kishin djegur 16 mijë e 246 hektarë me pyje dhe kullota.
Në vendet e Ballkanit Peëndimor dëmet më të mëdha nga zjarret në pyje gjatë vitit 2024 janë shënuar në Maqedoninë e Veriut ku sipas sistemit EFFIS u dogjën 95 mijë e 181 hektarë nga 131 zjarre që u shënuan gjithësejt, ndërsa në Bosnjë Herzegovinë u dogjën 43mijë e 571 hektarë nga 178 zjarre, në Serbi 38 mijë e 954 hektarë nga 226 zjarre dhe në Malin e Zi 23 mijë e 54 hektarë nga 135 zjarre.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aktivizuan disa here gjatë këtij viti Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile me ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreveve në pamundësi për të kontrolluar situatën për shkak të kapaciteteve të vogla të mjeteve zjarrfikese dhe burimeve njerëzore.
Në disa zona në jug të Shqipërisë në Qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës zjarret rrezikuan fshatra të vegjël të cilat viteve të fundit pothuajse janë zbrazur nga largimi banorëve në emigracion.
Largimi i banorëve sipas ekspertëve të emergjencave e bën situatën më të vështirë pasi mungojnë burimet njerëzore për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri e shpalli 2024 si ‘Viti i Pyjeve” më përpjekje për të rritur sipërfaqet e reja pyjore dhe ndërgjegjësimin për qeveritë vendore dhe komunitette lokale të bëjnë më shumë për mbrojtjen e shtimin e kësaj pasurie.
Por krahas dëmit nga zjarret e këtij viti, ekspertët e pyjeve vlerësojnë se pjesa dërmuese e bashkive që administrojnë rreth 90% të sipërfaqeve pyjore në vend nuk kanë paraqitur programe investimesh për mbjellje fidanësh dhe ripërtëritjen e zonave pyjore të dëmtuara nga zjarret masive.
Një Raport i Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, publikuar në nëntor të këtij viti nxjerr në dukje nevojën e vendeve ballkanike për të investuar në zvogëlimin e risqeve që po sjellin gjithnjë e më shumë ndryshimet klimatike globale.
Sipas Raportit, Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziku në rritje i përballjes me përmbytjet, zjarret në pyje, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërsa Kosova do të duhet të investojë rreth 2.8 miliardë dollarë amerikanë gjatë dekadës së ardhshme.
Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për Shqipërinë vlerëson se “rreth 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur dy dekadat e fundit nga këto fatkeqësi natyrore dhe klimatike, të cilat janë shpeshtuar dhe ashpërsuar”
Ndërsa lidhur me Kosovën raporti pohon se aktualisht, 36.8 % e sipërfaqes totale të vendit është nën risk mesatar nga zjarret dhe 15.8 % nën risk të lartë nga zjarret.
Zonat malore të vendit janë të ekspozuara ndaj rrisqeve të rrëshqitjeve, thuhet në raport.