Katër kompani janë përfshirë në listën vjetore të MIT Technology Review për Kompanitë e Teknologjisë Klimatike që duhen ndjekur. Ato përfaqësojnë sektorë të ndryshëm nga energjia bërthamore dhe ajo gjeotermale, te riciklimi i baterive dhe inxhinieria gjenetike duke treguar se inovacioni klimatik mund të jetë edhe një biznes fitimprurës, pavarësisht sfidave politike e ekonomike në SHBA.
Këto startup-e janë përzgjedhur bazuar në disa kritere, përfshirë potencialin për të ulur ndjeshëm emetimet e karbonit dhe aftësinë për t’u shndërruar në biznese të qëndrueshme. Sipas redaktorit të MIT Technology Review, James Temple, lista e këtij viti është më e shkurtër se në vitet e mëparshme, por më e larmishme gjeografikisht, duke përfshirë kompani edhe nga Kanadaja, Kina, Gjermania, India dhe Suedia.
Këto janë katër startup-et amerikane që u përfshinë në listë:
Fervo Energy
Fervo Energy, me seli në Houston, po përdor teknikat e industrisë së naftës dhe gazit për ta bërë energjinë gjeotermale më të lirë dhe të arritshme. Ndryshe nga metodat tradicionale që kërkojnë zona të veçanta , Fervo përdor shpime horizontale dhe frakturim hidraulik për të nxjerrë nxehtësinë nga nëntoka pothuajse kudo.
Në qershor, kompania siguroi 206 milionë dollarë financim, pjesa më e madhe nga fondi i Bill Gates, Breakthrough Energy Catalyst, për ndërtimin e termocentralit të parë të avancuar gjeotermal në Utah. Projekti mori vëmendje edhe nga vetë Gates në blogun e tij.
Ndërkohë, ndryshimet ligjore të fundit në SHBA kanë ruajtur përfitimet fiskale për industrinë gjeotermale dhe atë bërthamore. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, e ka përfshirë gjeotermalen ndër prioritetet kryesore, krahas energjisë bërthamore dhe hidro.
Megjithatë, sfidat përfshijnë proceset e gjata të lejeve dhe rreziqet e mundshme sizmike që lidhen me përdorimin e frakturimit hidraulik.
Kairos Power
Kairos Power, me bazë në Alameda të Kalifornisë, po zhvillon reaktorë bërthamorë të avancuar që synojnë të prodhojnë energji më të lirë, më të sigurt dhe më të bollshme se reaktorët tradicionalë. Teknologjia e kompanisë përdor karburant rezistent ndaj temperaturave të larta dhe një lëng të veçantë ftohës kripë fluori të shkrirë në vend të ujit.
Kompania mbështetet nga Google, me të cilën ka lidhur marrëveshje për zhvillimin e teknologjisë së re të reaktorëve modularë të vegjël, si dhe nënshkroi një kontratë të rëndësishme me një kompani të madhe energjetike në SHBA.
Kairos synon të nisë operimet tregtare deri në vitin 2030, por përballet me disa rreziqe. Projekte të ngjashme me reaktorë me kripë të shkrirë kanë dështuar më parë, ndërsa karburanti i nevojshëm për këtë teknologji kërkon uranium të specializuar, që deri vonë importohej kryesisht nga Rusia.
Pairwise
Pairwise është një startup nga Durham, Karolina e Veriut, që përdor teknologjinë Crispr për modifikimin gjenetik të bimëve. Në bashkëpunim me gjigantët e bioteknologjisë Bayer dhe Corteva, kompania po punon për të krijuar kultura bujqësore që i rezistojnë kushteve gjithnjë e më të vështira të klimës.
Pairwise ka prezantuar tashmë një lloj mustardë më pak të hidhur dhe po zhvillon varietete të reja të misrit, jamit dhe kakaos, në partneritet me Fondacionin Gates dhe kompaninë Mars. Megjithatë, asnjë nga këto produkte të “optimizuara për klimën” nuk ka hyrë ende në treg, dhe mbetet për t’u parë si do të reagojnë konsumatorët ndaj ushqimeve të modifikuara gjenetikisht.
Redwood Materials
Redwood Materials, me seli në Carson City, Nevada, është një nga liderët amerikanë në riciklimin e baterive dhe tani po kalon në fazën e përdorimit të dytë të tyre. Kompania po transformon bateritë e makinave elektrike të përdorura në mikrorrjete energjie, që mund të ndihmojnë stabilitetin e rrjetit elektrik kombëtar përballë rritjes së kërkesës për energji.
Ndërsa përdorimi i makinave elektrike po rritet, kërkesa për minerale si litiumi dhe kobalti është gjithashtu në rritje. Redwood thotë se riciklimi i baterive ul nevojën për nxjerrje të re minerale, forcon zinxhirin e furnizimit vendas dhe redukton deri në 70% emetimet e karbonit krahasuar me përpunimin tradicional të mineraleve.
Sipas MIT Technology Review, teknologjia e mikrorrjeteve është premtuese, por kompania ende përballet me sfida teknike dhe të shkallëzimit. Për më tepër, rënia e kërkesës për makina elektrike mund të ndikojë negativisht në ecurinë e biznesit.
Në përmbledhje, këto katër startup-e po tregojnë se inovacioni i qëndrueshëm mund të jetë njëkohësisht fitimprurës dhe i domosdoshëm për të ardhmen e planetit.