Zenel Laci

Nga dyqani familjar te skena e teatrit: Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Zenel Laci

Në këtë intervistë frymëzuese, zbulojmë historinë e Zenel Laci, një njeriu që ka sfiduar çdo pritshmëri dhe ka kaluar një udhëtim të jashtëzakonshëm. Nga puna në dyqanin e patateve të skuqura të familjes në Bruksel deri te ngjitja në skenën e teatrit ndërkombëtar, rruga e tij ka qenë e mbushur me sakrifica, ëndrra të realizuara dhe sfida të jashtëzakonshme. Me rrënjë të thella shqiptaro-belge, ai ndan momentet vendimtare që e shtynë të braktisë biznesin familjar dhe të ndjekë pasionin për artin dhe teatrin, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme si autor, dramaturg dhe aktor në moshë të vonë. Mesazhi i tij i qëndresës, besimit në vetvete dhe fuqisë së ëndrrave shërben si një burim frymëzimi për të gjithë ata që kërkojnë të ndjekin pasionet e tyre, pavarësisht pengesave.

1-Historia juaj është shumë unike, nga puna në dyqanin e familjes te skena e teatrit. Cili ishte momenti vendimtar që ju bëri të kuptoni se donit të largoheshit nga biznesi dhe të ndiqnit arsimin dhe artin? 

Që i vogël kam ëndërruar gjithmonë të shkruaj dhe kohën e kaloja duke lexuar. Babai im, i cili kishte lënë Shqipërinë në epokën e komunizmit (1952), kishte një ëndërr: Të vendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikes. Fatkeqësisht viza për atje i ishte refuzuar. Më 1963 vendoset ne Belgjikë. Pas disa vitesh në Bruksel ( 1978) hap një Friterie, dyqan ku shiten patate të skuqura. Aty na fut në punë të gjithëve. Mua, dy vëllezërit dhe dy motrat e mia.

Unë isha më i vogli nga pesë fëmijët. Kur fillova të punoj në dyqan isha14 vjeç. Në këtë moshë lashë shkollimin, por nuk e kam braktisur kurrë leximin. Në Friteri-e lexoja romane fshehurazi nga im atë. Njëherit, shkruaja tregime në letrat që përdoreshin për të mbështjellë konet me patate të skuqura. Por, nuk guxoja t’ia tregoja askujt shkrimet e mia.

Nje ditë vendosa të mbështjellë një kone me një nga tekstet e shkruara dhe ia zgjata një klienti.

Disa orë më vonë, ky klient u kthye dhe më pyeti, nëse isha unë ai që kisha shkruar atë tekst. I ndrojtur u përgjigja: Po.
Ai me tha : “Gjesti dhe teksti yt më ka prekur shumë. C’bën në këtë lokal ?! Vazhdo te shkruash!”

Ishte hera e parë që dikush më tha se ishte krenar për mua, për atë që shkruaja. Isha 16 vjeç. Në atë moment i premtova vetes dhe u betova se një ditë do t’i rikthehem shkollimit dhe ta realizoj ëndrrën time. Këtë e bëra në moshën 30-vjeçare.

 

2- Keni përmendur se ëndrra juaj fillestare ishte të studionit gjuhë-letërsi, por përfunduat në skenografi. Si ndikoi ky ndryshim në drejtim në dashurinë tuaj për teatrin? 

Kur e lashë dyqanin  nuk kisha  diplomë. Andaj ishte e pamundur për mua të hyja në universitet. Në atë kohë ekzistonin kurse të promovimit social. Ato kurse organizoheshin ne mbremje dhe u jepnin mundësinë të rinjve pa diplomë të hynin në arsimin e lartë . Orientohem këtu. Midis drejtimeve të ofruara, kishte vetëm një që përfshinte letërsinë: Bachelor në skenografi. Për mua, ky ishte shansi i jetës sime. Edhe pse nuk dija të vizatoja, u regjistrova. Punova me shumë këmbëngulje dhe përfundova studimet me notën më të lartë.

Me këtë diplomë në dorë, përfundimisht kisha çelësin për të hyrë në universitet. Por, kjo shkollë (e rastit, ose e fatit) në skenografi më bëri të kuptoj se isha dashuruar me teatrin. Prandaj nuk ndoqa gjuhë dhe letërsi. Pasi isha shumë i vendosur të shkoja në fakultet, bëra një master për dramaturgji dhe në regji.

Zenel Laci

 

3- Pasi kaluat 18 vite në biznesin familjar, a ishte e vështirë të largoheshit nga ajo jetë dhe të fillonit diçka krejtësisht të re në moshën 52-vjeçare? 

Të largohem nga dyqani dhe familja ime ishte një goditje e dhunshme për mua. U largova pa asgjë dhe ndërpreva çdo lidhje me familjen. Në atë kohë, hodha poshtë kulturën patriarkale shqiptare të asaj kohe. Jam endur në Bruksel, duke u munduar të kuptoj kush isha. Më mori vite të ndërtoja identitetin tim dhe të krijoja një marrëdhënie dashurie dhe respekti ndaj vetes. Falë një profesori, fillova të punoja në teatër si skenograf dhe vazhdova me shkrimet, me një ide në mendje: “Të shkruaja edhe për jetën time kaluar ne lokal, i cili ka qenë ferr për mua. Këtë e bëra në moshën 52 vjeçare.”

 

4- U dashuruat me teatrin përmes skenografisë. Si u rrit kjo dashuri dhe u shndërrua në performim në skenë, dhe si ishte për ju kalimi në aktrim në një moshë më të vonë? 

Pas daljes nga universiteti në vitin 2004, fillova gjithashtu të vë në skenë tekste autorësh, si dhe të miat, të luajtura në Francë, në Portugali dhe sigurisht në Belgjikë. Sidomos, kam adaptuar, “Ditari i nje gruaje nga Kosova”  nga Sevdije Ahmeti, një aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut. Ajo në këtë Ditar trajton përdhunimin si armë lufte gjatë konfliktit në Kosovë. E kam paraqitur këtë shfaqje në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, në Teatrin Kombëtar në Tiranë, në Paris në Teatrin du Gymnase dhe në turnetë në Belgjikë. Kam qenë gjithashtu dramaturg për disa kompani dhe kjo deri sot. Ka më shumë se 20 vjet që merrem me teatër. Megjithatë, kurrë nuk kam ëndërruar të jem aktor!

Është  përsëri letërsia dhe një rastësi që më sollën në skenë. Kur shkrova tekstin mbi dyqanin, të titulluar “Fritland”, nga emri i lokalit, drejtori i teatrit “de Poche” i Brukselit, Olivier Blin erdhi të shihte këtë monolog.

Ai nuk qe i interesuar për formën e këtij teksti, i cili ishte një galeri personazhesh, ndër të cilët bëja pjesë.

Megjithatë, drejtori më tha: « Ke një perlë. Dhe perla je ti. Nëse shkruan shfaqjen e jetës tënde.  Unë do të doja ta prodhoja në teatrin “De Poche”. Por, me një kusht: “Që ti vet ta luash rolin tënd në skenë.”
Dhe fillova të shkruaj historinë e familjes sime dhe timen kaluar në këtë Friteri-e, e cila për mua ka qenë burg dhe muzë njëkohësisht. Kështu u bëra aktor. Shaqja Fritland doli e sukseshme që nga krijimi në vitin 2019 dhe është luajtur në Belgjikë, Francë, Kosovë dhe Armeni.

 

5- Shumë njerëz përballen me refuzim kur përpiqen të ndjekin ëndrrat e tyre, ashtu siç ju ndodhi juve kur aplikuat për universitete. Si e përballuat atë refuzim dhe çfarë këshille do t’u jepnit të tjerëve që po përballen me sfida të ngjashme?

Une nuk jam njeri me pretendime. Megjithatë, është një thënie nga babai im që më ka prekur thellë :” Për të realizuar ëndrrat tua, duhet të lësh gjithçka dhe të përballesh me frikërat tua.”  M’u deshën vite për ta kuptuar këtë thënie. Një ditë si ai edhe unë, u largova për të përballur frikërat e mia, që në të vërtetë janë ëndrrat tona. Refuzimet, dyshimet, gjithçka që na pengon të ecim përpara në jetë me (dinjitet) janë frikërat tona. Për t’i zhdukur ato, duhet guximin, vetbesim dhe këmbëngulje per t’u përballë me çdo vështirësi. Kjo mund të marrë vite të tëra, por kurrë nuk është tepër vonë për të arritur suksesin në jetë.

 

6- Çfarë do të thotë për ju të performoni në skenat e Brukselit, veçanërisht duke marrë parasysh se fillimisht nuk kishit synim të bëheshit aktor? 

Kur jam në skenë duke luajtur para spektatorëve çdo mbrëmje, ndjej empatinë e publikut ndaj meje. Dhe çdo herë jam i habitur dhe i lumtur .

 

7- Rrugëtimi juaj është një frymëzim për ata që mendojnë se është shumë vonë për të ndërruar karrierë ose për të ndjekur pasionet e tyre. Çfarë mesazhi shpresoni që historia juaj të përcjellë tek të tjerët? 


Dëshiroj të theksoj një gjë: Pavaresisht kush je, fal pasionit, punës, vetbesimit,  këmbënguljes, çdo njeri mund të realizojë ëndrrën e tij.

 

8- Ka ndikuar identiteti juaj shqiptaro-belg në punën tuaj në teatër? 

Është e pamohueshme se rrugëtimi familjar dhe ekzili i prindërve të mi kanë formuar përceptimin tim për botën. Shpeshherë, unë gjej forcën në këtë përvojë, që më ndihmon të ec përpara dhe të reflektoj mbi mënyrën se si të përparoj, si në punën ashtu edhe në jetën time personale. Kam arritur të bëj pajtim me familjen dhe me historinë time. Kultura e dyfishtë belgo-shqiptare është një pasuri e vërtetë për mua. Kam shkruar dhe vënë në skenë disa pjesë ku Shqipëria dhe personazhe me origjinë shqiptare zënë një vend qendror.

 

9- Cila ishte reagimi i familjes tuaj kur vendosët të largoheshit nga biznesi dhe të ndiqnit ëndrrën tuaj? A ishin mbështetës apo hezituan në lidhje me zgjedhjen tuaj? 

Prindërit e mi u larguan nga Shqipëria në vitin 1952, pa pasur mundësinë të ndiqnin shkollimin. Largimi i tyre nga vendi  ishte nje sfidë e vërtetë, 8 vite në kampe refugjatësh në Kosovë, Slloveni, Kroaci dhe Itali. Kur u vendosën në Belgjikë më 1963, nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të kryenin punë të thjeshta. Ata sakrifikuan një pjesë të madhe të jetës së tyre për t’u stabilizuar dhe për t’i ikur jetës së varfër, fal këtij dyqani. Kur vendosa të largohem nga biznesi familjar për të ndjekur studimet, prindërit nuk mundën të më kuptonin. Babai im, me gjithë thjeshtësinë e tij, më tha: “Si do t’i besh ti studimet , kur e din se s’je ndokushi.”


10- Tani që jeni ngjitur në skenë, a mendoni të vazhdoni me teatrin apo të eksploroni rrugë të tjera krijuese?

Siç e kam përmendur, vazhdoj të punoj si skenograf, autor, regjisor, dramaturg dhe sot aktor. E tëra kjo ndodhi duke ju falenderuar punës sime të pamohueshme, por edhe fatit. Kam projekte të reja, në mes tjerash për teatrin  “de Poche”.

Së fundmi, një regjisor erdhi të shihte pjesën  “Fritland” dhe e pëlqeu. Ai dëshiron t’a përshtas atë për kinema, dhe më propozoi të bashkëpunoj në shkrimin e skenarit, gjë që jemi duke bërë aktualisht…

 

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top