integrim

Ballkani në udhëkryq, integrim apo garë armatimi?

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

SHKRUAR NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ

Kohët e fundit Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka artikuluar një propozim që ai e quan “zgjidhja e vetme reale për paqen”: anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE njëkohësisht, si një “pako” e vetme. Procesi i zgjerimit të NATO-s dhe BE-së drejt Lindjes ka qenë historikisht suksesi më i madh i projektit të paqes pas Luftës së Ftohtë. Përvojat e kaluara të ish-vendeve komuniste, nga Baltiku e deri në Detin e Zi, kanë dëshmuar një rregull pothuajse të pashkruar që ka shërbyer si shtyllë kurrizore e stabilitetit evropian: siguria e garantuar nga anëtarësimi në NATO ka shërbyer pothuajse gjithmonë si “para-dhoma” e domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ky rrugëtim linear, ku stabiliteti ushtarak paraprin prosperitetin ekonomik, ka funksionuar si një filtër i fuqishëm për të garantuar që asnjë anëtar i ri të mos bëhet burim tensioni apo pasigurie brenda familjes evropiane. NATO jo vetëm që ofron ombrellën e mbrojtjes kolektive, por imponon reforma të thella në sundimin e ligjit dhe kontrollin civil mbi ushtrinë, të cilat janë parakushte jetike për demokracitë që aspirojnë anëtarësimin në BE. Studjuesi veton Surroi qartëson se SHBA në dokumentin e fundit të sigurisë kombëtare insistojnë se: “normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetësohet me njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve dhe se në këtë rrugëtim nuk do të tolerohen “këmbim territoresh, ndarje ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor”. Parimi historik i anëtarësimit në NATO si parakusht i pashmangshëm përpara integrimit në Bashkimin Evropian po sfidohet nga dinamikat e fundit rajonale. Serbia po tenton të imponojë një paradigmë të re gjeopolitike, e cila anashkalon totalisht dimensionin e sigurisë kolektive dhe arkitekturën e stabilitetit të vendosur pas luftërave në ish-Jugosllavi.

Përmes kësaj strategjie, Beogradi kërkon të përfitojë nga tregu i përbashkët evropian pa u shkëputur nga influencat ushtarake ruse dhe kineze. Serbi me këtë propozim thyen traditën e konsoliduar të vendeve të Evropës Lindore, ku anëtarësimi në NATO shërbeu si ‘pasaporta’ e vetme dhe “para-dhoma” e sigurt drejt Brukselit. Nën sipërfaqen e këtij propozimi “paqësor: për anëtarësim kolektiv, fshihet një manovër diplomatike për të anashkaluar NATO-në. Si i vetmi vend në rajon që refuzon zyrtarisht NATO-në, Serbia promovon një doktrinë të ‘neutralitetit ushtarak’, që në praktikë anon gjithnjë e më shumë drejt Lindjes, duke u shndërruar në zemër të Evropës në një urë për interesat e fuqive jomiqësore me Perëndimin. Kërkesa për të hyrë në BE pa kaluar nëpër filtrin e NATO-s synon të importojë një shtet me orientim të kundërt strategjik brenda strukturave të mbrojtjes evropiane, duke krijuar një precedent të rrezikshëm që mund të paralizojë vendimmarrjen e Unionit në kohë krizash globale. Kjo sfidë bëhet edhe më e ndërlikuar kur merret parasysh se diplomacia serbe është jashtëzakonisht aktive në një fushatë agresive për të shpërbërë dhe penguar njohjet e reja për Kosovën, duke shkelur marrëveshjen e Ohrit dhe duke minuar parimin e fqinjësisë së mirë që është gurthemeli i integrimit në BE.

Faktori që pesë vende anëtare të BE-së dhe NATO-s ende nuk e njohin ende Kosovën si një shtet i pavarur krijon një çarje gjeopolitike që Beogradi e shfrytëzon për të mbajtur rajonin në një gjendje pezullie. Ky pozicionim bie ndesh me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, një dokument që ka rritur tonet ndaj “zonave gri”. Uashingtoni tani kërkon që Ballkani të mos shihet më si një laborator eksperimentesh diplomatike, por si një front ku ndikimi vendeve jo miqësore/ armiqësore duhet të zmbrapset përmes integrimit të plotë ushtarak dhe politik. Diplomacia ndërkombëtare thekson se stabiliteti nuk mund të arrihet duke financuar regjime që luajnë me “dy karrige”, por duke forcuar vendet që ndajnë vlerat e mbrojtjes kolektive. Mësimet që NATO dhe BE ka nxjerr nga konflikti tragjik midis Rusisë dhe Ukrainës janë të qarta dhe urgjente: vonesat në integrimin formal dhe lënia e vendeve në “harresë strategjike” krijojnë vakuume që vendet jo miqësore i mbushi me destabilizim, sic ndodh aktualisht në Bosnie Hercekovinë dhe disa vende të tjera të BP-rë. Nëse Ballkani Perëndimor nuk ankorohet plotësisht në strukturat euro-atlantike, ai rrezikon të bëhet një front i dytë i luftës hibride, ku hiri i konflikteve të vjetra mund të rindizet nga provokimet territoriale.

Në këtë kontekst, armatimi masiv dhe i kushtueshëm i Serbisë gjatë viteve të fundit nuk mund të interpretohet më si një nevojë legjitime mbrojtëse, por kërcënim për sigurinë rajonale. Kjo armatosje e rëndë dhe e kushtueshme shërben si një mjet shantazhi ushtarak dhe diplomatic. duke e portretizuar bashkëpunimin legjitim në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë si një kërcënim ekzistencial për serbët. Pasojat e kësaj garë armatimi janë dërrmuese për ekonomitë e brishta të rajonit po kërcënojnë qëndrueshmërinë e buxhetet kombëtare. Në vitin 2025, shpenzimet ushtarake të deklaruara të Serbisë tejkalojnë 2.5% të PBB-së, duke shkaktuar një reaksion zinxhir për fqinjtë që të detyrohen edhe ata të alokojnë fonde të jashtëzakonshme.për mbrojtjen. Ky militarizim mbart një “kosto të madhe dhe barrë të rëndë” edhe për taksapaguesit.

Miliarda euro që duhet të shkojnë për modernizimin e spitaleve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe tranzicionin e gjelbër, po “digjen” në blerjen e teknologjisë luftarake që mund të vjetrohet shumë shpejt. Kjo pasiguri e rritur krijon një barrierë të padukshme për investimet e huaja cilësore; kapitali global kërkon stabilitet dhe parashikueshmëri, jo një rajon ku flitet çdo ditë për “vijat e kuqe” dhe gatishmërinë luftarake. Si pasojë, borxhet rriten, ndërsa ikja e trurit dhe emigrimi masiv i të rinjve përshpejtohen, duke e lënë Ballkanin të “armatosur deri në dhëmbë”, por ekonomikisht të dobët përballë sfidave sociale në rritje.

Paqja në Ballkan nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ajo bazohet në një balancë të brishtë forcash ushtarake apo në lojërat e “pakove” anëtarësuese që fshehin dështimet e brendshme. NATO dhe BE e kanë të qartë se çdo lëshim ndaj strategjisë së Vuçiçit për të hyrë në Evropë pa u ndarë nga influenca tradicionale është një investim në pasigurinë e nesërme. Integrimi i vërtetë kërkon një zgjedhje të qartë dhe të prerë: linjëzim të plotë me politikat e sigurisë kolektive, njohje të realiteteve të reja në rajon dhe dhënien fund të garës absurde të armatimit. Vetëm kur buxhetet e rajonit të pushojnë së ushqyeri makineritë e luftës dhe të fillojnë të financojnë mirëqenien e qytetarëve, Ballkani do të mund të thotë se e ka lënë pas historinë e tij të përgjakshme për t’u bërë pjesë integrale e familjes euro-atlantike.

panorama.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top