Staff

Staff, startupi që bashkëpunon me mbi 200 kompani. Deri tani: 30,000 shkarkime

Startupi Staff po bëhet një nga emrat më të njohur në tregun e punës në Shqipëri, me një ritëm të shpejtë rritje. Aplikacioni ka kaluar 30,000 shkarkimeve dhe bashkëpunimin me mbi 200 kompani të mëdha dhe të njohura në vend, Platforma po ndikon në mënyrën se si shqiptarët kërkojnë punë dhe se si kompanitë gjejnë talentet e tyre të reja. Me përmirësimet më të fundit dhe planet ambicioze për të ardhmen, Staff po përgatitet të shënojë hapa edhe më të mëdhenj drejt inovacionit. Themeluesi i kësaj platforme, Gramoz Todori, na tregon zhvillimet e deritanishme, planet e ardhshme, dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në këtë rrugëtim.

 

Si e ndjeni këtë moment historik për platformën tuaj, pasi Staff arriti mbi 30,000 shkarkime dhe bashkëpunimin me më shumë se 200 kompani të mëdha?

Arritja e 30,000 shkarkimeve dhe bashkëpunimi me mbi 200 kompani është një moment i veçantë për ne. Për të gjithë ekipin tonë, kjo është dëshmi se po bëjmë gjërat në mënyrë të duhur. Ne kemi investuar shumë për të krijuar një platformë që të shërbejë si për punëkërkuesit ashtu edhe për punëdhënësit. Ky moment është një shpërblim për përpjekjet tona dhe një sinjal që duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të zgjerojmë gamën e shërbimeve që ofrojmë. Ne nuk kemi për qëllim vetëm të jemi një platformë rekrutimi, por një partner strategjik për kompanitë dhe një aleat për suksesin profesional të punëkërkuesve.

 

Versioni i fundit i Staff përmban disa veçori të reja dhe të avancuara. Çfarë mund të presin përdoruesit nga këto përmirësime?

Versioni më i ri i Staff sjell disa përmirësime kyçe që e bëjnë përvojën e përdoruesve më të lehtë dhe më efektive. Një prej përditësimeve më të rëndësishme është Job Alerts, e cila i dërgon përdoruesve njoftime në kohë reale për vendet e reja të punës që përputhen me profilin dhe interesat e tyre. Përdoruesit nuk kanë më nevojë të kontrollojnë vazhdimisht për punë të reja – aplikacioni bën këtë punë për ta dhe i njofton menjëherë kur ka diçka të re që përputhet me kriteret e tyre.

Një tjetër veçori e rëndësishme është sugjerimi i punëve të ngjashme. Kjo veçori analizon aplikimet dhe interesat e përdoruesve dhe ofron rekomandime për pozicione të ngjashme që ata mund të kenë lënë pa parë. Kjo e bën kërkimin e punës më inteligjent dhe të personalizuar.

 

Po për punëdhënësit? Çfarë risish ka për ta?

Për punëdhënësit, kemi sjellë disa veçori që ndihmojnë në thjeshtimin dhe përshpejtimin e procesit të rekrutimit. Një prej tyre është opsioni i sponsorizimit të punës, i cili u jep mundësinë kompanive të promovojnë pozicionet e tyre të lira për t’u shfaqur në krye të rezultateve të kërkimit. Kjo është shumë e rëndësishme për pozicionet që kërkojnë të tërheqin shpejt kandidatë të kualifikuar.

Gjithashtu, kemi përmirësuar sistemin e bisedës (chat), duke e bërë komunikimin më të thjeshtë dhe të shpejtë midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Tani, kandidatët dhe punëdhënësit mund të ndërveprojnë në kohë reale, gjë që përshpejton gjithë procesin e përzgjedhjes.

 

Ju po punoni edhe me projekte të tjera inovative. Cilat janë ato?

Një nga projektet më emocionuese që kemi në dorë është zhvillimi i robotit tonë të bazuar në machine learning. Aktualisht, ne përdorim inteligjencën artificiale për të ndihmuar kompanitë të krijojnë dhe të menaxhojnë postimet e punës në platformën tonë, duke siguruar që ato të jenë të targetuara dhe efektive. Por në të ardhmen, ne duam të shkojmë një hap më tej. Roboti ynë do të ndihmojë edhe punëkërkuesit duke i ndihmuar ata të krijojnë CV-të e tyre automatikisht, bazuar në të dhënat dhe kualifikimet e tyre.

Jo vetëm kaq, por po punojmë për një sistem që do t’u mundësojë përdoruesve të gjejnë punë të personalizuara në bazë të kualifikimeve të tyre dhe përvojave të mëparshme. Ideja është që AI-ja jonë të mund të analizojë të dhënat dhe të bëjë rekomandime të sakta dhe të personalizuara për secilin përdorues, duke e bërë kërkimin për punë shumë më të lehtë dhe më efektiv.

Staff

 

Tingëllon si një revolucion për tregun e punës! Kjo  mund të sjellë ndryshime të mëdha për punëkërkuesit. A keni parashikuar diçka për përfshirjen e njerëzve me aftësi të kufizuara?

Përfshirja e njerëzve me aftësi të kufizuara është një tjetër fushë që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme. Kemi shtuar një veçori të re në platformë që e bën më të lehtë për njerëzit me aftësi të kufizuara të aplikojnë për punë që i përshtaten nevojave të tyre. Gjithashtu, ne kemi zhvilluar disa mjete që u ndihmojnë punëdhënësve të theksojnë pozicionet që janë të hapura për aplikantët me aftësi të kufizuara, duke promovuar një treg pune gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Ne besojmë se çdo individ meriton një mundësi të barabartë për të kontribuar në fuqinë punëtore dhe kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme për ne.

Lexoni edhe Hulumtimet tregojnë se burrat dhe gratë kanë nevojë për mëngjese të ndryshme që të humbasin peshë

Si mund të bashkohen individë të tjerë që shohin një mundësi për të kontribuar në këtë platformë?

Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që dua të theksoj. Staff është një projekt i hapur ndaj inovacionit dhe bashkëpunimit, dhe ne jemi gjithmonë në kërkim të individëve të rinj dhe të talentuar që mund të kontribuojnë në përparimin tonë. Çdokush që ka ide, aftësi teknike, eksperiencë në rekrutim, apo që thjesht dëshiron të kontribuojë në krijimin e një platforme më të mirë dhe më të zgjuar, është i mirëpritur të bashkohet me ne. Ne besojmë fuqimisht që kreativiteti dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit tonë të ardhshëm, kështu që ne ftojmë të gjithë ata që ndihen të frymëzuar nga ky projekt të bëhen pjesë e ekipit tonë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top