Depresioni përfshin ndjenja trishtimi, ndjenja dëshpërimi, humbje të interesit ose kënaqësisë për aktivitetet e përditshme etj. Këto janë ndjenja të njohura për të gjithë ne dhe rreziku është nëse ato ndikojnë ndjeshëm në jetën tonë.
Në këtë artikull do mësoni çështjet kryesore rreth depresionit, konkretisht:
- Çfarë është depresioni?
- Faktorët e rrezikut për depresion
- Si trajtohet depresioni?
- Nënllojet e depresionit
1. Çfarë është depresioni?
Depresioni është një çrregullim që ndikon negativisht në mënyrën se si ndiheni, mënyrën se si mendoni dhe si veproni. Depresioni kryesisht shkakton ndjenjën e trishtimit dhe / ose humbjen e interesit për aktivitetet që ju kanë pëlqyer dikur.
Mos trajtimi mund të sjellë në një sërë problemesh emocionale dhe fizike dhe mund të zvogëlojë aftësinë tuaj për të funksionuar në punë dhe në shtëpi.
Simptomat e depresionit mund të ndryshojnë nga të lehta në të rënda dhe mund të përfshijnë:
- Ndjenja trishtimi ose gjendje shpirtërore të dëshpëruar;
- Humbja e interesit ose kënaqësisë në aktivitetet që i shijonit dikur;
- Ndryshimet në oreks – humbje ose fitim peshe;
- Probleme me të rënit në gjumë ose të fjeturit shumë;
- Humbja e energjisë ose lodhja e shtuar;
- Pakontrroll i aktivitetit fizik (p.sh., paaftësia për të ndenjur i qetë,, shtrëngimi i duarve) ose lëvizjet e ngadalësuara ose probleme të të folurit;
- Ndiheni të pavlefshëm ose fajtor;
- Vështirësi për të menduar, përqendruar ose marrë vendime;
- Mendime për vdekje ose vetëvrasje;
Simptomat duhet të zgjasin të paktën dy javë dhe duhet të paraqesin një ndryshim të dukshëm të funksionimit tuaj të mëparshëm për tu diagnostikuar me depresion. Mbani mend se vetëm një mjek psikiatër ose psikolog mund të vlerëson nëse keni apo jo depresion.
Kushtet mjekësore, mund të imitojnë simptomat e depresionit kështu që është e rëndësishme të përjashtohen shkaqet e përgjithshme mjekësore.:
- Problemet e tiroides;
- Një tumor i trurit;
- Mungesa e vitaminave;
-
Depresioni ndryshon nga trishtimi
Vdekja e një të dashuri, humbja e një pune ose përfundimi i një marrëdhënie janë përvoja të vështira për t’u duruar nga një person.
Ndjenjat e trishtimit ose pikëllimit që zhvillohen në përgjigje të situatave të tilla, janë normale. Ata që përjetojnë humbje shpesh mund ta përshkruajnë veten si “të dëshpëruar”. Por të jesh i trishtuar nuk është njësoj si të kesh depresion.
Procesi i pikëllimit është i natyrshëm dhe unik për secilin individ dhe ndodh të ketë tipare të ngjashme të depresionit. Pikëllimi dhe depresioni mund të përfshijnë trishtim të nivelit të lartë dhe shmangie nga aktivitetet e zakonshme.
Por gjithashtu ndryshojnë mes tyre:
Trishtim Depresion Ndjenjat e dhimbshme shpesh vijnë menjëhehë dhe të përziera me kujtime ose ndjesi pozitive. Gjendja shpirtërore dhe / ose interesi (kënaqësia) ulen ndjeshëm për dy javë. Vetëvlerësimi zakonisht ruhet. Ndjenjat e pavlefshmërisë dhe urrejtjes ndaj vetes janë të zakonshme Mendimet për vdekjen mund të shfaqen kur mendojnë ose fantazojnë për “bashkimin” me të dashurin e ndjerë Mendimet janë përqendruar në përfundimin e jetës pasi nuk janë në gjendje të përballojnë dhimbjen e depresionit. Trishtimi dhe depresioni mund të bashkëjetojnë.
Për disa njerëz, vdekja e një të dashuri, humbja e një pune, të qenit viktimë e një sulmi fizik ose një katastrofe të madhe mund të çojë në depresion.
Kur trishtimi dhe depresioni bashkë-ndodhin, trishtimi është më i rëndë dhe zgjat më shumë se trishtimi pa depresion.
Dallimi midis trishtimit dhe depresionit është i rëndësishëm dhe mund t’i ndihmojë njerëzit të marrin ndihmën, mbështetjen ose trajtimin e duhur.
2. Faktorët e rrezikut për depresionin
Depresioni mund të prek këdo – madje edhe një person që duket se jeton në rrethana relativisht ideale.
Disa faktorë mund të luajnë një rol nxitës për në depresionin:
Biokimia
Dallimet në disa kimikate në tru mund të kontribuojnë në simptomat e depresionit.
Gjenetika
Depresioni mund të shfaqet në familje. Për shembull, nëse një binjak identik ka depresion, tjetri ka 70% shanse të ketë poashtu.
Personaliteti
Personalitete te caktuara ose personat me vetëvlerësim të ulët, të cilët mbingarkohen lehtësisht nga stresi, ose që janë përgjithësisht pesimistë duket se kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë depresion.
Faktorët e mjedisit
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dhunës, neglizhencës, abuzimit ose varfërisë mund t’i bëjë disa njerëz më të prekshëm nga depresioni.
3. Si trajtohet depresioni?
Depresioni është një nga çrregullimet mendore më të trajtuara. Midis 80% dhe 90% e njerëzve me depresion i përgjigjen mirë trajtimit.
Pothuajse të gjithë pacientët fitojnë lehtësim nga simptomat e tyre, në përfundim të terapisë.
Profesionisti i shëndetit mendor duhet të kryejë një vlerësim të plotë për të përcaktuar llojin e trajtimit apo diagnozën. Në këtë proces përfshihet intervista terapeutike, pyetësorë, inventarë dhe një ekzaminim fizik.
Psikologu do të kërkojë për gjetjen e shkaqeve tek:
- Ana shëndetësore;
- Historinë familjare;
- Përdorimi i medikamenteve drograve të ndryshme;
- Historinë personale, ngjarjet traumatike etj.
Ka raste që psikologu/mjeku t’i kërkojë pacientit një test gjaku për tu siguruar që depresioni nuk është shkak i ndonnjë gjendje mjekësore si problem tiroide ose një mungesë të vitaminave. Përjashtimi i shkakut mjekësor do të bëjë të kërkohen shkaqe të tjera. Për shembull gjatë eksplorimit të historive familjare mund të identifikohen simptoma të tjera specifike.
Trajtimi i depresionit mund të përfshijë
- Antidepresantë dhe qetësues;
- Psiokoterapi;
- Terapia Elektrokonvulsive (ECT);
- Vetë-ndihma;
Antidepresantët dhe qetësuesit
Antidepresantët mund të prodhojnë një farë përmirësimi brenda javës së parë ose të dytë të përdorimit, megjithatë përfitimet e plota nuk mund të shihen pa kaluar dy ose tre muaj.
Nëse një pacient ndjen pak ose aspak përmirësim pas disa javësh, psikiatri i tij mund të ndryshojë dozën e ilaçeve, të shtojë ose zëvendësojë antidepresivin.
Është e rëndësishme të njoftoni mjekun tuaj nëse një ilaç nuk funksionon ose nëse përjetoni efekte anësore.
Psikiatrit zakonisht rekomandojnë që pacientët të vazhdojnë të marrin ilaçe për gjashtë ose më shumë muaj pasi simptomat janë përmirësuar. Një trajtim më afatgjatë i mirëmbajtjes mund të sugjerohet për të ulur rrezikun e episodeve të ardhshme për njerëz me rrezik të lartë.
Psikoterapi
Nëse dikush po kalon një episod depresiv, mjeku rekomandon mbështetje psikologjike, ndonjëherë së bashku me mjekim.
Terapia konjitive e sjelljes
Në depresion, modelet negative të mendimit si vetë-dyshimi dhe ndjenjat e fajit shpesh e përkeqësojnë problemin. Terapia konjitive e sjelljes synon t’i thyejë këto modele pak nga pak, në mënyrë që njerëzit të ndihen më mirë me veten e tyre.
Qëllimi i terapisë kognitive të sjelljes është të bëheni më të vetëdijshëm për mendimet, qëndrimet dhe pritjet tuaja. Kjo bën të mundur identifikimin e besimeve të rreme dhe shqetësuese dhe më pas ndryshimin e tyre.
Qasjet psikoanalitike
Qasjet psikoanalitike përfshijnë psikoterapi analitike dhe metoda të bazuara në psikologjinë e thellësisë. Ato bazohen në besimin se konfliktet e pazgjidhura dhe të pavetëdijshme mund të shkaktojnë depresion. Qëllimi është të identifikohen dhe të merren me çështje të panjohura më parë duke biseduar me një terapist.
Terapia sistemike
Qasjet e terapisë sistematike i kushtojnë shumë rëndësi marrëdhënieve midis njerëzve – për shembull, brenda familjes, grupit të miqve ose në punë. Këto marrëdhënie mund të luajnë një rol në zhvillimin e depresionit. Terapia mund të përfshijë përpjekjen për të përmirësuar komunikimin brenda familjes.
Lexo edhe: Çfarë mund të bëjnë prindërit për të zvogëluar gjasat që fëmijët të sëmuren dhe të humbasin shkollënPsikoterapia mund të jetë:
- Individuale;
- Familjare;
- Çift;
- Grup;
AdresimI i çështjeve shqetësuese brenda këtyre marrëdhënieve të ngushta, është një ndihmesë shumë e madhe për shërimin. Terapia në grup bashkon njerëzit me probleme të ngjashme së bashku në një mjedis mbështetës dhe mund të ndihmojë pjesëmarrësin të mësojë se si të tjerët përballen në situata të ngjashme.
Terapia Elektrokonvulsive (ECT)
Kjo terapi është një trajtim mjekësor që zakonisht rezervohet për pacientët me depresion të rëndë ose madhor të cilët nuk u janë përgjigjur pozitivisht trajtimeve të tjera.
Lexo edhe: Studim i ri: Filizat e brokolit plot përfitime për shëndetin! Çfarë i ndodh trupit nëse i konsumoniProcesi përfshin një stimulim të shkurtër elektrik të trurit, ndërsa pacienti është nën anestezi. Një pacient zakonisht merr ECT dy ose tre herë në javë për një total prej gjashtë deri në 12 trajtime.
Menaxhohet nga një ekip profesionistësh të trajnuar mjekësorë, duke përfshirë një psikiatër, një anesteziolog dhe një infermier ose ndihmës mjek. ECT është përdorur që nga vitet 1940, dhe shumë vite kërkimesh kanë çuar në përmirësime të mëdha dhe njohjen e efektivitetit të saj.
Vetë-ndihma dhe Përballja
Ka një numër gjërash që njerëzit mund të bëjnë për të ndihmuar në uljen e simptomave të depresionit:
- Ushtrimet e rregullta fizike;
- Bërja e mjaftueshëm e një gjumi cilësor në baza të rregullta;
- Ngrënia e një diete të shëndetshme;
- Shmangia e alkoolit;
Nëse po përjetoni simptoma të depresionit, hapi i parë është të vizitoni mjekun familjes/psikiatrin dhe psikologun. Flisni për shqetësimet tuaja dhe kërkoni një vlerësim të plotë.
Ky është një fillim për të adresuar nevojat tuaja të shëndetit mendor dhe që të ndihmoheni nga një profesionist për të trajtuar.
4. Nënllojet e depresionit
Më poshtë do të gjeni të listuar nënllojet e depresionit:
- Depresioni postpartum (depresioni pas lindjes);
- Depresioni sezonal (quhet edhe çrregullim afektiv sezonal);
- Çrregullimet bipolare;
- Çrregullimi depresiv i vazhdueshëm;
- Çrregullimi përçarës i humorit;
- Çrregullimi disforik premenstrual;
Çrregullimi disforik premenstrual
Një grua me këtë çrregullim ka simptomat e rënda të depresionit, nervozizëm dhe tension rreth një javë para fillimit të menstruacioneve.
Simptomat e zakonshme përfshijnë:
- Ndryshime të humorit;
- Nervozizëm;
- Zemërim;
- Gjendje depresive;
- Ankth ose tension të theksuar;
- Munges interesi për aktivitetet e zakonshme;
- Vështirësi në përqendrim;
- Mungesë energjie ose lodhje të lehtë;
- Ndryshime të oreksit me dëshira të veçanta për ushqim;
- Probleme me gjumin;
Simptomat fizike mund të përfshijnë:
- Ndjeshmëri dhe ënjtje të gjirit;
- Dhimbje të kyçeve ose muskujve
- Ndjesi të “fryrjes së barkut” ose shtim në peshë.
Këto simptoma fillojnë një javë deri në 10 ditë para fillimit të menstruacioneve dhe përmirësohen ose ndalen rreth fillimit të tyre. Simptomat sjellin probleme me funksionimin e rregullt ose ndërveprimet shoqërore.
Për t’u diagnoztikuar me këtë çregullim, simptomat duhet të kenë ndodhur në shumicën e cikleve menstruale gjatë vitit të kaluar dhe duhet të kenë një efekt pengues në punën ose funksionimin shoqëror.
Mund të trajtohet me ilacet kundër depresionit, pilulat e kontrollit të lindjes ose shtojcave ushqimore.
Dieta dhe ndryshimet e mënyrës së jetesës, të tilla si zvogëlimi i kafeinës, alkoolit, gjumi i mjaftueshëm, ushtrimet fizike dhe praktikimi i teknikave të relaksimit, mund të ndihmojnë.
Çrregullimi përçarës i humorit
Çrregullimi përçarës i humorit është një gjendje që ndodh tek fëmijët dhe të rinjtë e moshës 6 deri në 18 vjeç. Ai përfshin një nervozizëm kronik dhe të rëndë që rezulton në shpërthime të rënda dhe të shpeshta të temperamentit.
Shpërthimet e temperamentit mund të jenë verbale ose mund të përfshijnë sjellje të tilla si agresioni fizik ndaj njerëzve ose objekteve. Ato duhet të ndodhin mesatarisht (tre ose më shumë herë në javë) dhe zakonisht në përgjigje të frustrimit.
Gjendja shpirtërore e fëmijës është vazhdimisht e irrituar ose e zemëruar në pjesën më të madhe të ditës, gati çdo ditë. Në mënyrë që të bëhet një diagnozë e këtij çrregullimi, simptomat duhet të jenë të pranishme për të paktën një vit në të paktën dy mjedise (të tilla si në shtëpi, në shkollë, me shokët) dhe gjendja duhet të fillojë para moshës 10 vjeç.
Është shumë më i zakonshëm tek meshkujt sesa tek femrat. Mund të ndodhë së bashku me çrregullime të tjera, duke përfshirë depresionin e madh, hiperaktivitetin, ankthin dhe çrregullimet e sjelljes.
Ky çrregullim mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në aftësinë e fëmijës për të funksionuar dhe një ndikim të rëndësishëm në familje si:
- Nervozizmi kronik;
- Shpërthimet e zemërimit;
- Acarim;
- Sulm fizik;
Këto dhe të tjera mund të prishin jetën familjare, e bëjnë të vështirë për fëmijën për të bërë ose mbajtur miqësi dhe i shkakton vështirësi në shkollë. Trajtimi zakonisht përfshin psikoterapi (CBT) dhe / ose ilaçe.
Çrregullimi i vazhdueshëm depresiv
Një person me çrregullim depresiv të vazhdueshëm (i referuar më parë si çrregullim distimik) ka një gjendje depresive për pjesën më të madhe të ditës, për shumë ditë, për të paktën dy vjet.
Tek fëmijët dhe adoleshentët, gjendja shpirtërore mund të jetë nervoze ose depresive dhe duhet të vazhdojë për të paktën një vit për ta diagnostikuar me këtë çregullim.
Lexo edhe: 5 zakone që ju ndihmojnë të jetoni 100 vjetSimptomat e këtij çregullimi përfshijnë:
- Oreks i ulur ose i shtuar;
- Pagjumësi ose hipersomnia;
- Energji e ulët ose lodhje;
- Vetëvlerësim i ulët;
- Përqendrim i dobët ose vështirësi në marrjen e vendimeve;
Çrregullimi i vazhdueshëm depresiv shpesh fillon në fëmijëri, adoleshencë ose në moshën e rritur të hershme. Duke qenë se këto simptoma janë bërë një pjesë e përditshmërisë së individit, ata mund të mos kërkojnë ndihmë.
Simptomat shkaktojnë shqetësime të mëdha ose vështirësi në punë, aktivitete shoqërore ose fusha të tjera të rëndësishme të funksionimit.
Konkluzion
Depresioni është një çrregullim i humorit që shkakton një ndjenjë të vazhdueshme trishtimi dhe humbje interesi. Ndikon në mënyrën se si ndiheni, mendoni, silleni dhe mund të çojë në një sërë problemesh emocionale dhe fizike.
Ju mund të keni probleme të bëni aktivitete normale të përditshme, dhe nganjëherë mund të ndiheni sikur jeta nuk ia vlen të jetohet.
Më shumë sesa thjesht një periudhë e dëshpëruar, depresioni nuk është një dobësi dhe nuk mund ta “heqësh” thjesht atë. Trajtimi i depresionit kërkon ndihmë dhe trajtim profesional.