suedi

Pas zhgënjimit me digjitalizimin, Suedia rikthen librat në shkolla

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Shkollat në Suedi po i kthehen metodave më tradicionale të mësimdhënies, si leximi nga libra fizikë, pasi u vu re një rënie e nivelit të leximit gjatë viteve kur në klasa dominonin iPad-ët dhe laptopët.

Tashmë theksi është zhvendosur drejt përdorimit të teksteve të shtypura, shkrimit me dorë dhe reduktimit të kohës para ekranit, veçanërisht në arsimin fillor. Sipas ekspertëve, kjo qasje ka sjellë përmirësime të dukshme në aftësitë e leximit të nxënësve.

Disa mësues raportojnë se vetë nxënësit po kërkojnë më shumë libra dhe materiale në letër, duke theksuar se mësojnë më shpejt dhe e mbajnë mend informacionin më mirë sesa kur përdorin pajisje elektronike.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton një ndalim të plotë të teknologjisë në shkolla. Pajisjet digjitale vazhdojnë të përdoren, por qeveria suedeze ka investuar miliona euro për blerjen e teksteve të reja shkollore dhe librave për bibliotekat.

Gjatë viteve 2000 dhe 2010, librat tradicionalë u zëvendësuan gradualisht me pajisje elektronike, me synimin për t’i përgatitur nxënësit për një botë gjithnjë e më digjitale. Por duket se kjo strategji nuk dha rezultatet e pritshme.

Suedi, e cila në vitin 2000 renditej ndër vendet me standardet më të larta të leximit në Evropë, nisi të shënojë rënie në këtë drejtim. Në vitin 2012, pas disa vitesh përkeqësimi, rezultatet e saj në testin ndërkombëtar PISA, që mat aftësitë në lexim, matematikë dhe shkencë te 15-vjeçarët, arritën nivelin më të ulët.

Sot, me rikthimin e librave në klasa dhe me mbështetjen e gjerë publike, situata po përmirësohet gradualisht. Shteti ka nisur edhe një sfidë kombëtare leximi për nxënësit dhjetëvjeçarë, ku klasat që lexojnë më shumë libra shpërblehen me çmime.

Ky ndryshim shënon një kthesë të rëndësishme në politikat arsimore suedeze, duke rikonfirmuar rëndësinë e librit si një mjet thelbësor në procesin e të nxënit.

bbc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top