Në një epokë ku teknologjia po transformon çdo aspekt të jetës sonë, një inovator shqiptar ka ndërmarrë një hap të guximshëm për të adresuar një nga sfidat më të mëdha që përballen shqiptarët jashtë vendit – ruajtja dhe promovimi i gjuhës dhe kulturës së tyre. Në këtë intervistë ekskluzive, krijuesi i robotit “Dardan”, Firdeus Dikellari, ndan me ne frymëzimin e tij, sfidat e hasura gjatë zhvillimit dhe vizionin për të ardhmen e këtij projekti që synon të lidhë gjeneratat e reja me gjuhën e tyre amtare.
1- Çfarë ju inspiroi për të krijuar robotin “Dardan”?
Dardanin e krijova për të trajtuar një problem aktual në komunitetin tonë – mungesën e mjeteve efektive që fëmijët shqipfolës të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Kam parë shumë prej fëmijëve teksa luftojnë për të komunikuar në gjuhën shqipe. Kjo ndezi një dëshirë tek unë për të krijuar diçka që do ta mbyllte këtë hendek dhe do ta bënte mësimin e gjuhës shqipe më të aksesueshëm.
Duke integruar gjuhën shqipe synova të krijoj një robot që jo vetëm flet shqip, por kupton edhe nuancat, apo kompleksitetin e kulturës shqiptare. Në këtë mënyrë, Dardani do të mund ndërveprojë në një mënyrë që të ndihet e natyrshme dhe autentike, duke promovuar një dashuri për gjuhën dhe trashëgiminë shqipe që mund të përcillet brez pas brezi.
2- Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët gjatë zhvillimit të robotit?
Një nga sfidat kryesore me të cilat u përballa ishte mbledhja, seleksionimi dhe përzgjedhja e të dhënave për gjuhën shqipe. Kjo është thelbësore për trajnimin e Dardanit në mënyrë që ai të mund të njohë me saktësi pyetjet që i drejtohen në gjuhën shqipe dhe t’u përgjigjet atyre. Gjithashtu më duhej të kapërceja edhe sfidën e gjetjes së komponentëve të përshtatshëm në tregun shqiptar.
3- Si funksionon roboti “Dardan” dhe cilat janë aftësitë e tij kryesore?
Dardani ka aftësinë të komunikojë në gjuhën shqipe dhe 9 gjuhë të tjera. Për të nxitur imagjinatën dhe kureshtjen tek fëmijët ai bën pyetje të hapura kur është e nevojshme. Dardani gjithashtu arrin të dallojë emocionet përmes mimikës të fytyrës dhe të ndërveprojë me përdoruesin në bazë të emocionit që ai shfaq.
4- Si arritët të integroni njohuritë e 9 gjuhëve të huaja, përfshirë edhe shqipen, në robotin tuaj?
Dardani aktualisht komunikon në 10 gjuhë dhe jo 9, nuk e kuptova as vetë se si u përhap ky keqkuptim midis mediave dhe gazetarëve. Teknologjia pas Dardanit është mjaft komplekse, por do të isha i lumtur të ndaja disa detaje. Dardanin e zhvillova duke përdorur një kombinim të algoritmeve të machine learning, deep learning dhe NLP (Natural Language Processing). Kam integruar aftësitë e njohjes së të folurit për t’i mundësuar Dardanit të kuptojë dhe t’i përgjigjet shqipes së folur të fëmijëve, por jo vetëm.
5- Cilat janë qëllimet tuaja për të ardhmen e “Dardan”? A ka plane për zhvillime të mëtejshme?
Absolutisht! Kam plane të mëdha për zhvillime të mëtejshme me Dardanin. Në të ardhmen e afërt, po planifikoj të zgjeroj aftësitë e tij të përpunimit të gjuhës për të përfshirë biseda më komplekse dhe reagimet në kohë reale. Në të ardhmen do të ketë bashkëpunime me psikologë dhe logopedistë për të zhvilluar veçori të reja që do të revolucionarizojnë mënyrën se si fëmijët mësojnë dhe ndërveprojnë. Kjo do t’i mundësojë Dardanit të angazhojë fëmijët në përvoja edhe më ndërvepruese. Ka dhe plot funksionalitete të tjera që do të integrohen në të ardhmen, por këto funksionalitete dëshiroj t’i le surprizë për publikun.
6- Si mendoni se roboti juaj mund të kontribuojë në përmirësimin e jetës së njerëzve?
Unë besoj se Dradani ka potencialin për të përmirësuar ndjeshëm jetën e fëmijëve duke i lejuar ata të shprehin veten dhe të lidhen me të tjerët në mënyra që ndoshta më parë nuk ishin të mundura. Kjo mund të çojë në rritjen e besimit, aftësive sociale dhe mirëqenies emocionale të fëmijëve.
7- A keni marrë ndonjë mbështetje apo financim për projektin tuaj?
Mbështetja ime për realizimin e prototipit të këtij projekti ka qenë familja ime. Ata me mbështetën moralisht dhe financiarisht në çdo hap të këtij projekti.
8- Si e shihni të ardhmen e teknologjisë në Shqipëri dhe rolin tuaj në të?
Unë besoj se teknologjia ka fuqinë për të transformuar Shqipërinë dhe shoqërinë e saj. Jam krenar që jam pjesë e gjeneratës së parë të zhvilluesve të Inteligjencës Artificiale në Shqipëri dhe besoj se është përgjegjësia e këtij brezi t’i hapim rrugën novatorëve të ardhshëm. Duke punuar së bashku, kam besim se mund të krijojmë një Shqipëri më gjithëpërfshirëse dhe inovative, ku teknologjia nuk është thjesht një mjet, por një forcë shtytëse për ndryshime pozitive.
9- Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve të tjerë që kanë interesa në teknologji dhe inovacion?
Mos hiqni dorë kurrë nga ëndrrat tuaja. Është normale të përballesh me kundërshtime, ose skepticizëm nga të tjerët, por mos lejoni që kjo t’ju pengojë të ndiqni vizionin tuaj. Mos harroni, inovacioni shpesh kërkon marrjen e rreziqeve të llogaritura. Mos kini frikë të eksperimentoni, mësoni nga gabimet tuaja dhe përshtatni qasjen tuaj sipas nevojës. Qëndroni besnik ndaj vizionit tuaj dhe vazhdoni të ecni përpara. Kur të shikoni prapa në udhëtimin tuaj, do të jeni krenarë për ndikimin që keni pasur dhe ndryshimin që ka sjellë ideja juaj në jetët e të tjerëve.
A e keni lexuar? Krijuesi i lojërave Bekim Biçaku: 3 lojërat e tij dhe si arriti ai të ketë sukses
10- A ka ndonjë element të veçantë kulturor shqiptar që keni dashur të përfshini në robotin “Dardan”?
Po sigurisht, një ndër to janë dialektet e gjuhës shqipe. Po punoj që Dardani të jetë i aftë të dallojë dialektet e gjuhës shqipe dhe pse jo edhe t’i komunikojë ato. Gjithashtu kam dëshirë që të përfshij të gjithë historinë shqiptare, traditat e saj dhe tregimet shqiptare për ta bërë sa me tërheqës bashkëbisedimin me Dardanin.
Për të parë Dardan-in në veprim dhe për të kuptuar më mirë se si ky robot i veçantë ndihmon fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre amtare, ju ftojmë të shikoni videon më poshtë. Kjo video ilustron aftësitë e Dardanit për të komunikuar në shqip dhe për të ndërvepruar në mënyrë të natyrshme me përdoruesit e tij.