Në qytetin e lashtë të Antigonesë, në jug të Shqipërisë, arkeologët nisën të kërkojnë këtë vit rrënojat e teatrit antik.
Pas kryerjes së studimeve gjeo – fizike arkeologët janë optimistë se do të arrijnë të gjejnë zonën ku shtrihet teatri dhe disa nga monumentet kryesore të qytetit.
Gërmimet e këtij viti sollën në dritë edhe zbulime të reja ku vlerësohet gjetja e strukturave ndërtimore që i përkasin periudhave më të hershme të qytetit që u ndërtua nga mbreti Pirro.
Sipas arkeologëve rreth vitit 295 para Krishtit kjo kodër nën këmbët e malit të Lunxhërisë dhe përballë qytetit të sotëm të Gjirokastrës u zgjodh nga arkitektët e mbretit Pirro për të ndërtuar qytetin që do të përjetësonte emrin e gruas së tij Antigonës.
Ishte qyteti i dashurisë së parë të një mbreti që jetoi gati 150 vite pasi Antigoneja u dogj nga romakët që përshkuan dhe dogjën me të edhe rreth 50 qytete të tjera të Ilirisë dhe Epirit të lashtë.
Tek kodra që zotëron gjithë luginën e lumit Drino arkeologët dhe studentët shqiptarë dhe italianë janë ngjitur këtë shtator në vitin e katërt të një misioni arkeologjik që kësaj here synon të zbulojë edhe teatrin antik.
“E reja e këtij viti”, thotë arkeologu Roberto Perna “është që po nisim ta kërkojmë teatrin”.
“Kemi përfunduar studimin gjeofizik që ka dhënë disa hipoteza për disa zona ku mendojmë ta gjejmë teatrin. Po nisim ta kërkojmë këtë vit me një ide më të qartë e së shpejti jam i sigurtë se do të kemi lajme të reja”, thotë zoti Perna.
Arkeologu Perna thotë se gërmimet gjatë këtyre katër viteve u kanë dhënë mundësinë të thellojnë njohuritë për organizmin e qytetit me zbulimin vit pas viti të godinave të reja, rrugëkalimeve dhe objekteve të shumta arkeologjike.
Këtë vit thotë zoti Perna kemi mundur të identifikojmë poshtë strukturave të qytetit që ndërtoi mbreti Pirrro struktura më të vjetra që flasin për një qytetërim edhe më të hershëm.
Arkeologia shqiptare Sabina Veseli thotë se gërmimet e këtij viti po sjellin të dhëna që vijojnë t`i ndihmojnë studiuesit për të krijuar ide më të qarta për përmasat e qytetit dhe jetën e tij.
“Është viti i katërt që ne gërmojnë në Antigone dhe mendojmë që do punojmë dhe në vitet në vazhdim pasi rezultatet kanë qenë në fakt shumë premtuese. Ne jemi fokusuar kryesisht në topografinë e qytetit, qoftë ne sheshet publike ashtu edhe në banesat private. Këtë vit janë zbuluar dy godina të reja, të cilat janë shumë afër me Agoranë dhe mund të jenë mjedise ndihmëse të sheshit kryesor të qytetit. Gjithashtu nga gërmimi statigrafik na kanë dalë disa nivele banimi që u përkasin banorëve të vjetër të Antigonesë.”
Kjo zonë arkeologjike, megjithëse në rreth 45 hektarë sipërfaqe dhe besohet se është zbuluar vetëm rreth 10% e qytetit, vijon të tërheqë në numër vizitorësh që rritet vit pas viti.
Një ekip i vogël punon me pasion për mirëmbajtjen dhe paraqitjen e kësaj qendre të rëndësishme thotë përgjegjësi i këtij parku Shkëlqim Guçe.
“Viti 2024 ka qenë i përqëndruar në punimet për mirëmbajtjen e murit rrethues të parkut arkeologjik, në kullat, krojet, rrugë-kalimet por edhe në monumente të veçanta si janë ato në shëtitorën kryesore të qytetit, por edhe në portat veriore dhe jugore. Akropoli si një bazë kryesore e vizitueshmërisë tek kisha e Shën Mëhillit por edhe tek kisha paleokristiane në jug të qyteti antik kanë qenë më të vizitueshme. Këtu në park kemi edhe një muze të vogël i cili ka përmbledhjen historike të ndërtimit të Antigonesë”, thotë ai.
Arkeologu shqiptar Dhimosten Budina e zbuloi qytetin në vitin 1968 dhe përmes gjetjes prej tij të 14 teserave të votimit u mësua emri i Antigonesë.
Teserat e votimit shkruanin “Antigoneon” dhe ishin objekte prej bronzi me të cilat banorët votonin në referendume që mbaheshin herë pas here për çështje të ndryshme në qytet.
Sipas arkeologëve gjetja e teserave flet shumë për për vendimarrjen demokratike të kohës që çoi në ndërtimin e një qyteti me një urbanistikë të përkryer në formën e një kutie shahu ku nuk mungon një rrugë e gjerë si bulevardet e sotme dhe trotuaret që shumë qytete shqiptare të ndërtuara rishtas nuk i kanë më nga mbingarkesa e ndërtimeve.