Nga Blerjana Bino

Ky shkrim bazohet në ndërhyrjen time gjatë panelit në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Albanian Women in Audiovisual (AWA), ku u prezantuan gjetjet e raportit “Monitorimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Diskriminuese në Shqipëri (Janar 2024 – Qershor 2025)”, me autore Dorentina Hysa.
Debati publik mbi gjuhën e urrejtjes në Shqipëri zakonisht rrotullohet rreth simptomave më të dukshme postimet virale, shpërthimet verbale apo titujt sensacionalë. Media, shpesh si instrument dhe amplifikues, e shumëfishon problemin. Por rrallë ndalemi të bëjmë pyetjen thelbësore: pse gjuha e urrejtjes vazhdon të jetë problem shqetësues dhe kush përfiton prej saj?
Gjuha e urrejtjes në Shqipëri nuk është rastësore. Ajo lind nga pabarazitë e thella, zhgënjimi dhe lodhja në një shoqëri ku demokracia ekziston formalisht, por nuk është plotësisht funksionale. Nuk është dështim i etikës apo i komunikimit, por dështim i mënyrës si qeverisemi. Kur pushteti përqendrohet, llogaridhënia bëhet selektive dhe drejtësia gërryhet, gjuha e urrejtjes shndërrohet njëkohësisht në shprehje për të pafuqishmit dhe në armë për të fuqishmit.
Ata që kanë ndikim në politikë, media dhe biznes janë mësuar të përdorin gjuhën e urrejtjes në mënyrë strategjike për të mobilizuar mbështetësit, për të diskredituar kundërshtarët dhe për të dominuar vëmendjen publike. E bëjnë këtë pa pasoja, sepse nuk ka kosto reale politike apo institucionale për përhapjen e ndasive dhe ligjërimit diskriminues e përçarës. Kështu është krijuar një kulturë ku urrejtja jo vetëm tolerohet, por instrumentalizohet, duke e kthyer frustrimin social në karburant për pushtetin.
Ta kuptosh këtë realitet nuk do të thotë ta justifikosh. Do të thotë të kuptosh sistemin që e prodhon dhe e shpërblen gjuhën e urrejtjes. Pas çdo shpërthimi në rrjete sociale apo fyerjeje në debat publik qëndron diçka më e madhe: një arkitekturë pabarazie, një boshllëk përgjegjshmërie dhe një mjedis mediatik që shumëfishon zemërimin në vend që ta sfidojë atë.
Më shumë se tre dekada pas tranzicionit, Shqipëria ende duket sikur qëndron pezull mes aspiratës dhe mbërritjes. Institucionet demokratike ekzistojnë, por premtimi se ato do të sillnin drejtësi e mirëqënie është zbehur. Qytetarët janë të lodhur nga një demokraci që predikon përfshirje, por praktikon përjashtimin; që flet për transparencë, por fsheh pabarazinë. Kështu, duket sikur kemi ndërtuar një demokraci që shpërblen provokimin, toleron pabarazinë dhe mbron ata që përfitojnë prej të dyjave.
Kjo lodhje nuk është vetëm politike, por edhe sociale e emocionale. Njerëzit shohin se privilegji shpërblehet dhe ndershmëria shpërfillet. Ata ndihen se, pavarësisht sa punojnë apo angazhohen, rezultati mbetet i pandryshuar. Aksesi është i mbyllur dhe kushtëzuar. Me kalimin e kohës, kjo krijon frustrim kolektiv, gërryen solidaritetin dhe empatinë në shoqëri.
Në këtë klimë, gjuha e urrejtjes, shpesh e hasim përmes komenteve në rrjeteve sociale, bëhet një mënyrë për të rimarrë kontrollin në një sistem që duket i pandjeshëm ndaj nevojave dhe zërit të njerëzve. Ajo që duket si shprehje e urrejtjes, në fakt shpesh është dëshpërim i kanalizuar përmes gjuhës së urrejtjes. Në fakt ky dëshpërim përdoret, riciklohet dhe amplifikohet nga ata që përfitojnë nga ndarja dhe konflikti, ata që kanë ndikim në politikë, media dhe biznes.
Anonimiteti online e thellon këtë fenomen. Interneti ofron iluzionin e fuqisë, sepse zemërimi mund të shprehet pa pasoja. Hapësira digjitale është shndërruar në një dritare të shprehjes emocionale për pakënaqësitë e jetës reale, një vend ku zemërimi zëvendëson dialogun, dhe ku në dukje përngjan sikur kemi liri shprehje por në fakt kemi mungesë të mundësive reale për të pasur ndikim në hapësirën publike dhe vendimmarrje.
Gjuha e urrejtjes nuk është më një shpërthim spontan armiqësie; ajo është kthyer në strategji politike. Përdoret për të polarizuar, për të mobilizuar përmes frikës dhe për të ushtruar presion me synimin për të bërë të heshtin ata që guxojnë. Në mungesë të debatit të vërtetë, agresioni dominon hapësirën publike. Arena politike është kthyer në skenë, ku spektakli zë vendin e përmbajtjes dhe zemërimi maskohet si udhëheqje. Dhe ata që përfitojnë prej këtij realiteti, janë po ata që e frymëzojnë dhe e mundësojnë.
Ky mekanizëm është i leverdishëm: ndan qytetarët, thjeshton çështjet komplekse dhe boshatis diskursin demokratik nga përmbajtja. Problemi nuk është se qytetarët janë tepër emocionalë, por se politika shfrytëzon emocionin në vend që t’i përgjigjet padrejtësisë.
Polarizimi është kthyer si burim politik dhe si model biznesi. Urrejtja shet. Konflikti tërheq klikime, dhe klikimet sjellin të ardhura. Algoritmet promovojnë atë që provokon, jo atë që informon, ndërsa platformat digjitale e kthejnë përplasjen në përmbajtje. Në këtë ekonomi të vëmendjes, urrejtja nuk ndëshkohet, por ajo monetarizohet.
Si pasojë, skandali errëson faktin dhe analiza zëvendësohet nga zhurma. Në një realitet ku zemërimi është bërë i leverdishëm, etika humbet vlerë, dhe shoqëria humbet respektin për dinjitetin njerëzor. Është e vështirë të ndërtosh besim kur agresiviteti dhe armiqësia janë kthyer në pasuri.
Gjuha e urrejtjes në Shqipëri ka edhe një dimension të thellë gjinor, siç dëshmon raporti i monitorimit i AWA-s dhe rastet e raportuara nga Rrjeti “SafeJournalists”. Gratë gazetare, figurat publike, organizatat mbikëqyrëse, veçanërisht ato që sfidojnë pushtetin, përballen me fushata shpifjesh, komente seksiste dhe poshtërime online. Seksizmi dhe armiqësia politike ndërthuren, duke e kthyer gjykimin moral në mjet kontrolli. Pjesëmarrja publike për gratë ka një kosto: të flasësh do të thotë të përballesh me abuzim, të heshtësh do të thotë të zhdukesh nga hapësira publike. Kjo nuk është armiqësi individuale, por riprodhim i përjashtimit sistemik. Kur gratë tërhiqen nga jeta publike prej lodhjes, frikës apo kërcënimit, sfera qytetare zvogëlohet.
Teknologjia dhe inteligjenca artificiale kanë ndryshuar mënyrën se si komunikojmë, por jo domosdoshmërisht për mirë. Platformat digjitale shpërblejnë reagimin, jo reflektimin. Algoritmet amplifikojnë ndarjet, ndërsa sistemet e AI-së, të trajnuara mbi të dhëna me paragjykime, i shumëfishojnë ato. Paradoksi i epokës digjitale është se sa më të lidhur të jemi, aq më të përçarë bëhemi. Teknologjia na ekspozon ndaj më shumë informacioni, por edhe ndaj më shumë manipulimi. Pa qeverisje etike, transparencë algoritmike dhe edukim digjital, teknologjia rrezikon të thellojë pabarazitë dhe të normalizojë urrejtjen si pjesë e ndërveprimit të përditshëm.
Institucionet shqiptare vijojnë të reagojnë më shumë sesa të parandalojnë. Rregullat dhe strategjitë ekzistojnë në letër, por pak zbatohen në praktikë. Elitat politike rrallë përballen me kosto reale për përdorimin ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes, duke krijuar një ndjesi të pandëshkueshmërisë sistemike.
Organet ligjzbatuese duhet të kenë një rol më të fortë. Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet online rrallë hetohen ose ndiqen penalisht, duke lejuar që kërcënimi dhe intimidimi, sidomos ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, të mbeten të pandëshkuara. Kur shkeljet nuk sjellin pasoja ligjore apo politike, urrejtja bëhet normë.
Institucionet duhet të kalojnë nga reagimi simbolik te koordinimi efektiv mes agjencive, organeve ligjzbatuese dhe shoqërisë civile. Fokusi duhet të zhvendoset nga menaxhimi i dëmit te parandalimi, përmes identifikimit të hershëm të rreziqeve, zbatimit të qëndrueshëm të rregullave dhe forcimit të besimit publik se drejtësia vlen për të gjithë, jo vetëm për të pafuqishmit.
Institucionet e pavarura, si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokati i Popullit, kanë mbështetur gjithnjë e më shumë përpjekjet e shoqërisë civile dhe duhet ta vazhdojnë këtë rol me më shumë angazhim dhe vizibilitet. Bashkëpunimi i tyre me shoqërinë civile duhet të jetë sistematik dhe i qëndrueshëm, duke siguruar që reagimi ndaj gjuhës së urrejtjes të jetë i ankoruar institucionalisht dhe i dukshëm publikisht.
Organizatat e shoqërisë civile mbeten mbrojtësit e vijës së parë përballë gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Ne monitorojmë, kërkojmë llogari, ngremë alarme dhe shprehim solidaritet, por solidariteti nuk mjafton. Ende mungojnë burimet, mekanizmat dhe koordinimi për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për viktimat.
Ndërgjegjësimi është i rëndësishëm, por viktimat kanë nevojë për ndihmë konkrete: ndihmë ligjore, mbështetje psikologjike, mundësi për tu zhvendosur dhe mekanizma mbrojtjeje. Ka disa iniciativa pozitive e nisma të reja si Rrjeti i “Grave në Media” në Shqipëri, “Aleanca Mediatike Etike Shqiptare” dhe “Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes”, që duhet të konsolidohen. Bashkëpunimi mes organizatave po forcohet përmes avokatisë së përbashkët dhe deklaratave të përbashkëta me rrjete si “SafeJournalists Network”, “Media Freedom Rapid Response” dhe organizata të tjera shqiptare që mbrojnë lirinë e medias.
Por përtej rolit si roje vigjilente, shoqëria civile duhet të fokusohet tek njerëzit pas rasteve duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për viktimat dhe duke bashkëpunuar me institucionet, median dhe komunitetet për të adresuar shkaqet e rrënjosura të urrejtjes, pandëshkueshmërisë dhe dobësisë institucionale.
Ndryshimi afatgjatë kërkon edukim që fuqizon qytetarët të mendojnë kritikisht, të dialogojnë me respekt në hapësirat digjitale dhe publike, dhe të kuptojnë mekanizmat e manipulimit. Edukimi për median dhe informacionin si dhe kompetencat digjitale dhe të inteligjencës artificiale duhet të jenë pjesë themelore e arsimit në shkolla, universitete dhe administratë publike. Këto nuk janë thjesht aftësi teknike, por themele etike dhe qytetare. Siç tregojnë demokracitë evropiane, edukimi për median dhe informacionin si edhe për inteligjencën artificiale nuk është vetëm çështje njohurish dhe kompetencash, por e drejtë demokratike, sistemi imunitar i një shoqërie të informuar.
Nëse gjuha e urrejtjes pasqyron rraskapitjen e demokracisë shqiptare që mbetet pezull mes aspirates dhe mbëritjes, atëherë përgjigjja e vetme për zgjidhje të vlefshme është një rilindje e përgjegjësisë demokratike: politike, institucionale dhe qytetare. Kjo kërkon më shumë se rregullim ligjor; kërkon një ndryshim kulture dhe llogaridhënieje, të bazuar në parime të përbashkëta dhe në vullnet për t’i zbatuar ato.
Së pari, gjuha e urrejtjes duhet të bëhet politikisht e kushtueshme. Udhëheqësit dhe zyrtarët publikë duhet të mbahen përgjegjës për gjuhën përçarëse dhe dehumanizuese. Kodet etike duhet të zbatohen. Politika nuk mund të vazhdojë ta përdorë urrejtjen si mjet mobilizimi apo si gjuhë të pushtetit. Duhet të kërkojmë nga liderët tanë vetë-përmbajtje, empati dhe respekt, jo manipulim përmes zemërimit.
Së dyti, skandali dhe zemërimi duhet të humbasin vlerën e tyre ekonomike, pra duhen hequr incentivat ekonomike që mban në këmbë këtë model. Mediat dhe platformat digjitale nuk duhet të përfitojnë më nga polarizimi. Integriteti, saktësia dhe besimi publik duhet të zëvendësojnë klikimet dhe sensacionin si matës të suksesit. Kjo nënkupton edhe çmontimin e sistemeve korruptive që dëmtojnë integritetin e mediasduke filluar nga klientelizmi te kapja politike. Vetëm përmes transparencës, vetërregullimit dhe etikës profesionale gazetaria mund të rifitojë misionin e saj demokratik. Gazetarët duhet gjithashtu të fitojnë besimin dhe aleancën e qytetarëve, duke treguar se mbrojtja e lirisë së medias nuk është interes i mbrojtjes së biznesit, por mbrojtje e të drejtës së çdo qytetari për informacion të vërtetë.
Së treti, edukimi për median dhe informacionin, i shoqëruar me aftësitë digjitale, duhet të trajtohet si e drejtë dhe jo privilegj. Qytetarët kanë nevojë për njohuri dhe mjete për të menduar në mënyrë kritike, për të njohur manipulimin dhe për të vepruar me përgjegjësi në hapësirat digjitale e publike. T’i fuqizosh njerëzit që të njohin dhe refuzojnë urrejtjen është po aq e rëndësishme sa të mbash përgjegjës ata që e përhapin dhe e shumëfishojnë atë.
Së katërti, institucionet duhet të mësojnë të parandalojnë, jo vetëm të reagojnë. Deklaratat simbolike nuk mjaftojnë. Parandalimi kërkon monitorim të vazhdueshëm, zbatim real dhe bashkëpunim të thelluar me shoqërinë civile dhe median e pavarur. Organet ligjzbatuese, institucionet rregullatore dhe ato mbikëqyrëse duhet të punojnë së bashku për të siguruar që gjuha e urrejtjes të ketë pasoja, dhe që drejtësia të jetë e efektive për të gjithë.
Së pesti, ata që mbrojnë interesin publik duhet të mbrohen. Gazetarët, aktivistët dhe organizatat mbikëqyrëse që përballen me kërcënime dhe intimidime meritojnë mbrojtje sistematike ligjore, psikologjike dhe profesionale.Solidariteti brenda komunitetit të medias dhe mes medias e shoqërisë është thelbësor. Të mbrosh gazetarët do të thotë të mbrosh të drejtën e qytetarëve për të ditur, për të pyetur dhe për të marrë pjesë lirisht në demokraci.
Së fundi, përgjegjësia dhe etika duhet të bëhen norma jonë kolektive, jo akte të rralla guximi.
Vetërregullimi, integriteti profesional dhe empatia duhet të udhëheqin mënyrën se si flasim, raportojmë dhe ndërveprojmë. Duhet t’i rikthehemi parimit themelor të respektit për dinjitetin njerëzor në fjalë dhe në veprim vetëm kështu mund të rikthejmë besimin tek fjala e lirë dhe tek vetë demokracia.
