10 vite ‘Edhe Unë Mundem’, përfshirje pa buxhet, por me zemër

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Viti 2026 shënon një moment të veçantë për Qendrën Social-Kulturore “Edhe Unë Mundem”, e cila mbush 10 vite aktivitet. Një dekadë përpjekjesh të vazhdueshme për t’u dhënë mundësi të barabarta personave me aftësi të kufizuara, në një realitet ku shërbimet institucionale shpesh mungojnë ose mbeten të pamjaftueshme.

Ky rrugëtim nuk është thjesht një histori suksesi. Është një tregim këmbënguljeje, durimi dhe angazhimi prindëror, i ndërtuar hap pas hapi nga njerëz që nuk pranuan të presin zgjidhje që nuk vinin.

Një ide e vogël në mungesë shërbimesh

Historia nis në vitin 2016, kur një ide e vogël u kthye në realitet: krijimi i një hapësire ku fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara të ndiheshin të dëgjuar, të vlerësuar dhe të përfshirë. Aktivitetet e para ishin të thjeshta – lojëra, punë manuale, ushtrime fizike dhe aktivitete sociale – por ndikimi i tyre në vetëbesim dhe ndërveprim social ishte i menjëhershëm.

Në këtë fazë, mbështetja vinte kryesisht nga familjet dhe vullnetarët, duke e kthyer qendrën në një iniciativë komunitare të mbështetur mbi solidaritet dhe besim të ndërsjellë.

Formalizimi dhe hapat e parë drejt qëndrueshmërisë

Në vitin 2017, me këmbëngulje dhe punë vullnetare, u krijuan kurset e para të koreografisë dhe artit e zejeve për të rinjtë me aftësi të kufizuara. Po atë vit, Qendra Social-Kulturore “Edhe Unë Mundem” u formalizua ligjërisht dhe u pajis me NIPT, një hap i domosdoshëm për vazhdimësinë e saj. Në këtë fazë, mbështetja e artizanisë Antoneta Tafa ishte ndër kontributet e para konkrete.

Konsolidimi mes sfidave reale

Viti 2021 shënoi një periudhë të vështirë, por vendimtare. Pa projekte buxhetore dhe me mjete minimale, çdo aktivitet kërkonte organizim, imagjinatë dhe përkushtim maksimal.

“Kam hasur vështirësi në atë periudhë. Pavarësisht takimeve të shumta me prindërit, shpesh përballesha me mosbesim. Megjithatë, këmbëngulja bëri që numri i përfituesve të rritej shumë shpejt,” tregon Violeta Gjoni.

Sipas saj, telefoni nuk pushonte së rëni nga prindër që kërkonin informacion, ndërsa fëmijë dhe të rinj që deri atëherë qëndronin në shtëpi pa asnjë shërbim, nisën të kërkonin të bashkoheshin me qendrën.

Nga qendër komunitare në klub stërvitor

Në mungesë të një ambienti të përhershëm, u kërkua mbështetje nga institucionet arsimore. Pas disa përpjekjesh, kërkesa u miratua nga Drejtoria e Sporteve në Bashkinë Tiranë. Në bashkëpunim me mësuesen e edukimit fizik, Luftare Bajraktari, u formua Klubi Stërvitor “Edhe Unë Mundem”, i cili nisi aktivitetin në ambientet e shkollës “Dhora Leka”, me mbështetjen e drejtoreshës Klodiana Koxhaj.

Ky klub nuk ishte vetëm një hapësirë stërvitjeje, por një mjedis ku të rinjtë mësonin disiplinën, bashkëpunimin dhe besimin në vetvete, edhe pse përballeshin vazhdimisht me mungesë hapësirash, pajisjesh dhe mbështetjeje financiare.

Zgjerimi dhe dimensioni ndërkombëtar

Në vitin 2022, Violeta Gjoni dhe Xhoana Nokaj themeluan një tjetër klub stërvitor në bashkëpunim me Progetto Filippide, pranë Universitetit të Sporteve. Dhjetë të rinj me aftësi të kufizuara u përfshinë në këtë iniciativë, e cila shënoi edhe krijimin e Progetto Filippide Albania.

Ky bashkëpunim hapi rrugën për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare, përfshirë “Run for Autism” në Romë. Megjithatë, pavarësisht përgatitjes intensive dhe përfaqësimit dinjitoz, këto arritje shpesh kaluan pa vlerësim institucional, ndryshe nga praktikat që ndiqen për sportistët e tjerë.

Përfshirje pa transparencë dhe njohje

Një tjetër problematikë e evidentuar ndër vite lidhet me mënyrën e promovimit të përfshirjes sociale. Në disa raste, organizata që prezantohen si gjithëpërfshirëse kanë ftuar atletë të stërvitur prej vitesh në “Edhe Unë Mundem” ose Progetto Filippide, pa e identifikuar bashkëpunimin dhe pa njohur kontributin real të strukturave që kanë punuar me ta.

Kjo situatë nxjerr në pah mungesën e transparencës dhe nevojën për vlerësimin e drejtë të punës së aktorëve që ndërtojnë përfshirjen nga baza.

Vazhdueshmëri falë njerëzve, jo sistemit

Pavarësisht këtyre sfidave, klubi u konsolidua, duke zgjeruar aktivitetet në palestra shkollash dhe duke përfshirë aktivisht nënat në organizim. Ky angazhim u përkthye edhe në rezultate konkrete, përfshirë tituj kampionësh në sportin gjithëpërfshirës.

Kontributi mediatik i Etleva Rrapës, angazhimi i Fatma Methasanit në vitet 2023 dhe 2025, si dhe energjia e Arisa Lekgjonajt në vitin 2024, ndihmuan në ruajtjen e stabilitetit dhe cilësisë së aktiviteteve. Po ashtu, bashkëpunimi me shkollën “Ahmet Gashi”, falë mikëpritjes së drejtoreshës Jamdiella Çipa, zgjeroi pjesëmarrjen e grupeve stërvitore.

2026 dhe pyetja që mbetet hapur

Viti 2026 ka nisur me mbështetjen e një grupi sportdashës në Dibër, në kuadër të aktivitetit “Futboll buzë Drinit”, iniciuar nga gazetari Dëfrim Methasani dhe Robert Bitri, prind i një fëmije me aftësi të kufizuara. Stërvitjet intensive do të vijojnë deri në muajin maj, falë këtij solidariteti human.

“Mirënjohja jonë shkon për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë vazhdimësi. Misioni ynë nuk ndalet këtu,” shprehet Leta Gjoni, bashkëthemeluese e qendrës, duke bërë thirrje për përfshirje dhe mbështetje të mëtejshme.

Kur sistemi mungon, mbetet familja

Historia e Eldës, vajzës së Violetës, është dëshmi se këmbëngulja personale mund të thyejë barriera. Por ajo ngre edhe një pyetje thelbësore: çfarë ndodh me fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara kur mungojnë strukturat, shërbimet dhe politikat e qëndrueshme?

“Edhe Unë Mundem” ka mbijetuar 10 vite falë prindërve, vullnetarëve dhe njerëzve humanë. Por përfshirja sociale nuk mund të mbetet përgjegjësi e disa individëve. Pa strategji institucionale dhe mbështetje reale, këto histori rrezikojnë të mbeten përjashtime, jo standard.

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Të jesh vetvetja në një botë që vazhdimisht përpiqet të të bëjë dikë tjetër është arritja më e madhe.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top