Viti 2026 sapo ka nisur dhe miliona njerëz po përpiqen të mbajnë premtimet e Vitit të Ri, një nga zërat më të rëndësishëm në fushën e varësisë po jep një sinjal alarmi, mënyra si përdorim teknologjinë po na bën më të varur, jo më të lirë.
Dr. Anna Lembke, drejtuese e Klinikës së Varësisë në Universitetin Stanford, ishte e ftuar në podcastin shumë të ndjekur Diary of a CEO, ku foli hapur për mënyrën si formohen varësitë moderne dhe pse është kaq e vështirë të shkëputemi nga to.
Sipas saj, problemi nuk është thjesht teknologjia, por mënyra se si ajo është projektuar, për të stimuluar vazhdimisht trurin tonë me kënaqësi të shpejtë. Dopamina, kimikati që lidhet me motivimin dhe shpërblimin, aktivizohet natyrshëm kur hamë, pushojmë ose arrijmë diçka të rëndësishme. Por aplikacionet, rrjetet sociale dhe platformat digjitale janë ndërtuar për ta aktivizuar këtë sistem në mënyrë artificiale, shumë më shpesh dhe më fort sesa në jetën reale.
“Marrëdhëniet njerëzore po ‘infektohen’ nga një varësi ndaj shpërblimeve të shpejta dhe vëmendjes online,” shpjegon Lembke.
“Rrjetet sociale, aplikacionet e takimeve dhe tani edhe inteligjenca artificiale janë krijuar për të na lavdëruar, për të na bërë të ndihemi të vërtetuar, pa asnjë rezistencë, pa asnjë përpjekje reale.”
Kjo, sipas saj, na largon gradualisht nga aktivitetet që kërkojnë mund, durim dhe angazhim emocional: miqësitë e vërteta, familja, puna krijuese, sporti, leximi apo ndërtimi i diçkaje me kuptim.
Paradoksi është se teknologjia na ka dhënë më shumë kohë të lirë se kurrë më parë, por ne po e mbushim atë me konsum pasiv dhe stimul të vazhdueshëm, jo me zhvillim personal apo kontribut shoqëror.
“Në teori, ne do të kishim më shumë kohë për të ndihmuar njëri-tjetrin, për t’u marrë me art, filozofi, për të përmirësuar botën përreth,” thotë ajo. “Në praktikë, një pjesë shumë e madhe e kësaj kohe po shkon për aktivitete që na izolojnë dhe na varfërojnë emocionalisht.”
Mesazhi i saj nuk është kundër teknologjisë, por një thirrje për vetëdije, pa kufij të qartë dhe pa qëllim, mjetet që duhet të na shërbejnë mund të na konsumojnë.
Ndoshta pyetja kryesore për fillimin e këtij viti nuk është “Si të jem më produktiv?”, por,
“Si ta përdor kohën time në mënyrë që të më bëjë realisht më të shëndetshëm, më të lidhur me njerëzit dhe më të plotësuar?”
