Në një periudhë të shpejtë përparimi teknologjik, ku inteligjenca artificiale po ndryshon thelbësisht mënyrën se si operojnë bizneset dhe shërbimet, Bleta, një model gjuhësor i avancuar në gjuhën shqipe, ka dalë në skenë si një novator i jashtëzakonshëm. I zhvilluar nga startup-i Dialogo, ky model i parë në trevat shqipfolëse, synon të transformojë mënyrën se si krijohet dhe menaxhohet përmbajtja në shqip, duke ofruar zgjidhje të avancuara dhe efikasitet në një gamë të gjerë fushash. Në këtë intervistë do të eksploroni rrugëtimin e Bletës dhe Dialogo-s, si dhe sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar këtë projekt të guximshëm dhe inovativ.
Na fol pak më shumë për Bletën, çfarë ke bërë deri më tani dhe çfarë synon?
Bleta është një model gjuhësor me inteligjencë artificiale që prodhon tekste në gjuhën shqipe. Është modeli i parë i tillë në trevat shqipfolëse dhe është një nga produktet e kompanisë Dialogo, ku ne punojmë. Deri tani, kemi zhvilluar një model të avancuar që mund të ndihmojë në shumë fusha, nga automatizimi i proceseve administrative deri te krijimi i përmbajtjes me cilësi të lartë në gjuhën shqipe. Synimi ynë është të përmirësojmë më tej këtë model dhe ta bëjmë atë të aksesueshëm për një gamë më të gjerë përdoruesish, ndaj edhe e kemi hapur kodin e bletës që të aksesohet nga të gjithë.
A është ky një startup i nisur?
Startup-i quhet Dialogo, siç e përmendëm më parë. Dialogo është një platformë që u lejon bizneseve të integrojnë IA në proceset dhe shërbimet e tyre, duke automatizuar dhe ulur kostot. Në vend që një biznes të punësojë një ekip programuesish dhe të kalojë muaj të tërë duke zhvilluar një aplikacion IA, me Dialogo, ata mund të krijojnë aplikacione IA të fuqishme pa pasur nevojën për një staf teknik dhe me kosto shumë më të ulëta. Platforma jonë është e lehtë për t’u përdorur dhe mundëson krijimin e zgjidhjeve të personalizuara për çdo biznes.
Je vetëm në këtë sfidë, apo ke një skuadër?
Jemi 3 vetë që punojmë së bashku. Unë merrem me zhvillimet teknike, ndërsa kolegët e tjerë merren me marketingun dhe shitjet. Ne punojmë në mënyrë të ngushtë për të siguruar që platforma jonë të plotësojë nevojat e klientëve tanë dhe të ofrojmë një shërbim cilësor.
Kujt do t’i vlejë Bleta? Cilat janë avantazhet e saj?
Bleta, si një model IA në gjuhën shqipe, mund të përdoret nga institucione shtetërore deri te bizneset private. Për shembull, me anë të Bletës mund të automatizohet procesi i Transpozimit të Aqcuis për Integrimin Europian, një proces që zakonisht kërkon shumë kohë dhe burime njerëzore. Gjithashtu, mund të gjenerojë tekst me cilësi të lartë në shqip, të ndihmojë në përkthime, të asistojë në proceset administrative dhe të ndihmojë në edukimin dhe trajnimin e stafit. Avantazhet e saj përfshijnë uljen e kostove, rritjen e efikasitetit dhe ofrimin e zgjidhjeve të personalizuara për nevojat specifike të përdoruesve.
Si lindi ideja për Dialogo?
Rreth dy vjet më parë, krijova një asistent me inteligjencë artificiale për e-Albanian, që u mundësonte përdoruesve të navigonin shërbimet e e-Albanias nëpërmjet një ndërfaqeje chat, sikur të flisnin me një person. Ky produkt u bë viral dhe shumë njerëz më mbështetën. Për ta krijuar atë sistem, më deshën katër muaj pune intensive dhe shpenzime të konsiderueshme. Kjo më bëri të mendoj për krijimin e një platforme që mundëson krijimin dhe menaxhimin e asistentëve IA pa përdorur kod dhe në mënyrë të shpejtë. Kjo ishte ideja fillestare që më dha shtysë për të krijuar platformën Dialogo.
Cilat janë sfidat tuaja në realizimin e produktit?
Sfida kryesore për momentin është edukimi dhe prezantimi i platformës te bizneset, sepse në Shqipëri ende jo të gjithë njerëzit e kuptojnë potencialin e vërtetë të IA. Ne jemi duke punuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të treguar se si IA mund të përmirësojë efikasitetin dhe të ulë kostot. Gjithashtu, sfidë është edhe krijimi i besimit te klientët për të përdorur një teknologji të re dhe inovative.
Kur do ta kemi gati produktin për përdorim?
Platforma është tashmë gati dhe ka klientë aktivë në disa shtete të Europës si Zvicra, Gjermania, Italia, por edhe në Shqipëri. Ne vazhdojmë të përmirësojmë dhe të zgjasim funksionalitetet e platformës, dhe jemi të gatshëm të pranojmë klientë të rinj që duan të përfitojnë nga avantazhet e AI në bizneset e tyre.