Trembëdhjetë shtete amerikane dhe kryeqyteti Uashington ngritën padi ndaj TikTok-ut, duke akuzuar platformën se dëmton shëndetin mendor të të rinjve dhe krijon varësi. Paditë, të cilat u ngritën pas një hetimi nga prokurorët e përgjithshëm, fokusohen në algoritmin e TikTok-ut që përcakton përmbajtjen për përdoruesit dhe akuzojnë platformën për karakteristika që tërheqin fëmijët në mënyrë të dëmshme, si përmbajtja e pafund dhe njoftimet tërheqëse, shkruhet në VOA
Gjithashtu thuhet se, Uashingtoni e quajti algoritmin “nxitës të dopaminës” dhe argumentoi se TikTok-u është i pavërtetë kur thotë se është i sigurt për të rinjtë, pasi fëmijët mund të kalojnë lehtësisht kufizimet e moshës. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut theksoi se të rinjtë janë dëmtuar nga sfidat e rrezikshme të TikTok-ut.
Padi të tjera po ashtu akuzojnë TikTok-un për operimin si një “ekonomi e palicencuar virtuale” dhe shfrytëzimin seksual të të rinjve përmes transmetimeve të drejtpërdrejta. Prokurorët kërkojnë ndalimin e karakteristikave të tilla dhe dëmshpërblim për përdoruesit e dëmtuar.
TikTok po përballet gjithashtu me sfida në nivel kombëtar, përfshirë një ligj federal që mund ta ndalojë platformën nëse pronari i saj, ByteDance, nuk e shet deri në janar. TikTok ka sfiduar ligjin në gjykatë dhe pritet një vendim.
Lexoni edhe Interpol: Shtohet rreziku nga bandat globale
Ndërkohë edhe në Turqi, Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, njoftoi se Discord është bllokuar me një urdhër gjykate për shkak të përmbajtjes që dyshohet se përmban abuzim seksual të fëmijëve. Tunc theksoi se vendimi është marrë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe të paligjshme. Ky veprim pason vrasjen e dy vajzave të reja, ku hetimet janë fokusuar te grupet që përhapin përmbajtje dhunshme.
Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se dy fëmijë janë arrestuar si moderatorë të një grupi që përhapte abuzim seksual. Në të njëjtën ditë, Rusia bllokoi gjithashtu Discord për shkelje të ligjeve të saj. Turqia ka bllokuar më parë disa platforma të tjera sociale dhe ka vendosur ndalime në raste emergjencash. Përdoruesit në Turqi tani nuk kanë akses në Discord, por mund të hyjnë përmes shërbimeve VPN, shkruan BalkanInsight.