Rrugë

Si e nxiti frika nga pushtimi sovjetik ndërtimin e “rrugës më të mirë në botë”

Disa orë pasi tanket sovjetike u futën në Çekosllovaki në gusht të vitit 1968, diktatori komunist i Rumanisë, Nicolae Ceausescu, shpalli pushtimin para një turme prej mijëra njerëzish në Bukureshtin qendror.

Shkatërrimi i Pranverës së Pragës, deklaroi ai, “përbënte një rrezik serioz për paqen në Evropë dhe për perspektivat e socializmit botëror”.

Nicolae Caausescu (në qendër djathtas) përgatitet t’i drejtohet një turme në Bukuresht më 21 gusht 1968, disa orë pas pushtimit të Çekosllovakisë nga sovjetikët.

Sfidimi i Kremlinit u pa si një demonstrim i guximshëm i pavarësisë së Rumanisë. Ishte gjithashtu gjë e rrezikshme.

Në javët pas pushtimit të Çekosllovakisë, Ceausescu u përball me skenarë se si mund të shpalosej një sulm nëse planifikuesit e luftës nga Kremlini do të kishin një sy ndëshkues ndaj vendit të tij.

Çdo pushtim tokësor sovjetik mund të vinte nga veriu, ku kufiri i BRSS-së gjarpëronte rreth Rumanisë. Ceausescu vendosi se ishte e domosdoshme të pritej një rrugë drejtpërsëdrejti përmes maleve Fagaras, të cilat ndajnë jugun e populluar të Rumanisë nga Transilvania rurale.

Një rrugë e tillë, u llogarit se do të mundësonte një divizion të blinduar prej rreth 2.000 automjetesh që të vendoseshin në veri në rajonin e Transilvanisë së rrethuar nga malet brenda 24 orëve pas një sulmi sovjetik.

Lindi ideja për rrugën Transfagarasan.

Transfagarasan

Koloneli i pensionuar i ushtrisë rumune, Ion Bratu, konfirmon se “shkas” për ndërtimin e rrugës Transfagarasan, u bë pushtimi i Çekosllovakisë. Bratu tani është 76 vjeç dhe e kujton mirë kohën e tij duke komanduar një ekip prej 175 ushtarësh që punonin fort në malet e Fagaras 50 vjet më parë..

Kolonel

Ndërtimi i rrugës ishte një detyrë monumentale. Malet Fagaras janë vargmali më i lartë në Karpatet Jugore të Rumanisë, majat e të cilave ngrihen më shumë se 2500 metra mbi ultësirat.

“Ishte shumë e vështirë”, rikujton Bratu: “Armiku më i madh ishte i ftohti dhe ndryshimet e menjëhershme të motit”. Në ballë të vështirësive fizike ishin “kafshët e egra, veçanërisht arinjtë dhe ujqërit”, thotë ai. Për më tepër, shumë ushtarë të rinj luftuan me periudha të gjata në shkretëtirën alpine larg njerëzve të dashur. “Të dielave shihja gratë apo të dashurat e djemve që shkonin për t’i parë. Ata përqafoheshin, putheshin dhe qanin së bashku”, thotë Bratu. Paga, megjithatë, ishte e majme.

“Të gjithë ata që punuan në Transfagarasan, nga ushtarët deri te gjeneralët, nga teknikët deri te studiuesit, u kompensuan mirë”, thotë Bratu. Disa punëtorë fitonin pesëfishin e pagës mesatare të vendit në atë kohë.

punime

Detyra për të ndërtuar rrugën iu takonte kryesisht ushtarëve të rinj, ndërsa minatorët u futën për të shpërthyer tunele nëpër male.

Numri i rasteve të vdekjeve gjatë realizimit të projektit në periudhën nga viti 1970 deri më 1974, ende nuk dihet. Të dhënat zyrtare thonë se vdiqën 40 punëtorë, të tjerë besojnë se numri ishte shumë më i lartë. Në një incident të vetëm në korrik të vitit 1970, shtatë ushtarë u vranë nga rrëshqitja e gurëve dhe rrëketë e shiut derisa po strehoheshin nga një stuhi verore.

Terreni i ashpër dhe urgjenca e punës u kapën në një histori të treguar nga një ish-ushtar, i cili përshkroi se kishte parë një buldozer të shtypur “si një mizë” nën një shkëmb që u rrëzua nga mali dhe ra mbi automjet.

Në kohën kur shkëmbi u hoq nga rruga me eksploziv, mbetjet e rrafshuara të buldozerit ishin zhytur aq shumë nën nivelin e rrugës sa punëtorët thjesht mbushën vrimën me buldozerin brenda dhe e rrafshuan.

“Automjeti i varrosur mbetet atje edhe sot e kësaj dite, e padukshme nën sipërfaqen e rrugës”, thotë ushtari i pensionuar.

Tuneli

 

Kur Ceausescu vizitoi rrugën gjatë ndërtimit të saj më 1971, ai urdhëroi që ajo të përmirësohej nga një rrugë me zhavorr, në një rrugë të mbyllur me dy korsi për të inkurajuar zhvillimin e turizmit në male.

“Ky lloj vendimi ishte tipik për Ceausescun”, i tha gazetarja Lavinia Betea një ekipi rumun që merreshin me dokumentarë më 2015. “Gjatë vizitave në kantieret e punës, ose përpara modeleve të bëra nga projektuesit për projektet e ardhshme, ai imponoi ndryshime të mëdha dhe i la specialistët të gjejnë një mënyrë për të realizuar atë që ai kishte sugjeruar”.

Rrugë

Rruga u hap zyrtarisht më 20 shtator 1974, megjithëse ndërtimi i mëtejshëm vazhdoi edhe për disa vite të tjera.

Lartësia e rrugës që prek retë, do të thotë se ajo është e mbyllur nga vjeshta deri në fillim të verës, porse ka tërhequr turistë të shumtë gjatë muajve të ngrohtë.

Popullariteti i saj u rrit edhe nga një paraqitje dramatike televizive e vitit 2009. Në nëntor të atij viti, 6.7 milionë shikues britanikë zunë vend para ekraneve për ta parë një skenë të emisionit automobilistik “Top Gear”, në të cilën prezantuesit ngasin tri supervetura përgjatë rrugës Transfagarasan.

Në kulmin e skenës, drejtuesi kryesor i emisionit, Jeremy Clarkson, deklaroi:

“Kjo është rruga më e mirë në botë”. Për ushtarët dhe punëtorët që ndërtuan rrugën, një gazetar ushtarak tha:

“Ata punuan dhe sakrifikuan me vetëmohim të vërtetë. Ata ishin entuziastë për këtë projekt, jo për komunizmin apo Ceausescun, por sepse e kuptuan rëndësinë e saj, pjesë e së cilës ishin”.

Kolona makinash

Për Bratunë, ato vite pune rraskapitëse në male duket se mbeten një kujtim i dashur.

Ndërtimi i Transfagaranit ishte “një aventurë, një përvojë jete”, tha ai duke shtuar se “rinia dhe entuziazmi kapërcejnë çdo lloj vështirësie”.

Evropaelire

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top